KSHH, mbështet avokatin e popullit, policia u shpejtua

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut kanë dalë në mbrojtje të avokatit të popullit, pas padisë së ngritur nga policia e Shkodrës për këtë institucion. Të dy organizmat i kritikojne veprimet e policisë si të nxituara dhe të pamatura, pasi sipas ligjit avokati i popullit ka të drejtë të kërkojë shpjegime për rastin e policisë së Shkodrës, ku sipas tyre u konstatuan shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Duke vijuar me deklaratën për shtyp, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut i kanë kërkuar Policisë së Shtetit qe ti japë fund sjelljeve që cënojnë respektimin e ligjit dhe të drejtave të shtetasve. Madje, sipas tyre policia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet arbitrare ku, siç thuhet në deklarate një 20 vjeçar është dhunuar në komisariatin e Shkodrës në një kohë që ishte thjesht i shoqëruar. Komiteti Shqiptar i Helsinkit e ka mbyllur reagimin e vet të ashpër për policinë shqiptare dhe në veçanti asaj të Shkodrës, me kërkesën që policët duhet të pajisen me njohurinë e nevojshme në lidhje me rolin e avokatit të popullit dhe organizatave monitoruese mbi punën e policisë.