E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ sjell në Tiranë zyrtarin amerikan, Jonathan Moore të hënën takime me politikanët

Funksionimi i cunguar i Komisionit qëndror të Zgjedhjeve, i mbetur që prej një muaji me katër anëtarë vazhdon të jetë një shqetësim për komunitetin ndërkombëtar.

Kjo cështje pritet të jetë pjesë edhe e bisedimeve të Drejtorit për Europën Qëndrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore, i cili parashikohet të rikthehet në Tiranë, në fillim të javës, pas rreth një muaji nga vizita e tij e fundit e cila përkoi pikërisht me lëvizjet në KQZ.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë muajin e shkuar Moore, në një konferencë shtypi në ambasadën amerikane deklaroi se:

Ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e Parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së. Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë.

Ndwrkaq edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu, thuajse nw tw gjitha deklaratat e tij i ka mëshuar fort kësaj pike.

Tw premten ai foli për konstituimin e KQZ, duke bërë thirrje që të mund të realizohet të hënën e ardhshme:

Kam dëgjuar se do të zhvillohet të hënën një sesion në parlament. Është një mundësi e mirë qoftë për të tre ligjet dhe ndoshta edhe për kostituimin e KQZ. Shpresoj që të gjitha palët të përfitojnë nga kjo mundësi.

Koha në dispozicion për arritjen e një kompromisi për KQZ duket e shkurtër aq më tepër kur pak ditë më parë, vetë zoti Arvizu pranoi se qëndrimet e palëve janë shumë larg njëra tjetrës. Ideja e socialistëve është se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI, mund të riparohet vetëm me një riformatim të komisionit. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin.

Të hënën sipas asaj që njoftoi publikisht dje kryeministri Berisha, parlamenti pritet ti japë zgjidhje një tjetër ngërci i cili pati pasoja të drejtpërdrejta në procesin e integrimit europian të vendit.

Akti i fundit i deputetëve pritet të jetë votimi i dy ligjeve dhe reformës parlamentare të kërkuara nga Brukseli si kusht për të rekomanduar dhënien e Statusit kandidat. Palët duket se kanë rënë dakort me propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim ato të miratohen por të hyjnë në fuqi në shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›