E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka ardhur koha për të biseduar me Talebanët, jo me Al-Kaedën

20-01-2012 / Nga Stephen Hadley dhe John Podesta (Foreign Polic

Gjatë dy viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë bërë hapa gjigantë në Afganistan. Ushtria amerikane ka ndërmarrë një fushatë shkatërruese kundër Al Kaedës dhe bashkëpunëtorëve të saj, si dhe anëtarëve të grupeve talebane në Afganistan dhe Pakistan. Ky presion ushtarak i ka bërë amerikanët më të sigurt - Osama bin Laden dhe dhjetëra  liderë të tjerë të lartë të Al Kaedës kanë vdekur dhe qeverisë afgane i është dhënë hapësira e duhur  për të ringritur forcat e saj të sigurisë dhe institucionet e saj qeverisëse.
Politika e SHBA-ve tani është duke hyrë në një fazë të re dhe komplekse të këtij konflikti, ku përpjekjet diplomatike në mbështetje të një strategjie të fuqishme politike për Afganistanin dhe rajonin do të jenë edhe më të domosdoshme. Kjo përpjekje nuk duhet të kthehet në një lojë politike në sezonin e ardhshëm zgjedhor - ajo ka nevojë për mbështetje të fuqishme dypartiake këtu në vend.
Udhëheqësit politikë të SHBA-ve, demokratët dhe republikanët si dhe komandantët tanë ushtarakë, kanë argumentuar vazhdimisht që konflikti në Afganistan nuk do të përfundojë vetëm nëpërmjet mjeteve ushtarake. Eliminimi i strehave të  Al Kaedës  dhe vendosja afat-gjatë e paqes dhe e sigurisë në Afganistan dhe në rajon – objektiva këto kyçe të sigurisë kombëtare të SHBA-ve – do të  arriheshin më së miri nga një marrëveshje e gjerë dhe e qëndrueshme politike që do të forconte shtetin afgan në mënyrë që të mund të marrë përgjegjësi më të mëdha për sa i përket çështjeve të sigurisë së vendit dhe sfidave ekonomike.
Kjo  marrëveshje e gjerë politike duhet të përfshijë të gjitha elementet e shoqërisë afgane - grupet e opozitës, minoritetet etnike dhe fetare, gratë dhe shoqërinë civile. Aktualisht shumë nga këto grupe janë të përjashtuara nga qeveria në Kabul, të cilën ata me të drejtë  e shohin si të mbyllur, të korruptuar dhe të papërgjegjshme.
Përpjekjet për të arritur një zgjidhje (marrëveshje) duhet të përfshijnë një qasje të caktuar ndaj elementëve talebane që janë të gatshëm të heqin dorë nga lufta dhe të bëhet pjesë e procesit politik. Një qasje e tillë nuk do të thotë  - siç kanë sugjeruar disa – një "dorëzim" tek armiqtë e Amerikës. Përkundrazi, të bindësh luftëtarët të lënë kryengritjet dhe të hyjnë në procesin politik është një sinjal që tregon përpjekjet e suksesshme kundër kryengritjeve.
Vendimi nga përfaqësuesit e talebanëve për të hapur një zyrë politike në Katar, paraqet një fillim të rëndësishëm të përpjekjeve të tilla diplomatike. Presidenti afgan Hamid Karzai fillimisht e kundërshtoi hapjen e kësaj zyre të re politike. Vendimi i Karzait më pas për të mbështetur bisedimet me talebanët në një “loya jarga” tradicionale (asamble të madhe) ishte një tjetër hap në drejtimin e duhur.
Ne nuk jemi të verbër ndaj kurtheve të mundshme që mund të ngrihen gjatë  rrugës diplomatike. Së pari, grupet talebane përfaqësojnë një lëvizje të decentralizuar me shumë zëra dhe në shumë grupe - disa prej të cilave mund të jenë të hapura për bisedime, ndërsa disa  të tjera mund të mos pajtohen me to. Në një fazë të parë të bisedimeve  diplomatike është bërë një testim për të kuptuar se cilët nga përfaqësuesit talebanë kanë autoritetin për të folur për secilin grup të lëvizjes.
