E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabandisti i naftës nga Mali i zi, Edi Rama, Enver Hoxha dhe NATO

Nga Bejdo MALO
Malazezi Pjetër Nikolla, nga Tuzi ka ardhur në Tiranë prej katër ditësh për të kremtuar dy ngjarje tepër të rëndësishme të jetës së tij. Të merrte pjesë në festimet madhështore që zhvilloheshin në Tiranë për hyrjen në NATO dhe së dyti të bënte homazh dhe të çonte një tufë me lule në varrin e diktatorit Enver Hoxha më datën 11 prill 2009, ditën që diktatori kishte mbyllur sytë pas vuajtjes 40- vjeçare nga sëmundja e sheqerit. Së pari sapo po mbërriti në Tiranë mori peng një prej grosistëve më të dëgjuar të karburanteve shqiptare. NATO për Pjetrin ishte bash si nëna e tij aq e shtrenjtë. Të mos ishte NATO- thotë ai me shqipen e çalë si të këngëtares Gjyste Vulaj, unë do të kisha mbetur i varfër përjetësisht. Jam boss vetëm në sajë të NATO-s. Ai na tregon një fotografi të një shtëpie të vjetër. Kjo ka qenë shtëpia ime në vitin 1992. Na tregon një shtëpi pesë katëshe  me pesë ballkone dhe me pesë banja që të merreshin mentë. Kjo është shtëpia ime pas  mbarimit të ndërhyrjes së NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë. Zoti ma kishte ruajtur   kuletën e argjendtë në xhepin e NATO-s, tregon më tej ai. Shtëpia ime që nuk kishte parë asnjëherë ditë të bardhë, të vetmen gjë të shenjtë që kishte ishte një kornizë e bukur me fotografinë e Enver Hoxhës. Dëgjoja si i marrë për 20 vjet bëmat e komandantit dhe e adhuroja. E mbaja fotografinë e tij si hajmali. Por në 1994 ndodhi çudia. Shtëpia ime ndodhej shumë afër liqenit të Shkodrës në krahun veri-perëndimor të rrjedhës së lumit Buna. E vetmja rrugë që të çonte në liqen, ishte në tokën teme, shton ai me qesëndi. Një natë dëgjoja ca zhurma dhe vërtetë u tremba. Thashë- Ç ndodh kështu hej burrë erdhën tanket e NATO-s në murin e shtëpisë teme. -Unë e di që NATO ka hyrë në Bosnjë Hercegovinë. Ngrihem në brekushe së bashku me gruan dhe me nanën teme kur çtë shikojmë. Një autobot i madh i ngarkuar me naftë po kalonte rrëzë murit të  shtëpisë. Sa zbardhi dita, pashë që po shkonin dy maune të tjera. U konsultova me nanën teme. Më tha që: Të vendosim një tel si postbllok dhe çdo makinë që të kalojë të na dorëzojë 30 dollarë. Ndryshe nuk i lemë të kalojnë autobotet e naftës. Kështu fillova biznesin. Të mos kishte ardhur NATO në Bosnjë, varfëria ime do të ishte e përjetshme.  Në fund të vitit 1994, për një kalim merrnim nga 100 dollarë dhe punonim me tre turne.  Paradite gruaja, pasdite unë dhe natën nana. Kishim frikë mos na vrisnin dhe këtë rrisk e mori nana meqë ishte 80 vjeç. Bëmë biznes sa deshëm. Me ato fitime jetojmë që tash prej  15 vjetësh dhe kemi të jetojmë dhe një jetë tjetër. Dhe ju thoni: Pse erdha unë të festoj.
-Do festoj sa të ngopem. Grosisti i karburanteve tregon se jam shumë mik me Pjetrin, pasi më bëri favor. Më merrte 50 dollarë për maune dhe jo 100 dollarë sa të tjerëve. Në fillim,- tregon ai: Kur më thanë shoferët e mauneve se duheshin 50 dollarë për të paguar telin me gjemba të Pjetrit, nuk lashë sharje pa u bërë. Kë mashtroni ju more kopukë, mua doni të më vidhni?. Por  shoferët më hipën në maune dhe më çuan tek vendi i ngjarjes, shtëpia e Pjetrit. Negociova dhe fitova. Ditën e festimit të Pjetrit në hyrje të Bankës së Shqipërisë pashë dhe Liken, lypsarin e lagjes sime që po brohoriste për NATO-n. Po ky i marrë çtë ketë, thashë. Ditë e bekuar më tha. Ditë gëzimi dhe hareje dhe kam fituar mirë. 20 euro mi hodhi dhe ky malazezi. Njerëzit janë bujarë në të tilla festa të mëdha. Po ky i thashë për grosistin e naftës të hodhi ndonjë bakshish? Jo u hodh sakaq grosisti. Jemi në krizë, kam ardhur të sajdis mikun dhe jo të festoj me lypsarët. Në Tribunë kishte dalë Edi Rama dhe Pjetri u pre. Çke i thashë,- që u preve kështu pse tu mek goja dhe tu nxi surrati? Pse nuk do të dalë Sali Berisha?. Unë për atë kam ardhur. Jo i thashë. Festa e PD për hyrjen në NATO është nesër sepse nesër vjen delegacioni. Jemi që jemi tha grosisti dëgjojmë këta këngëtarët se  nuk ka çtë thotë Edi për NATON. Të majtët e kanë pranuar me gojën e Majkos që janë kundra NATO-s.   