E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS shqyrton raportin e Ki Moon për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin e radhës të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon për zhvillimet në Kosovë.
Në raport, sekretari Ban, ndër të tjera, thekson kërkesën e autoriteteve të Kosovës për përfundimin e misionit të UNMIK-ut, por shton se, megjithatë, ka vazhduar bashkëpunimi praktik i përfaqësuesve të misionit ndërkombëtar të OKB-së dhe Qeverisë së Kosovës.
Ban Ki-moon në raport po ashtu ka vlerësuar se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, prej 10 marsit e deri më 31 maj të këtij viti, edhe më tutje është relativisht e qetë, por ka theksuar disa incidente në veri të Kosovës, që janë shqetësim.
Ai gjithashtu fton bashkësitë dhe qeveritë në Prishtinë e Beograd, që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, në mënyrë që tensionet të zvogëlohen në minimum dhe që në mënyrë të qetë të arrihet zgjidhje.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova do të përfaqësohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i cili pritet t'i paraqesë qëndrimet lidhur me raportin dhe përparimin i cili është arritur në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë dhe posaçërisht në tre muajt e fundit.
Në këtë mbledhje do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›