KRIZA DHE POPUJ
Është e padyshimtë dhe e pranuar botërisht që ekonomia perëndimore prej disa muajsh është duke kaluar një krizë financiare dhe ekonomike fort të rëndë. Larg dëshirës për të ripërsëritur shkaqet dhe përmasat, mund të theksohet vetëm se ndikimet e saj u shtrinë mbi të gjithë globin, për rrjedhojë edhe mbi vendin tonë. Kjo është një çështje më vete.
Por lidhur me të duket sikur është harruar të shtrohet një pyetje që nuk mund të thuhet se s’është shumë e rëndësishme, bile qendrore:
Pra, si reaguan dhe po reagojnë popujt lidhur me këtë krizë?
E kam fjalën për popuj të pjekur moralisht dhe politikisht sikurse janë ata të shoqërive perëndimore, pra për ata popujt që kanë një kujtesë politike afatgjatë, që kanë kaluar sa e sa drama kolektive, që kanë njohur luftëra fetare, kryqëzata, kanë jetuar në perandori dhe republika, kanë njohur absolutizmin dhe fillimet e një kapitalizmi shumë të egër, kanë njohur luftërat prej disa dekadash, luftërat botërore, kampet e përqendrimit, që kanë njohur fashizmin dhe nazizmin, që kanë para gjenerata të tëra të rinjsh të kalojnë vite të tëra nëpër llogore mbushur me ujë dhe me baltë?
Pra, nuk janë kombe frikacakësh.
Si po reagojnë popujt e qytetëruar ndaj krizës së sotme financiare, e cila, duhet thënë, ka ulur shumë kapacitetet financiare të Perëndimit, ka bërë që të rrënohen interesa bankare të kursimtarit të mesëm dhe të vogël, ka shtuar së tepërmi papunësinë duke goditur jetë familjesh, ka sjellë pasiguri ekonomike, dhe përse jo, duhet thënë e vërteta, është shoqëruar edhe me rritje të akteve të vjedhjes dhe dhunës individuale, edhe me pasoja të tjera sociale për të cilat nuk po zgjatem?
Si po reagojnë popujt e qytetëruar dhe klasat e pjekura politike kombëtare atje në këto kohë krize?
Ka vend ta studiojmë nga larg e nga afër këtë lloj sjelljeje për të parë se si veprojnë popujt e tjerë në këto kohëra delikate, përse jo të rrezikshme, nga njëra anë që të mos përsërisim naivitete nga të cilat të gjithë dolëm të dëmtuar, si ato të vitit 1997, por edhe të mos humbim energji kombëtare kotësisht, ndërkohë që kombet fqinje me ne kërkojnë ta kalojnë sa më shpejt këtë situatë të krijuar pas kurrizit të tyre dhe që pasojat i hedh mbi kurrizin e tyre.
Apo ka vend të hedhim parulla destabilizuese për një “forcë që nuk është dhunë”, por thjesht nuk kërkon veçse pak gjë: “të bllokojë funksionimin e institucioneve (gjykata, ministri, bashki, komisariate policie, ambulanca, qendra zjarrfikësish, zyra regjistrimi biznesesh etj., ) nëpërmjet grumbullimeve masive të protestuesve para hyrjeve të tyre?”
Para disa muajsh, ndofta një viti a pak më shumë, u duk që sistemi bankar perëndimor po kalonte një traumë të madhe. Bankat nisën njëra pas tjetrës të deklaronin në fillim me gjysmë zëri dhe pastaj gjithnjë e me zë më të lartë se kishin vështirësi në likuiditete. Me një fjalë se arkat po u boshatiseshin. Mbaja frymën për të parë se si do të ishte reagimi i kursimtarëve masivë, që nuk janë me qindra mijëra, por shumë më tepër, me miliona, me dhjetëra miliona, me qindra miliona.
Si do të reagonte qytetari i mesëm perëndimor përballë frikës se paratë që kishte vendosur me aq mund në bankë, paratë që i kishte kursyer për vite dhe dekada të tëra, paratë ku kishte vendosur shpresën për një pleqëri të qetë a për një trashëgimi drejtuar te fëmijët e vet, kishin rrezik të kishin avulluar?
