KRRTRSH miraton legalizimin e 31 zonave informale në vend
- Kryeministri Berisha: ALUIZNI, dialog konstruktiv me qeverisjen vendore për legalizimin e zonave informale brenda qyteteve, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji
KRRTRSH-ja miratoi sot legalizimin e 31 zonave informale, të propozuara nga Agjencia për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave Informale (ALUIZNI).
Këto zona informale përfshijnë territore administrative të qarkut të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës dhe Elbasanit. Sipërfaqja e përgjithshme e tyre është 3149 ha, në të cilën gjenden 23.091 ndërtime dhe 320 ha sipërfaqe ndërtimi. Nga procesi i legalizimit në këto zona përfitojnë rreth 15 mijë familje.
Kryeministri Berisha falënderoi drejtuesit dhe ekspertët e ALUIZNI-t për punën e bërë dhe ritmin e lartë në përballimin e një volumi të jashtëzakonshmëm pune. Kryeministri kërkoi që në procesin e legalizimit të zonave informale brenda qytetit të vendoset një dialog konstruktiv me autoritet e qeverisjes vendore, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji.
“Falënderoj Agjencinë për punën vërtetë të shkëlqyer që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, pas konstituimit të qeverisjeve vendore. Përgëzoj drejtuesit e kësaj agjencie, punonjësit e saj, për ritmet realisht të shpejta dhe përballimin e një volumi të jashtëzakonshëm pune. Në procesin e legalizmeve të zonave informale brenda qytetit, duhet të keni një dialog konstruktiv me autoritet vendore, në mënyrë që të zbatohet me rigorozitet ligji dhe t’u jepet përgjigje problemeve që dalin”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri kërkoi të tregohej kujdes në legalizimin e ndërtimeve mbi zonat arkeologjike dhe historike, duke theksuar se “nuk duhet të ketë asnjë legalizim në këto zona.”
Duke shprehur vlerësimet për ecurinë e deritanishme të procesit, Kryeministri u shpreh gjithashtu për nevojën e riprofilizimit të personelit të ALUIZNI-t, në mënyrë që të përballohen profile të reja pune që dalin para Agjencisë, pas fazës së studimit dhe përpunimit të dokumentacionit.