KRRTRSH miraton sheshin dhe lejen e ndërtimit për ngritjen e spitalit “Higea hospital sh.a”, në Fushë Mëzezë, Tiranë, me vlerë mbi 40 milionë euro
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi sot vendimin për leje ndërtimi, për ndërtimin e spitalit “ Higea hospital sh.a”, në Fushë Mëzezë, Tiranë, në anë të autostradës Tiranë - Durrës, pranë kryqëzimit rrugor Kamëz.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar projektin e paraqitur nga specialistët e kompanisë ndërtuese si dhe angazhimin e tyre për të plotësuar të gjitha detyrimet ligjore, vlerësoi se investimi për këtë spital është shumë i rëndësishëm dhe shumë i dobishëm në fushën e shëndetësisë.
Ky spital do të shtrihet në një sipërfaqe 17. 212 metër katror dhe në të do të vendosen të gjitha ambjentet dhe shërbimet e duhura mjekësore të specializuara. Investimi për ngritjen e këtij spitali kap shifrën mbi 40 milionë euro.