Politika afgane ka përpara një tjetër sfidë të rëndësishme. Pas dy proceseve zgjedhore  të “hidhura” dhe mjaft  të diskutueshme për parregullsitë e tyre në Afganistan, marrëdhëniet midis fraksioneve të ndryshme afgane janë të mbushura me tensione për të gjitha çështjet, përfshirë edhe çështjen e bisedimeve diplomatike me talebanët. Shumë përfaqësues të parlamentit të Afganistanit dhe të qeverisë, me të drejtë kanë frikë se negociatat mund të shërbejnë si një derë e pasme që të çon në  rrugën e përjashtimit të fraksioneve të tjera afgane dhe në kthimin e talebanve në pushtet. Askush në Afganistan nuk dëshiron një rezultat të tillë – dhe as në Shtetet e Bashkuara.
Marrëdhëniet e ngurta të qeverisë Karzai me Shtetet e Bashkuara përbëjnë një tjetër pengesë. Ndërsa administrata Obama ka shprehur një irritim dhe zhgënjim të madh ndaj qeverisë së Karzait për shkak të nivelit të saj të lartë të korrupsionit, Presidenti Karzai ka bërë deklarata kritikuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Diskutimet mbi propozimin për të  krijuar një "partneritet strategjik" SHBA-Afganistan  kanë ngecur mbi përdorimin e ushtrisë amerikane në sulmet gjatë natës dhe kontrollin e të burgosurve dhe kjo mosmarrëveshje mund të ketë ndikim edhe në zhvillimin e bisedimeve diplomatike me përfaqësuesit talebanë.
Por marrëveshja mbi partneritetin strategjik është gjithashtu një mundësi për Afganistanin për të pasur një angazhim afatgjatë nga SHBA-të për mbështetje diplomatike, ekonomike, dhe ushtarake - duke përfshirë këtu edhe prezencën e trupave ushtarake amerikane pas vitit 2014 – në Afganistan, në këmbim të angazhimit të qeverisë afgane për të ndjekur reformat e caktuara politike, që adresojnë mungesën e saj të kontrollit dhe të balancës dhe mosndëshkimin. Kjo mund të krijojë një farë besimin tek populli afgan për të mbështetur një marrëveshje të gjerë politike, që është aq e rëndësishme për paqen afatgjate dhe stabilitetin.
Së fundi, është edhe Pakistani, të cilin nuk do të jetë detyrë aspak e lehtë ta hipësh edhe atë në bord. Por që shpërndarja (largimi nga kryengritjet) e talebanëve të jetë e suksesshëm, Pakistani do të duhet të jetë pjesë e këtij procesi. Pakistani ka aftësinë për të sabotuar çdo paqe afatgjate në Afganistan, duke parandaluar kryengritësit të negociojnë me qeverinë afgane dhe duke u siguruar  një strehë të sigurt, armë, trajnim dhe fonde grupeve kryengritëse që mund të dobësohen nga qeveria afgane. Megjithatë nuk është në interes të SHBA-ve dhe as në interes të Pakistanit përshkallëzimi i këtij konflikti. Diplomacia amerikane duhet të testojë synimet e Pakistanit dhe gatishmërinë e tij për të luajtur një rol pozitiv në vendosjen e paqes në Afganistan.
Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton e ka përshkruar strategjinë e SHBA-ve me fjalët; "lufto, bisedo dhe ndërto" - dhe kjo është pikërisht ajo që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë bërë. Trupat e SHBA-ve dhe NATO-s kanë luftuar me trimëri për më shumë se 10 vjet ndërsa diplomatët dhe specialistët e zhvillimit kanë rrezikuar jetën e tyre duke siguruar një mbështetje vendimtare për afganët, që po punojnë për të rindërtuar shoqërinë e tyre. Qëllimi i këtij procesi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje nga të gjitha palët afgane për të hequr dorë nga dhuna, të shkëputen nga al Kaeda dhe të respektojnë kushtetutën afgane - duke përfshirë edhe të drejtat e njeriut si dispozita të sa, sidomos të drejtat e grave dhe të të gjitha grupeve etnike. Tani, pas kaq vitesh diplomaci, është koha për të parë nëse është e mundur të kemi një rezultat të tillë.
Lufta e tanishme në Afganistan po vazhdon për më shumë se një dekadë dhe Afganistani ka 30 vjet që vuan nga konflikte të brendshëm. Mbarimi i  kësaj lufte nuk do të ndodhë brenda natës - disa përfaqësues të talebanëve vazhdojnë të përdorin strategjinë e tyre "lufto e bisedo", siç e kemi parë nga sulmet e fundit ndaj trupave të NATO-s. Por, në Afganistan nuk do të ketë një paqe të qëndrueshme nëse Shtetet e Bashkuara nuk përdorin të gjitha mjetet në dispozicion të tyre - duke përfshirë forcën e plotë të diplomacisë amerikane.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›