E Diel, 1 Nëntor 2026

KShH: Të krijohen kushte të përshtatshme për zgjedhje të lira e të ndershme

TIRANE - Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim për situatën parazgjedhore në vend. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, KShH konsideron se, në disa raste, nuk po zbatohen ligjet për funksionimin e organeve zgjedhore dhe përgatitjen e procesit elektoral.

“Ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare, të gjithëpranuara, në disa raste nuk po respektohen, ndërkohë që Kuvendi ( shumica e tij) nuk mori në konsideratë sugjerimet dashamirëse, që lidhen me mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, të adresuara nga institucionet ndërkombëtare mike. Nga ana tjetër mjetet e përdorura, por dhe terminologjia e artikuluar nga disa punonjës të shtetit dhe në veçanti nga disa funksionarë të klasës politike, për të realizuar qëllimet e tyre politike, kanë kapërcyer standardet kushtetuese dhe në disa raste, etikën qytetare dhe atë që duhet të manifestojë një përfaqësues i shtetit.”- nënvizon KShH-ja.

Sipas Komitetit të Helsinkit, kjo situatë ka shqetësuar zgjedhësit, të cilët e kanë ndarë këtë shqetësim edhe me organizatat e shoqërisë civile, që kanë marrë përsipër të monitorojnë përgatitjen e procesit zgjedhor.

"Ne konstatojmë me shqetësim lëkundjen e besimit, tek disa shtetas, lidhur me zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm. Politizimi i tepërt i situatës parazgjedhore dhe menaxhimi i procesit përgatitor të zgjedhjeve, jo gjithmonë në përputhje me ligjin e standardet ndërkombëtare, kanë bërë që interesi ndaj zgjedhësve të bjerë dhe detyrimet ndaj tyre të mos realizohen",- thuhet në njoftim për mediat.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim edhe “për mangësitë e vërejtura lidhur me përgatitjen dhe saktësimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim në banesat e tyre, për krijimin e kushteve dhe një atmosfere të qetë, me qëllim që çdo zgjedhës të ushtrojë të drejtën kushtetuese të votës, pa u ndjerë në vështirësi, nën presion ose i frikësuar.”

“Dita e votimit është dita e manifestimit dhe e ushtrimit të sovranitetit drejtpërsëdrejti nga populli. Në këtë ditë zgjedhësit janë aktorët kryesorë prandaj kujdesi dhe vëmendja duhet të përqendrohet tek ata. Kushdo që kryen veprime për ta cenuar procesin zgjedhor, ose për të anashkaluar zgjedhësit në këtë proces, cenon drejtpërsëdrejti aspektin demokratik të qeverisjes së vendit dhe thelbin e shoqërisë sonë demokratike. “- përfundon deklarata e KShH-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›