Pjetri mezi ra dakord se e ngatërroi mbiemri Majko. Pasi e vërejti me vëmendje nja një-  dy minuta, Edi Ramën, Pjetri tha: O zot, ky paska hijen dhe qenka njësoj si fantazma e qoftëlargut, Enverit. Ashtu i lëvizka dhe buzët. Meqë po dëgjoj këtë nuk po shkoj fare në varrezat e Sharrës. Pasi e kqyri dhe nja tre minuta të tjera ai tha se: I ngjaka shumë, në shumë gjera. Mos u çudit o Pjetër Kapedani, i thashë se nuk i ngjan vetëm ky bablok. I ngjajnë të tërë këta që janë sot në politikë. E kanë kopjuar dhe gratë e politikës dhe jo vetëm burrat. Jo mor jo tha- Pjetri, ska pse të mundohem tjetër herë unë, po si tja bëj se nuk më dalin stacionet televizive shqiptare në Tuz. E ke shumë të lehtë, i thashë. Bli një kartë dixhitale dhe nëse e bën abonimin e plotë shikon dhe fantazmën e Enverit në fytyrat e politikave të sotëm dhe Big-Brother se si është realisht sot ky vend dhe Supersport dhe shumë e shumë gjera të tjera. Pasi e sqaruam me hollësi u bind dhe  bleu jo vetëm kartë dixhitale, por dhe një televizor HD. Por ajo që na e prishi tërë këtë mbrëmje ishte takimi i Pjetrit me ish-prefektin e Shkodrës, i cili ishte mik i ngushtë i tij prej shumë e shumë vitesh. U ulëm në kafe me ish-prefektin, me Pjetrin dhe grosistin e naftës. Pjetri e filloi bisedën përsëri me Edi Ramën. Sa i ngjante komandantit. -Atë mos ma zër në gojë, tha ish-prefekti. Pse, i tha i çuditur Pjetri. Ti më ke thanë se e ke mik për ditë të zëzë. E kam patur, por nuk e kam më. Nuk është burë ai. Ish-prefekti tregoi se u ula me Edin Ramën në kafe dhe shtatë herë desha ti filloj një bisedë, shtatë herë nuk munda. Sa filloja unë tak i binte telefoni, çohej ikte nja 100 metra e kthehej. Sa ulej i vinte një mesazh. Sa filloja unë më thoshte dale të lexoj mesazhin dhe ti kthej përgjigje.
Kështu shtatë herë u mata, shtatë herë u zhgënjeva. Pjetri e dëgjoi, u mendua pak dhe tha.
Tani e kuptova pse nuk e qëlluan Edi Ramën në Tropojë. Gratë, sipas zakoneve të  malësisë as nuk ndiqen nga shtëpia dhe as nuk qëllohen me pushkë. Jo o Pjetër jo, i thamë njëzëri të gjithë na tavolinë, e ke gabim. Kur themi ne që nuk është burrë, themi për atë që nuk mban fjalën dhe besën dhe jo për atë që është ashtu tjetër. Tani më bëtë lëmsh fare, tha Pjetër Nikolla. Nga viti 1994 e deri më sot qenka ngatërruar shumë keq Tirana. Për tjetër gjë erdha dhe të tjera çudi po shikoj. -Mos u lëkund o burrë, i tha ish-prefekti. I fusim një darkë me peshk dhe ti themi të tëra që nga përjetësia e Skënder Gjinushit dhe Gramos Ruçit e deri tek shëmbëllimet e fundit të fantazmës së diktatorit në fytyrat moderne të politikanëve të sotëm. Sa e vështirë qenka të jepka shpirt djalli. Tu shfaqka si lugat dhe ditën e festës së madhe të NATO-s.  Për ta mbyllur tërë këtë histori, tregova dhe unë të hershme për ti mbushur mendjen Pjetrit se çfarë kemi hequr. Profesori i taktikës, Hazbi Çela që kishte studiuar për karabina në Jugosllavi, për topa në Poloni, për diagaçë në BRSS, për raketa në Kinë e filloi një ditë stërvitjen sipas porosive të fundit të KQPPSH dhe të shokut Enver Hoxha. Ishte dhënë urdhër i prerë për hyrjen politike. Toga para pedagogut Hazbi Çela nga Vlora, që kishte dalë partizan që 14 vjeç së bashku me zotin Sabri Godo, kishte 26 veta. Filloi shpjegimin pedagog Hazbiu. Hapi krahët dhe u drejtua nga lindja. Këtej tha do të sulmojnë revizionistët sovjetikë. Këtej, duke u drejtuar nga lindja tititësit jugosllavë (asokohe Maqedonia ishte Jugosllavi). Këtej, duke u drejtuar nga Jugu, monarkofashistët grekë.- Këtej, duke u drejtuar nga jug perëndimi, Imperialistët amerikane me aeroplanmbajtëse që ankorohen në Mesdhe. Këtej, duke u drejtuar nga perëndimi fashistët italianë. E pa që si mbeti asnjë pëllëmbë ajër dhe tokë pa armiq  dhe e mbylli. Këtej nga ka mbetur kjo hapësirë e vogël, duke treguar veri-perëndimin nga kishte ardhur dhe Pjetri  Bëjini m.....  

Last Updated on Thursday, 09 April 2009 09:52

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›