KUVAJT / Rrëzohen disa avionë ushtarakë amerikanë, nuk dihen shkaqet

Disa avionë luftarakë amerikanë janë rrëzuar në Kuvajt, por të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë mbijetuar, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kuvajtit.
Zëdhënësi i ministrisë nuk dha detaje mbi shkakun e rrëzimeve, as numrin e saktë të avionëve të përfshirë apo llojin e tyre. Ushtria amerikane, e cila ka rreth 13,500 trupa të dislokuara në këtë shtet të vogël të Gjirit, ende nuk ka bërë një reagim zyrtar.
Sipas autoriteteve kuvajtiane, ekipi i shpëtimit ka gjetur anëtarët e ekuipazhit dhe i ka transportuar në spital, ku ata janë në gjendje të qëndrueshme. Aktualisht po zhvillohet një hetim i përbashkët mes forcave të sigurisë të Kuvajtit dhe trupave amerikane të stacionuara në vend. Ende nuk dihet nëse rrëzimet janë shkaktuar nga një aksident apo një sulm me raketa.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë video që pretendojnë të tregojnë pamje nga incidenti. Disa pamje tregojnë një avion luftarak duke u rrotulluar në ajër para se të përplaset në flakë, ndërsa të tjera shfaqin banorë duke ndihmuar një pilot të supozuar amerikan pas hedhjes me parashutë.
Incidenti ka ndodhur disa kilometra larg bazës ajrore “Ali al-Salem”, ku dyshimet janë se mjeti ajror mund të ketë qenë një “F-15” ose një “F/A-18”. Të dy këto tipe avionësh përdoren edhe nga forcat e armatosura të Kuvajtit.
Në një zhvillim tjetër, dëshmitarët kanë raportuar se është parë tym duke dalë pranë ambasadës amerikane në Kuvajt. Nuk është bërë e ditur ende shkaku i zjarrit, por ambasada kishte paralajmëruar më herët për një kërcënim të vazhdueshëm nga raketat dhe dronët. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin zonën dhe të qëndrojnë vigjilentë. Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore ka interceptuar disa dronë “armiqësorë” që iu afruan vendit nga deti, ndërsa situata e sigurisë është cilësuar si “e qëndrueshme”.
Kuvajti, si dhe shtetet e tjera të Gjirit, është përballur me sulme të shumta pas vrasjes së udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, ku objektivat kanë përfshirë edhe bazat ushtarake amerikane në rajon.