Ndofta nisur edhe nga trauma jonë e vitit 1997, pas rrëzimit të kompanive financiare piramidale, prisja një sjellje kolektive të furishme, të pallogaritshme në pasojat e veta, një reagim kolektiv destabilizues. Në fakt, prisja të shihja në televizor apo të mësoja nga mediat tri lloje veprimesh kolektive që sipas meje do të shoqëronin vështirësitë e mëdha financiare që kalonin bankat perëndimore.
Së pari, shtim të pafund të radhëve të qytetarëve për të tërhequr pará të thata në dorë përballë sporteleve bankare apo atyre që i quajmë bankomatë.
Së dyti, kërkesa pa fund nga ana e klientëve për të tërhequr në mënyrë masive kapitalet e tyre financiare të depozituara në banka në formë kursimesh.
Së treti, ndërkohë që bankat nuk do të kishin mundësi për të kthyer kapitalet financiare të vendosura te to me besim të plotë fillestar nga ana e klientëve, një revoltë masive e këtyre të fundit, të shtyrë nga paniku, nga frika, nga dëshira egoiste për të marrë së më parë paratë e veta, pa pyetur se çfarë bëhet me sistemin bankar në tërësinë e vet.
Fakti është se nuk u vërtetua asnjëra nga këto sjellje kolektive. As shtim i radhëve të klientëve para sporteleve bankare, as tërheqje masive e kursimeve, as revolta të dhunshme në rrugë, thirrje për të thyer bankat me “forcë të padhunueshme” etj.
Kujtesa ime për ngjarjet e vitit 1997 nuk më kishte vlejtur aspak për të parashikuar se çfarë mund të ndodhte një dekadë më vonë në Perëndim.
Popuj të ndryshëm, sjellje të ndryshme.
Kriza të njëjta pak a shumë në pasojat e tyre, klasa politike të ndryshme.
Halle kombëtare të njëjta, media të ndryshme.
Kur mundohem të gjykoj sot se përse nuk ndodhi asnjë nga këto sjellje të pritshme kolektive, edhe pasi kam vërejtur se çfarë ka ndodhur qysh atëherë, pasi kam parë shpjegimet e shkencëtarëve, si edhe qëndrimet e politikanëve, më duket se kuptimi është i qartë. Sjellja kolektive edhe ajo politike kanë qenë të frymëzuara jo nga inatet e vrullshme që në politikë nuk të çojnë veçse në greminë e në drama kombëtare, as nga paniku, as nga dëshira për të përfituar nga situata e krijuar, por të udhëhequra nga pjekuria kolektive, nga maturia politike.
Mediat, politika, operatorët financiarë dhe më në fund edhe miliona e dhjetëra milionë kursimtarë të vegjël dhe të mesëm kuptuan një gjë themelore që ndoshta ishte krejt në kundërshtim me shqisat e tyre dhe me “sensin komun”. Bankat nuk i kishin paratë e tyre në arka. Kjo do të ishte më se normale. Banka nuk është një lloj sënduku ku gjyshja plakë ruan lekët e veta për një ditë të keqe. Paratë qarkullojnë. T’i kërkosh një banke në mënyrë masive që ajo të kënaqë menjëherë kërkesat për të tërhequr të gjitha kursimet që janë vendosur atje, bashkë me interesat, pra të kthejë “lekët tona”, kjo do të thotë as më shumë e as më pak që sistemi bankar të falimentojë, që ekonomia kombëtare të marrë fund, që shoqëria të përballet me një krizë të rëndë, pra me shkatërrimin. Një sjellje e tillë do të vinte në mënyrë të çmendur në kundërshtim me parimet themelore të sistemit të kreditit dhe kursimit, me parimin bazë që është ai i besueshmërisë te institucioni bankar, pra te kontrata e mbështetur te probabiliteti statistik sipas të cilit kursimtarët nuk do të kenë nevojë, të gjithë njëherësh, për të tërhequr kursimet e tyre nga bankat.
