KURUM sjell çelikun sizmik
Dr. Zeki Kaya, ju jeni kryetar i bordit të KURUM Intl. që ka realizuar tashmë një investim 16 milionë euro për të filluar në Shqipëri prodhimin e çelikut sizmik. çfarë të rejash do të sjellë KURUM Sizmik në treg?
Zeki Kaya: KURUM Sizmik është një produkt i ri i markës “Made in Albania” që KURUM i shton portofolit të tij, në kuadër të nevojës së tregut për një cilësi më të lartë dhe në përgjigje të perspektivës zhvillimore të këtij rajoni mesdhetar, i cili është përgjithësisht vulnerabël nga pikëpamja sizmike. Sigurisht, koha dhe vetëdija e tregut janë sot në atë shkallë që të përthithin dhe mbështesin një investim cilësor si ky që ne kemi kryer.
Për të qenë më pranë tregut shqiptar ne po përthithim në këtë proces edhe kontributin e stafeve akademike inxhinierike të universiteteve më të mira të vendit, ndërsa kemi nënshkruar me Universitetin Politeknik dhe atë EPOKA memorandume bashkëpunimi. Kjo qasje do t’i japë këtij produkti me të vërtetë të gjitha tiparet e markës “Made in Albania”.
KURUM Sizmik pararend një proces tërësor të rritjes ekonomike të vendit, në kuadër të elementeve të sigurisë së jetës dhe të një niveli të ri të teknologjive të ndërtimit. Ashtu si janë modernizuar materialet e jashtme të ndërtimit, është e arsyeshme që për shkaqe po aq thelbësore të zhvillohen cilësisht edhe materialet bazë, pa të cilat një ndërtim – publik apo privat, nuk mund të ofrojë siguri dhe jetëgjatësi. KURUM Sizmik e ofron këtë garanci. Ne po sjellim në Tiranë përvojën më të mirë turke në marrjen e masave parandaluese, në mënyrë që njerëzit të jetojnë në ndërtesa të sigurta. Ky është detyrimi së pari moral i prodhuesve të materialeve të ndërtimit dhe i ndërtuesve.
Dr.Kaya, në ç’fazë jeni me këtë proces të ri prodhimi?
Zeki Kaya: Ne kemi punuar në heshtje deri tani për të ngritur një kapacitet të ri prodhues në Uzinën e çeliqeve në Elbasan. 16 milionë euro janë shpenzuar për instalimin e një pajisjeje të re petëzimi, që shërben për prodhimin e KURUM Sizmik. Tani po merremi me ngritjen e laboratorit, i cili do të kryejë matjen e parametrave kimikë dhe fizikë të produktit.
KURUM Sizmik është realisht një produkt novator në treg. Jo vetëm për faktin se ai përballon 3 milion xhiro në minutë në provën teknike të qëndrueshmërisë, më se 30% më i fortë se çeliqet ekzistuese. KURUM Sizmik është një risi, sepse gjatë lëkundjeve sizmike, shufra e çelikut nuk thyhet dhe nuk shkëputet nga konstruksioni, por njehsohet me të dhe në këtë mënyrë goditja e tërmetit përballohet më mirë.
Sa parashikoni të jetë prodhimi i çelikut KURUM Sizmik?
Zeki Kaya: KURUM International do të prodhojë 1500 tonë çelik sizmik në ditë dhe gjysma e kësaj sasie mund të absorbohet nga tregu i brendshëm, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e destinuar për eksport, në tregjet e rajonit (Maqedoni, Kosovë, Serbi, Mali i Zi, Hungari dhe Kroaci), ndërsa synohen dhe tregjet e Italisë dhe të Spanjës. Prodhimi vjetor do të arrijë minimalisht në 200 mijë tonë. Pritshmëritë e kompanisë janë që të furnizojë 60% të tregut të brendshëm me këtë produkt, çmimi i të cilit do të jetë i përafërt me atë të çelikut normal.
Shqipëria konsumon rreth 300 mijë tonë çelik në vit ( e përkthyer në shifra janë rreth 200 milionë euro), gjysma e të cilit vjen nga importi. Një shtim i konsumit të prodhimit të brendshëm do të mundësonte që 100 milionë euro të mbeteshin në Shqipëri dhe të mos dilnin jashtë në formën e financimit të importeve.
