E Diel, 1 Nëntor 2026

KVV: KQZ po funksionon e limituar. Drejtësia nuk po reagon ndaj incidenteve zgjedhore

votim-plaka160Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë paraqiti raportin e tretë paraprak për zgjedhjet e 23 qershorit.

Në raport thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të funksionojë në mënyrë të kufizuar, ndërsa u bëhet thirrje partive që të plotësojnë këtë komision.

Vëzhguesit vendorë thonë se KQZ po operon me udhëzimet e marra nga KQZ e vitit 2009, por vetë ajo funksiononte duke përdorur kodin e vjetër zgjedhor.

Ngërçi i krijuar në KQZ ende nuk u zgjidh dhe KQZ vijon të funksionojë vetëm me 4 anëtarë, çka e limiton aftësinë për vendimmarrje. KQZ, gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të funksionojë normalisht, por ka shmangur vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ka shumë akte që kërkojnë domosdoshmërisht pjesëmarrjen e të paktën 5 anëtarëve të KQZ-së, thuhet në raportin e KVV-së.

Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, fushata elektorale është dominuar kryesisht nga figurat e dy liderëve të partive kryesore, duke anashkaluar programet politike.

Fushata është dominuar nga figurat e dy liderëve kryesorë dhe pak hapësirë iu është lënë kandidatëve apo kryetarëve të partive lokale. Është personalizuar dhe është sjellë e gjithë fushata rreth dy liderëve të partive kryesore politike. Ndoshta edhe për këtë arsye edhe tonet në distancë ndaj këtyre dy liderëve janë ashpërsuar. Fushata është drejtuar shpesh në sulme personale dhe jo se çfarë kanë ndërmend të bëjnë për qytetarin, theksohet në raport.

Në raportin e KVV-së theksohet se gjatë fushatës zgjedhore nuk kanë munguar as incidentet elektorale, si sulme ndaj zyrave zgjedhore, kërcënime apo sulme fizike ndaj kandidatëve të partive të caktuara. KVV bën të ditur se ka evidentuar raste të përdorimit të administratës në fushatën zgjedhore.

Ajo çka është shqetësuese është se ka pasur shumë pak reagim nga zyrtarët që akuzoheshin nga mediat se po abuzonin me fushatën. Reagimi i institucioneve të drejtësisë ka qenë pothuajse inekzistent, thekson KVV.

Udhëzimi për kasetat e partive në media është një udhëzim që ndikon në profesionalizmin dhe paanshmërinë e mediave, sidomos të atyre që kanë pamundësi për të ndjekur fushatën, thuhet në raport./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›