E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëzit që u bënë kurban me 20 janar

20-01-2012 / Nga Lavdrim Lita

Sot një vit më parë, kreu i opozitës Edi Rama do të deklaronte (me 20 janar 2011, një ditë para demonstratës vdekjeprurëse të 21 janarit), nga studioja e një interviste televizive se “ky popull mund ta tejkalojë opozitën, mund të mos e dëgjojë opozitën, populli mund të bëjë atë që bën” dhe se “s’mund të kapërcejmë mbi të vdekurit”. Mbi të vdekurit? Ku e dinte Edi Rama se demonstrata e dhunshme në bulevard e një dite më pas do të kishte të vdekur që s’mund të kapërceheshin? Kjo është një pistë interesante hetimi, por çuditërisht organi i akuzës ende pas 12 muajsh sorollatje s’e ka marrë në pyetje ideatorin e demonstratës që përfundoi me 4 panafakë të vdekur, në një tentativë për pushtimin e kryeministrisë. Sigurisht do të ishte interesante të dinim emra dhe mbiemrat e atyre të “grupit të demonstruesve që kishte një agjendë tjetër”, sipas përkufizimit të qartë të Ambasadorit të SHBA-ve, z. Arvizu. I kam parë me sytë e mi nisjen e këtij grupi të rinjsh barbarë, kryesisht të parruar dhe të veshur me tuta sportive, tipike e të fortëve të periferisë, që u nisën nga Galeria e Arteve drejt kangjellave të kryeministrisë me vrap, me gurë në duar në tentativën e nxitjes së turmës për dhunë. Grupi i stërvitur dhe i koordinuar safi për të operacion nuk ia doli dot të ndizte turmën e qetë të qytetarëve me bindje të majta, që u ndalën tek ura dhe Hotel Dajti. Këtej qytetarët, andej dhunuesit vandalë.
Kuptohet vetiu po them shkurt e pastër se turmën e protestuesve të 21 janarit kishte një celulë të sponsorizuar dhe të organizuar qeverinë me dhunë, dhe që zyra e Prokurorisë së Përgjithshme do ta kishte hetuar ngjarjen e plotë, të gjithanshme dhe të pavarur. Duhej me një llaf të zbardhej pse demonstrata u lëshua në mëshirën e ndoca të çakërdisurve të frymëzuar me çdolloj premtimi e përbetimi. Duhej të zbardhej pse degjeneroi protesta në një histeri kolektive kundra ligjit e uniformës blu të policisë. Duhej të zbardhej cilët ishin njerëzit që përgatitën shishet me benzinë molotov, shkopinjtë dhe ristelat jo fort të natyrshme në bulevard, e individët e veçantë me armë, etj.
Për t’ju përgjigjur disa pyetjeve mund të marrim metodën e hershme të romakëve: “cui prodest scelus, is fecit”, domethënë, atij që krimi i sjell të mira, ai është organizatori”. Me një llaf cila ishte shtysa, kujt i interesonte të degjeneronte demonstrata, përse veç e veç 21 janari mori përmasa anti-shtetërore, pse Edi Rama fliste për “tejkalim të opozitës nga populli” dhe fliste për kufoma të pakapërcyeshme, e shumë pyetje të tjera. Natyrisht, nuk i interesonte kryeministrit Berisha të ishte kamikaz i vetes, të humbte pushtetin pas dy fitoresh të lodhshme e të bukura. Afërmendsh është e pamundur të mendosh që Policia e Shtetit të provokonte një ngjarje që do të dilte më pas nga kontrolli, me vdekje dhe prishje të rendit kushtetues. Pra, cui prodest, kujt i interesonte?
Megjithatë ekzistonin individë që ishin të interesuar ta provokonin, të ushtronin dhunë dhe ta merrnin pushtetin me dhunë. Partia Socialiste dhe opozita jo parlamentare kishte drejtpërdrejt interes të shembej sa më parë Sali Berisha dhe ta merrnin pushtetin, qoftë pas një shtinjakërie formale: binte Shteti, qeveria jepte dorëheqjen, një qeveri teknike me forcat kryesore, zgjedhje të reja brenda 3 muajve, etj.  Mirëpo opozitë nuk janë vetëm njerëzit pa pushtet, siç kuptuam më vonë, pasi mjegulla e zezë shkoi dhe në vend të saj hyri drita e diellit, u zbulua fytyra errët e lidhjes së hijeve, që i cilësonte ngjarjet e dhunshme 21 janarit, si “ngjarje bulevardi”.
Mëngjesi i së shtunës, një ditë pas ngjarjeve të 21 janari (2011) ishte një tjetër ditë trishtimi, pasi mësuam se Rama akuzonte Berishën për vrasje, kurse Ina Rama akuzonte 6 gardistë për vrasje: barazimi është i njëjtë i ka vrarë shteti në bashkëpunim me qeverinë. Kjo simetri mendimesh dhe artikulimesh të dy mbiemrave Rama kishte vend për dyshime, ngase atë që bashkëtingëllonte Edi Rama e rezononte kryeprokurorja Ina Rama. E çuditshme por e vërtetë, ajo i nxori fletë-arrestet për komandantët e Gardës së Republikës dhe asnjë fletë-arresti për komandantët e grupit me agjendë tjetër, duke u bërë me dashje ose pa dashje pjesë e klubit të jakobinëve të rinj. Dilema nëse është apo s’është fajtore për vrasjen e tre demonstruesve, Garda e Republikës ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka penguar rënien e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›