KURUM si investitor i huaj me peshë, sa mbështetje ka gjetur në tregun shqiptar, përfshi vendimmarrjen politike në vend?
Zeki Kaya: Me një teknologji dhe standard ndërkombëtar të padiskutueshëm, ky produkt mund të hyjë krenarisht në çdo treg. Synimi ynë, megjithatë, mbetet rritja e cilësisë së materialeve të ndërtimit në Shqipëri dhe rajon, pa lënë pas dore tregjet në BE.
Insistoj ta them se kudo që të shkojë, KURUM Sizmik do paraqitet si produkt “Made in Albania”. është në interesin e vetë institucioneve shtetërore që të realizojnë përmes produkteve të kësaj marke testin e tyre në lidhje me integrimin europian të vendit.
Shqipëria do të hyjë në Europë jo vetëm kur qytetarët e saj të mos presin në radhë për viza, por edhe kur produktet e saj të përfitojnë ato të drejta që u janë njohur me marrëveshje dy e shumëpalëshe. KURUM Sizmik është një mundësi më shumë për qeverinë shqiptare që të testojë dhe zbatojë në praktikë ato të drejta që i janë njohur vendit në hapësirën europiane. Reciprociteti në marrëdhëniet tregtare është një shans që Shqipëria mund ta aplikojë atëherë kur ka produktet e saj.
Këto produkte janë të rëndësishme, sepse i japin vendit punë dhe zhvillim, ato janë shprehja e fuqisë së një ekonomie kombëtare për të përthithur investime të huaja dhe për t’i shndërruar ato në burim progresi ekonomik e social.
Sigurisht, ne mirëpresim mbështetjen e qeverisë për të gjithë prodhuesit që i japin këtij vendi shpresat për një bilanc tregtar pozitiv në të ardhmen e afërt dhe që i shtojnë ekonomisë vendase avantazhet konkurruese për zhvillim sektorial.
Unë do të mirëprisja që qeveria shqiptare të parashikonte që në të gjitha veprat publike të favorizohet përdorimi i produktit vendas, kur ai respekton dhe mbështetet mbi standardet ndërkombëtare. Kjo i bën mirë vendit, kjo ruan shpejtësinë e rritjes së ekonomisë kombëtare.
A mendoni z.Kaya se kjo do të cenonte konkurrencën e lirë në tregje?
Zeki Kaya: Shumë vende të tjera, ekonomikisht të lira dhe të lulëzuara, e kanë këtë favorizim për produktet kombëtare në lidhje me punët publike. Qeveria në Francë bën të njëjtën gjë – sa për një shembull. Të gjitha qeveritë në botë përfshi Kinën, Rusinë dhe SHBA kanë marrë masa për të frenuar invazionin e produkteve të huaja në tregjet e tyre në kushtet e krizës globale. Ne thjesht po kërkojmë përkrahjen e prodhimeve të vendit. Kaq pak.
Le të flasim realisht të vërtetën: Ne nuk jemi në kohë normale dhe nuk jemi në kushte normale konkurrence. Cilësia e furnizimit me energji këtu nuk është e njëjtë me atë në Serbi. Kostoja e krahut të punës në Shqipëri nuk është e njëjtë me atë në Kinë.
Kur flasim për konkurrencë, e kemi fjalën për konkurrencë në nivelin makroekonomik. Porti i Durrësit është një pishinë e vogël, krahasuar me infrastrukturën portuale japoneze p.sh. Unë nuk mund të sjell një anije 100 mijë tonëshe këtu. Si mund të konkurroj me kompanitë japoneze, që kanë anije 200 mijë tonëshe për të eksportuar?!
Unë mendoj se qeveria mund të favorizonte operatorët – qofshin tenderues të veprave publike, apo ofertues koncensionarë – kur ata parashikojnë shfrytëzimin e produktit kombëtar në investimet e tyre. Kjo bashkëlidh më mirë mjedisin e brendshëm, kjo prodhon kohezion social dhe i jep një frymë kombëtare përgjigjes që të gjithë ne po punojmë për t’i dhënë krizës.
KURUM ka besim të plotë se standardet tona të cilësisë, sjellja në treg dhe etika e biznesit kanë shënuar tashmë një praktikë të re të mirë, që mund të zgjerohet dhe përsoset, duke u ndarë mes sa më shumë palëve, që aspirojnë zhvillimin e këtij vendi drejt një standardi të ri dhe të përparuar.
#