Kryeministri Berisha: Përcaktuese në të gjitha vendimmarrjet e ardhshme do jenë kriteret për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit

Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e radhës së KRRTRSH-së se përcaktuese në të gjitha vendimmarrjet e ardhshme do të jenë kriteret për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit dhe jo anti-globalizmi që shfaqin grupe të caktuara.
“Kriteret e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit dhe jo anti-globalizmi do të jenë përcaktuese për të gjitha vendimmarrjet e ardhshme. Edhe një herë dua të denoncoj me forcën më të madhe anti-globalizmin si një transfigurim i doktrinës së vjetër marksiste-leniniste, e cila, fatkeqësisht, në Shqipëri është ngulitur dhe mishëruar në një grup të vogël eksponentësh të së majtës shqiptare, të cilët nuk mbrojnë aspak interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies. Ky është realiteti, ndaj nuk kam ndërmend të përfill dhe as të dëgjoj anti-globalizmin e tyre, sepse ai, në vetvete, është një armik i mjedisit. Ju e keni të qartë se për kë është fjala. Të nesërmen e mbledhjes së javës së kaluar të KRRTRSH-së, zotëria doli dhe në mënyrën më të papërgjegjshme u deklaroi shqiptarëve se TEC-e me qymyr nuk ndërtohen më kurrkund në Evropë, ndonëse ato janë në rikthim të fuqishëm. Po ndërtohen tre të tillë në Itali, tre në Gjermani dhe për ironi të fatit, ditën që ai deklaronte se këto TEC-e nuk ndërtohen më askund në Evropë, nga Banka Botërore u vendos të ndërtohet një nga TEC-et më të mëdhenj në rajonin e Kosovës. Unë e përshëndes këtë vendim. TEC-e të tillë po ndërtohen në Çeki dhe në Holandë, në vendet ku kryefjala e të gjitha politikave është mbrojtja e mjedisit. Kjo është dhe arsyeja se përse unë nuk dëgjoj zërin e anti-globalistëve, sepse e bazojnë tërësisht në mashtrim. Sa serioze është t’u dalësh dhe t’u deklarosh qytetarëve të tu se në Evropë nuk ndërtohen më TEC-e me qymyr, kur janë në ndërtim e sipër me dhjetëra të tillë? Cila është përgjegjësia ndaj zhvillimit të vendit? Ky është vetëm anti-globalizëm. U detyrova të bëj këtë ekspoze, sepse jam i bindur që nesër me fabrikat e çimentos do të lidhet edhe njohja apo mosnjohja e zgjedhjeve. Kështu e bëri edhe më mbledhjen e mëparshme, ku doli dhe tha se me këto termocentrale nuk i njoh zgjedhjet”, u shpreh Kryeministri Berisha.
21/07/2009