Statistikisht kjo nuk mund të ndodhë, por ja që ka mundësi të ndodhë në kohëra krizash besimi te sistemi bankar, ku klientët përqendrohen para dyerve të bankës dhe të thërrasin: “Duam lekët tona!” Nuk e kuptojnë se pikërisht me këtë thirrje dhe me këto veprime ishin duke humbur lekët e tyre.
Nisur nga këtej u vu re një përmbajtje kolektive, shenjë e maturisë së kombeve të qytetëruara dhe e klasës së tyre politike, përse jo, edhe e mediave të tyre. Mediat e kuptuan të parat, nën ndikimin e operatorëve financiarë të fuqishëm, e ndërgjegjes së klasës politike se në ato kushte nuk duhej ngjallur mosbesimi, përkundrazi duhej ngjallur besimi te sistemi bankar që ndodhej në fakt përpara një lëkundje serioze dhe një krize të rëndë.
Jo mosbesimi i arsyeshëm, por besimi i çmendur mund ta shpëtonte sistemin bankar, ekonominë në përgjithësi, pra edhe familjen dhe vendet e punës të anëtarëve të saj.
Ne vend që gjithkush të shkonte të rrëmbente me dhunë paratë e tij, të gjithë pritën që bankat të merrnin veten dhe ekonomia të niste të merrte rrugën e shpresës për të dalë nga gjendja katastrofike.
Kur kriza u bë jo vetëm financiare, por edhe ekonomike, ndërmarrjet nisën të shkurtojnë vende pune, biznese të vogla dhe të mesme nisën të mbyllen, pagat filluan të ngrijnë ose më keq akoma, të ulen, nisën nxjerrjet e parakohshme në pension etj., mendova se tanimë mund të kishim dy sjellje të tjera të mundshme kolektive në metropolet e mëdha perëndimore:
Së pari, një rritje të grevave dhe demonstratave me karakter ekonomik dhe pastaj edhe politik për të protestuar ndaj përkeqësimit të fuqisë blerëse.
Së dyti, një përkeqësim të marrëdhënieve mes kapitalit dhe punës brenda ndërmarrjeve, pra midis pronarëve dhe punonjësve, midis punonjësve dhe menaxherëve.
Këto dy pritshmëri tanimë nuk i përfytyroja më nisur nga ndonjë kujtesë shqiptare, por nga ato ngjarje që njohim nga historia e vendeve perëndimore të Evropës, ku lufta e klasave dhe revolucionet apo lëvizjet e dhunshme në rrugë nuk kanë munguar.
Asnjë nga këto dukuri kolektive nuk u vërtetua dhe nuk është shfaqur deri tani. Ndofta me përjashtim të Greqisë, por edhe në këtë vend manifestimet sporadike në rrugë dhe veçanërisht aksionet guerilase kundër institucioneve nuk i mori përsipër asnjë nga forcat politike demokratike dhe parlamentare.
Si është e mundur kjo që dikur do të quhej një paradoks?
Nga njëra anë gjendja ekonomike dhe financiare e shoqërive perëndimore njeh një përkeqësim nga kriza, nga ana tjetër rruga njeh boshatisje nga revoltat masive dhe ndërmarrja nga hapësirë e ndeshjeve mes kapitalit dhe punës, më shumë shihet si një “vatër familjare” ku të gjithë, pronarë, aksionerë, administratorë, punonjës, kërkojnë ta shpëtojnë, në një treg të ashpër konkurrues?
I rëndësishëm në këtë pikë është fakti dhe konstatimi i tij. Kurse arsyet shpjeguese mund të jenë pafund dhe krejt kontradiktore me njëra-tjetrën. E rëndësishme është të thuhet se ndaj krizës së sotme financiare dhe ekonomike popujt e qytetëruar nuk po reagojnë aq nëpërmjet protestës, por nëpërmjet dy vlerave të tjera:
1. Punës
2. Institucioneve ekonomike
Ndërkaq, mungojnë dukuri dikur të pritshme si shndërrimi i kërkesave ekonomike në kërkesa politike radikale për rrëzime qeverish pa pritur zgjedhjet politike dhe votimin qytetar dhe aq më shumë mungojnë kërkesa për të shkuar në zgjedhje politike të parakohshme, pra nuk ka instrumentalizim të krizës nga ana e opozitave politike.
