Kryeministri Berisha: Kriter bazë për zhvillimin e zonave turistike do të jetë zhvillimi i integruar i tyre
Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e KRRTRSH, se kriter bazë për zhvillimin e zonave turistike do të jetë zhvillimi i integruar i tyre.
“Në mbledhjen e kaluar u miratuan rreth katër zona në Gjirin e Lalzit për zhvillim turistik. Së pari, duhet të jetë kusht themelor që ato të zhvillohen në lartësinë dhe mënyrën e shfrytëzimit të përcaktuar për atë zonë që është jo më e lartë se 3 kate dhe në përqindjen e përcaktuar. Së dyti, që është po kaq e rëndësishme, do të jetë vetëm zhvillim i integruar i tyre edhe sikur të jetë tërësisht pronë e një individi. Çdo gjë që vjen këtu dhe që miratohet nga Sekretaria Teknike dhe KRRTRSH-ja do mund të zhvillohet më tej veçse si një investim dhe një zhvillim i integruar. Duhet të zhvillojmë këtë sens në interesin më të mirë të çdo pronari, të çdo individi dhe vendit në tërësi. Ne kemi një shans unik në mbarë Evropën, pasi kemi një vijë bregdetare të paprekur në pothuajse 93-94 për qind të gjatësisë së saj. Do të ishte e pafalshme të ripërsërisnim Durrësin, që ka qenë një ndër plazhet më të bukura të Evropës dhe tani është katandisur në një situatë shumë të rëndë nga ana urbanistike. Nuk mund të them se nuk është dëmtuar edhe Golemi, ndonëse jo në atë shkallë, por pjesa tek Shkëmbi i Kavajës ka dëmtime të thella. Kjo histori nuk do të përsëritet më. Parcelat që miratohen këtu për zhvillim do të zhvillohen në tërësi dhe jo ndryshe. Është pasuri individuale, por turizmi është një problem kombëtar i rëndësisë kryesore. Ndaj, sekretaria teknike nuk do të pranojë asnjë ndryshim mbi planin e përcaktuar, asnjë shfrytëzim jashtë shfrytëzimit të integruar të zonës dhe do të përcaktojë qartë standardet e ndërtimit. Është një shans unik që kemi dhe le t’i zhvillojmë këto zona në standardet më të shkëlqyera. Ne e kemi këtë mundësi dhe nuk duhet të udhëhiqemi nga babëzia, por nga parashikimi i qartë i rëndësisë së madhe që ka një zhvillim i harmonishëm, jashtë betonizimit, të prirë nga fitimi i madh dhe dëmtimi i parikthyeshëm i mjedisit,” u shpreh Kryeministri.
21/07/2009