SHBA; Hakersat e bandës shqiptaro-ruse, vjedhje në kartat e kreditit
Një bandë shqiptaro-ruse akuzohet për vjedhjen e mijëra kartave të kreditit në SHBA dhe në Zelandën e Re. Lajmi publikohet nga gazeta “The Herrald” dhe i referohet një hetimi bankar. Vjedhja është konstatuar fillimisht në makineritë e pagesave në qendër të Auklend të Zelandës së Re. Hetimi është kryer nga “Westpac Bank” me ndihmën e këshillit të qytetit të Auklendit. Banda shqiptaro-ruse përdorte adresa të ndryshme të internetit për të maskuar identitetin. Mijëra njerëz janë ankuar për vjedhjen e kartave të tyre të kreditit që përdoren në mënyrë false në supermarkete. Mendohet se në këtë vjedhje janë përfshirë 100 mijë karta krediti. Gazeta shkruan se bandat ruse e të Evropës Lindore dominojnë krimet me mashtrime kompjuterike. Ata shpesh drejtohen nga ish-agjentë të KGB-së që rekrutojnë hakersa të rinj, për të vjedhur karta krediti dhe llogari bankare.