Nga literatura ekonomiko-politike e ditëve të sotme vërehen disa arsye se përse ndodh kështu.
- Bllokimi i punës me anë të grevave dhe protestave do ta përkeqësonte edhe më shumë gjendjen ekonomike të vendit.
- Taksimi gjithnjë e më i madh i pasurisë, pra edhe i firmave ndërkombëtare, në emër të një mbrojtjeje të pagës dhe të fuqisë paguese dhe blerëse të punonjësve, do të shoqërohej me përkeqësimin e klimës kombëtare të biznesit. Mund të sillte si pasojë largimin e investimeve nga një vend drejt vendesh të tjerë me qytetarë më “të urtë”. Pra, nuk do të bënte veçse të përfitonin kombet e tjerë.
- Ndërkaq, vetë një pjesë e madhe e punonjësve janë ose aksionerë në ndërmarrje të ndryshme dhe atje ku punojnë ose kanë marrëveshje interesimi financiar me administratorët dhe pronarët, ose janë kursimtarë e klientë të bankave. Ata e dinë se çdo ngritje e pagës në ndërmarrje ose çdo mospranim i përballimit solidar të pasojave financiare të krizës mund të mos prekte pagën, por gjithsesi do të prekte kësisoj rentabilitetin financiar të aksioneve të tyre, do të rrënonte edhe më keq akoma gjendjen e arkës financiare të ndërmarrjes së tyre, si edhe do të ulte tej mase, edhe më shumë, interesat financiare të llogarive të tyre bankare.
- Çdo kërkesë e pamatur ose tension brenda ndërmarrjes, çdo bllokim i punës brenda institucionit apo operatorit ekonomik ku janë të punësuar do ta dobësonte këtë të fundit në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar dhe për pasojë do të sillte falimentimin e tij. Pra, do të binte si bumerang mbi supet dhe kokën e vetë punonjësve të revoltuar e të dalë në greva të fuqishme për të mbrojtur në të drejtë të tyre interesat e veta ekonomike.
- Bllokimi i aktivitetit ekonomik ndërmjet protestave në rrugë apo në ndërmarrje do të sillte për pasojë edhe një përkeqësim të gjithë sistemit të pagesave, pagimit të kontributeve, vjeljes së taksave etj. Në këtë mënyrë do ta pësonte edhe sistemi i shërbimeve parësore, pra spitalet, azilet, shkollat, pra e gjithë jeta sociale.
- Ideja se kriza erdhi nga jashtë, pra nga dështime të operatorëve të huaj financiarë, ka ndihmuar gjithashtu psikologjikisht që tensionet kolektive të mos ngrihen. Aktorët e brendshëm duken si “fajtorë pa faj”.
Një gjë është e sigurt. Popujt e kulturuar këtë radhë kanë reaguar ndryshe nga më parë lidhur me shqetësimet financiare dhe ekonomike që po kalon bota e sotme. Vendin e flamujve që valëviten nëpër rrugë e ka zënë një durim dhe një përqendrim më i fuqishëm në punë, një përmbajtje, një ethe imagjinatash të reja nga ana e menaxherëve për të rivënë në funksionim të gjitha mekanizmat, të gjitha energjitë, për të dalë nga kriza sa më shpejt.
Vështirë se e kundërshton dot njeri këtë.
Me politikën problemet janë të tjera: Pyetja bazë mbetet: Përse qytetari është kaq larg vendimmarrjes politike si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal?
Por, ky problem është gjykuar se kërkon përqasje krejt tjetër, jo atë të përballjes fizike në rrugë.
Përndryshe, diçka është fare e sigurt.
Të gjithë do të humbisnin në këtë botë, e cila nuk mund të administrohet me parafytyrime që na vijnë nga shekulli i kaluar.