E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pas PPE-së: Gati për bashkëpunim për reformat

TIRANË- Ndryshe nga një javë më parë, Kryeministri Sali Berisha ishte më i përgjithshëm dje në ofertën e tij për bashkëpunim drejtuar opozitës. Ai deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar se mazhoranca është e gatshme për të bashkëpunuar me opozitën në kuadrin e ligjeve dhe Kushtetutës. Duke folur për samitin e Partive Popullore Europiane e konkretisht për 35 vjetorin e themelimit të saj, kryeministri Berisha tha se gjatë samitit dhe takimeve me përfaqësues të së djathtës u fol edhe për zgjedhjet lokale dhe fitoren e Bashkisë Tiranë. “Nuk kishte moment më kuptimplotë dhe më besimplotë, që të mund të festohej 35 vjetori i Partisë Popullore Evropiane se sa ky, kohë kjo në të cilën fitoret e partive anëtare të saj ndjekin me vendosmëri njëra - tjetrën. Ishte një moment i shkëlqyer për mua, për të informuar shkurtimisht që të gjithë pjesëmarrësit, nga Kancelarja Merkel, Presidenti i Komisionit Europian José Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, Kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe të gjithë kryeministrat që ishin aty, Kryetari i Parlamentit Europian, mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe rezultatin e tyre. Përgëzimet ishin shumë të përzemërta. Dhe unë dhashë garanci të plota se qeveria do të bëjë çdo gjë për të vazhduar reformat me vendosmërinë më të madhe dhe për të bashkëpunuar me opozitën në kuadrin e ligjeve të kushtetutës, me çiltërsinë dhe vendosmërinë më të madhe”, u tha dje Berisha deputetëve. Kreu i ekzekutivit u ndal dje gjatë mbledhjes edhe në krizën ekonomike në vendet e zonës euro. Berisha theksoi se “modeli ynë ekonomik ka qenë model i suksesit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›