E Diel, 1 Nëntor 2026

KRRTRSH miraton studimet urbanistike për sheshe ndërtimi për disa fabrika çimentoje, investime me vlerë rreth 1 miliard euro

Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, u mblodh sot Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH), i cili miratoi disa studime urbanistike për sheshe ndërtimi për fabrika çimentoje. KRRTRSH miratoi:

-       “Shesh ndërtimi për fabrikë çimento, me investitor General Cemend Albania, në komunën Balldre, qarku Lezhë”;

-       “Studim  urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Fabrika e Çimentos-Drojë”, në Mamurras, qarku Lezhë”;

-       “Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për fabrikë çimento, në komunën Bushat, qarku Shkodër”;

-       “Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Kompleks industrial për prodhimin e çimentos dhe tullave të lehtësuara në Fushë – Krujë dhe Nikël, me investitor GENER2”.

Kryeministri Berisha i vlerësoi shumë të rëndësishme studimet urbanistike për sheshe ndërtimi për fabrikat e çimentos, investime me vlerë rreth 1 miliardë euro.

“Sot, janë një seri çështjesh në rendin e ditës të kësaj mbledhje, ndër të cilat janë edhe sheshet e ndërtimit për fabrika çimentoje, me një investim rreth 1 miliardë euro. Shqipëria është një vend me nevoja në rritje shumë të shpejtë për çimento dhe materiale ndërtimi. Një infrastrukturë e tërë është për t’u ndërtuar, janë për t’u ndërtuar edhe qindra hidrocentrale, vepra të shumta vaditje, mijëra kilometra rrugë dhe vepra arti në çdo kilometër. Në këtë kontekst, nevojat e vendit për çimento janë shumë të mëdha. Ndaj, janë shumë të mirëpritura investimet në industrinë e çimentos dhe industrinë e materialeve të ndërtimit në tërësi”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri theksoi se një kriter themelor për këto investime është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit.

“Ka një kriter themelor, - tha Kryeministri - që është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Meqenëse grupe dhe organizata të shoqërisë civile që merren me problemet e mjedisit kanë shprehur shqetësime për potencialin e mundshëm ndotës të kësaj industrie, ne do t’i miratojmë këto sheshe, por kushti për ndërtimin e tyre dhe për kapacitetet e tyre do të përcaktohet nga rezultati i studimit të efektit kumulativ  të saj, e cila shtrihet nga Fushë Kruja në Bushat. Dihet që kodrat bazike të Shqipërisë përbëjnë një material të klasit të parë dhe gurët e tyre gëlqerorë përbëjnë një material të cilësisë të parë për çimento, por do të qartësojmë se cili është efekti kumulativ i tyre në hapësirën e këtij territori. Gjithashtu, do të përcaktohen shumë qartë teknologjitë që do të përdorën, si dhe të gjithë faktorët më të cilët kjo industri ndikon në mjedis.”

Studimi, - vijoi Kryeministri, - duhet të jetë transparent dhe duhet të jetë objekt i një diskutimi të hapur me grupet e interesit, duke përmendur si një shembull pozitiv në këtë drejtim rastin e TEC-it në Vlorë, ku u nënshkruan një marrëveshje me përfaqësuesit e tyre. 

“Ky TEC prodhon ndotje sa 500 vetura Mercedez Benz. Pra, ndotja e tij është dy herë më e ulët, sesa ajo që parashikohet në standardet europiane. Unë jam i bindur se është vepruar drejt dhe po kështu do të veprohet edhe me industrinë e çimentos, një industri jetike për vendin tonë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

 

Gjithashtu, KRRTRSH-ja miratoi edhe një seri detyrash projektimi për planin e përgjithshëm rregullues të disa qyteteve të vendit dhe disa studime urbanistike për zonat turistike.


21/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›