E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritë në humnerë Drita Çomo, drama e jetës vjen në film dokumentar

Me skenar të Petrit Rukës dhe Namik Ajazit dokumentari synon rikthimin e  vëmendjes në dramën e një brezi të tër렠 
Dokumentari Dritë në humnerë, i cili kushtohej Dita Çomos u shfaq dje në mbrëmje në kinema Millenium në Tiranë, me skenar të Petrit Rukës dhe Namik Ajazit. Nëpërmjet jetës dhe vuajtjes së vajzës së re të persekutuar, që u diagnostikua me kancer, synohet rikthimi i vëmendjes në dramën e një brezi të tërë. Gjatë kohës që ajo rendte nga Cërriku për në spitalin Onkologjik në Tiranë, mes zymtësisë që rrethonte këtë mjedis, shkruante në ditarin dhe në poezitë e saj, mendimet për njerëzit dhe jetën e lirë. Në dokumentar u shfaqën dhe aspekte nga jeta e Liri Belishovës, një nga përfaqësueset kryesore të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe bashkëshortit, Maqo Çomo, ish-ministër, i cili u burgos nga 1965 deri në 1990. E kemi titulluar Dritë në humnerë, duke ruajtur pak a shumë edhe titullin e librit që është botuar nga një ditar të poezive të saj. Për këtë film është punuar rreth tetë muaj, që nga ideja që patëm për ta realizuar. Ngacmimi ka qenë pikërisht libri që Drita Çomos iu botua pas vdekjes, një ditar i ndjerë , një histori e ndjeshme, si shumë histori të tjera të ngjashme, u shpreh për gazetën skenaristi dhe producenti i dokumentarit Namik Ajazi.Më tej ai duke folur rreth historisë së dokumentarit rrëfen dhe mbi jetën e poetes Drita Çomo. Ajo ishte vajza e Liri Belishovës dhe dihet përfundimi politik i saj, pasi në vitin 1961, për shkak të ideve të saj ndryshe nga Hoxha dhe nga regjimi apo pjesa tjetër e udhëheqjes, pasi ajo mendonte për një hapje dhe për një pozicionim ndryshe në politikën shqiptare, duke e braktisur atë sistemin stalinist që ishte përdorur deri atëherë, duke përqafuar ato lloj reformash që Hrushovi filloi të praktikonte në vitet 60. Kjo tezë e saj nuk u pranua dhe dihet pak a shumë rruga që u ndoq dhe për pasojë, Liri Belishova dhe e gjithë familja e saj, i shoqi Maqo Çomo asokohe ministër i bujqësisë, filluan rrugën e gjatë të kalvarit. Drita ishte vetëm dy vjeçe kur u larguan nga Tirana. U nisën fillimisht në drejtim të Guranxisë, një vend të largët në jug, ku Maqo Çomo u çua si drejtor ferme dhe më pas u arrestua. Ndërsa Liri Belishova filloi rrugën e gjatë të internimit, në Progonat e më pas, në Cërrik ku qëndroi deri në fund të viteve 89 , dhe në vitet 90-91 është larguar nga Cërriku,shprehet producenti Ajazi. I pyetur mbi detajet që kishte përdorur për këtë dokumentar ai u përgjigj se: Kemi marrë jetën e kësaj vajze. Pra filmi fillon që nga mosha 2 vjeçe e saj, ku është e detyruar të largohet së bashku me familjen e saj. U largua nga Tirana, nga shoqet, nga prindërit pasi atje ku i çuan, i vëllai ishte vetëm 4 vjeç dhe ajo 2 vjeçe nuk mund të përballonin kushtet e tmerrshme të internimit, në zona të thella. Kështu që i çuan ata të jetonin te dajallarët, fillimisht në Lezhë, ku ishte i transferuar njëri nga vëllezërit e Lirisë, Agron Belishova, mjek i cili gjithashtu u fut në burg për agjitacion e propogandë dhe më pas ajo shkoi te daja tjetër në Elbasan, Fiqiri Belishova. Këtu mundën të bashkoheshin me të ëmën, pasi i ati filloi rrugën e burgjeve, në 71 kur e ëma u transferua në Cërrik. Dhe këtu është pikërisht edhe pjesa më e gjatë e jetës së të ndjerës Drita Çomo. Më tej duke folur mbi realizmin dokumentarit skenaristi Ajazi tregon dhe se ka pyetur dhe shumë mikesha të saj, për jetën e saj në atë kohë. Ajo regjistrohet në shkollë, ku ka rezultate të shkëlqyera pra është një nxënëse shumë e mirë e cila shkruan mjaft bukur.. Di tre gjuhë të huaja, është e dashur me të gjithë dhe të gjithë e duan edhe pse është e bija e armikes dhe shumëkush u thotë që të mos rrinë me të. Ajo ka shumë shoqe që unë i kam vënë në film me shumë kujdes, që nga Rajmonda Bulku e me radhë. Ato kanë treguar fragmente nga historia e tyre dhe më pas janë trajtuar problemet e shkollës që nuk iu dha mundësia të merrte diplomën e shollës së mesme, pasi fakti që ishte në spital nuk bëri dot muajin e punës prodhuese dhe kjo e pengoi për të hyrë në provimet e lirimit, për të vijuar më pas kalvarin e periudhës së spitaleve, pasi ekzaminua me kancer,  kurimet, rrezeve. Të gjithë në spitale e donin, kishte shkruar shumë poezi për miqtë, për djemtë e vegjël e të rinjtë që humbin jetën nga kjo sëmundje. Kishte një shpirt të mrekullueshëm. Dhe e gjithë kjo është futur në film, në një mënyrë poetike, duke iu shmangur kështu linjës tradicionale së filmit dokumentar. Pra le të them se ky është një film kronologjik, por kronologjik artistik. Pasi edhe ajo në poezitë e veta i këndon dashurisë, prindërve, trishtimit të saj, pohon Ajazi. Drita Çomo u lind më 1958 dhe në moshën 2-vjeçare u internua. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës ajo e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës, më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundmi e internuan në Cërrik, ku mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të sëmundjes së pashërueshme si dhe keqdashjes politike, u pengua në mbrojtjen e maturës.  Sëmundja avancoi dhe më 19 shkurt 1981, në moshë 23-vjeçare ajo u nda nga jeta në spitalin Onkologjik të Tiranës. Në momentet më tragjike të ditëve të fundit të jetës, asaj nuk i'u lejua të kishte pranë nënën, ndaj deri në momentin e fundit të vdekjes, mbeti e vetme. Filmi dokumentar vjen si një realizim mes "Media Vision" dhe TVSH, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe Shoqatës Në Dobi të Gruas Shqiptare. Filmi dokumentar ishte 39 minuta, ndërkohë që producenti Namik Ajazi ka në dorë dhe një projekt tjetër për të cilin rrëfen se në qendër të tij do të jenë problemet e emigrantëve shqiptarë botë.
 
**************************************Ata që do të vinë, të mos pyesin përse jetuam.
Jetuam, që ata mos jetojnë si ne
Që ata të kenë ëndrra të lira
 si deti
Të mos  e njohin ngushtësinë makabre të qelive.
Që ata ta duan diellin dhe njëri-tjetrin
...
Që ata ta dinë se çdo të thotë Dhembje
D.Çomo (4-5.VIII.77)

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 08:54

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›