Kurban Bajrami; Traditat në Shqipëri
Festa e Kurban Bajramit njihet ndryshe dhe si festa e sakrificës, për arsye se profeti Ibrahim bëri kurban djalin e tij. Sipas kalendarit mysliman, Kurban Bajrami fillon me faljen në xhami në mëngjes, më pas vazhdon me kurbanin dhe vazhdon më tej me vizita tek familjarët, të afërmit, miqtë dhe shokët.
Me qindra besimtarë myslimanë u mblodhën përpara xhamisë së Ethem Beut në sheshin “Skënderbej”, në kryeqytet për të marrë pjesë në ceremoninë e ditës së Kurban Bajramit. Nën drejtimin e udhëheqësve fetarë, të cilët thanë lutjet e rastit dhe praninë e Komunitet Mysliman, është zhvilluar falja e namazit për këtë festë të rëndësishme.
“Uroj që ky vit dhe ata në vazhdim të na sjellin mbarësi, begati në familje dhe me të gjithë vëllezërit dhe motrat myslimane”, - thotë Florenc Hysenaj, që ishte pjesëmarrës në faljen e mëngjesit. Për të Kurban Bajrami është festa më e madhe e fesë myslimane, në të cilën bëhen vizita tek të afërmit dhe falje në emër të Allahut.
“Sot është dita që ndahet pjesa dhe u jepet jetimëve dhe të varfërve, prandaj dhe quhet Kurban Bajrami”, - shprehet Namire Leba, e cila pas lutjes po priste për të marrë një “pjesë” nga xhamia e Ethem Beut. Në ditën e Bajramit bëhet thirrje për paqe dhe bashkëpunim, sepse vetëm këto sjellin lumturi dhe zhvillim. Gjithashtu, kjo ditë simbolizon flijimin dhe mposhtjen e së keqes nga e mira. Ndërkohë, festime janë ndier në të gjithë Shqipërinë, ku besimtarët myslimanë shqiptarë u janë drejtuar në mëngjes xhamive për të kryer faljen dhe më pas kanë festuar me familjet dhe të afërmit e tyre. Po ashtu, në Kosovë dhe shqiptarët në Maqedoni kanë festuar.
Festa e Kurban Bajramit njihet ndryshe dhe si festa e sakrificës, për arsye se profeti Ibrahim bëri kurban djalin e tij. Sipas kalendarit mysliman, Kurban Bajrami fillon me faljen në xhami në mëngjes, më pas vazhdon me kurbanin dhe vazhdon më tej me vizita tek familjarët, të afërmit, miqtë dhe shokët.
Sipas Kuranit, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për vetë familjen.
Myslimanët në gjithë botën kanë festuar ditën e Kurban Bajramit, e cila njihet si dita e sakrificës që shënon edhe fundin e pelegrinazhit të Haxhit në qytetin e shenjtë të Mekës. Me namazin e mëngjesit e pastaj edhe me namazin e Bajramit fillon festimi treditor, në të cilin respektin ndaj Allahut, myslimanët e shprehin me therje të kurbanit.
Berisha
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një vizitë në Myftininë e Pogradecit me rastin e ditës së Kurban Bajramit, nga ku u përcolli të gjithë besimtarëve myslimanë urimet për festën. “Shfrytëzoj rastin për të shprehur dhe për të përcjellë urimet më të përzemërta të besimtarëve myslimanë të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë, por dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë. U uroj gëzuar këtë ditë, ditën e nderimit, të përkushtimit sublim të sakrificës më sublime, për besimin tek Zoti, tek familja, tek shoqëria. Asgjë nuk ka ndërtuar dhe nuk ndërton njeriu, të gjitha mrekullitë e tij, të gjitha arritjet e tij janë të bazuara në sakrificën e tij të ndershme, në djersën, në mundin, në dhimbjen, në përkushtimin, ndaj ne nderojmë sot këtë ditë më mirë se kurrë. Kurban Bajrami na gjen ne anëtarë të NATO-s. Kurban Bajrami na gjen ne një komb të votuar nga 27 vende të Evropës për t’u bashkuar në gjirin e tyre, na gjen në fund të liberalizmit të plotë të vizave. Le të urojmë të gjithë së bashku që Kurban Bajrami i ardhshëm të na gjejë me ëndrra të tjera të realizuara”, - deklaroi Berisha.
Topalli
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, uroi dje të gjithë besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit. Kryetarja e Kuvendit bëri një vizitë në Medresenë e Tiranës, ku u prit nga kryetari i Komunitetit mysliman, Haxhi Selim Muça. “Sot është një ditë e shenjtë. Zoti ka shënuar këtë ditë si një ditë në të cilën nuk mjaftojnë vetëm fjalë të mira dhe mendime të mira, por është një ditë që të kemi vepra të mira dhe gjeste të mira. Kjo ditë, si çdo ditë, është një filozofi e veçantë ku shoqëria ka nevojë të mendojë thellë për të pasur jo vetëm fjalë, por vepra të mira”, - tha kryetarja e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit bëri urimet e saj për më shumë shëndet e harmoni në familjet e të gjithë shqiptarëve, jetë sa më të lumtur e të gjatë dhe që viti që vjen t’i gjejë të gjithë me më shumë mbarësi e paqe.