E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia neobllokmene e mosmbajtjes së fjalës

20-01-2012 / Nga Luan Myftiu

Të gjithë diktatorët fillojnë duke mos mbajtur fjalën e dhënë. Po kështu dhe gjithë politikanët ambiciozë, mediokër e të paaftë. Ideal i tyre janë zakonisht gënjeshtrat dhe mashtrimet. Kurse neobllokmenët nuk ndahen dot nga teoria se me armikun (imagjinar) nuk mund të ketë  marrëveshje. Madje udhëheqja e saj ka sajuar në kokën e vet edhe një “popull” të paqenë, me të cilin bën kompromise për të justifikuar kështu taktikat e veta nihiliste. Se edhe Enver Hoxha me gënjeshtra e mosmbajtje fjale e nisi veprën e tij terroriste. Madje me kandisjen e popullit që të ngrihej kundër vetë popullit. Ndoshta prandaj klithnin asikohe prokurorët e tij në mbledhjet e popullit se ata nuk do të ndaleshin para asnjë poshtërsie, po t’ua kërkonte këtë partia. Kështu ata shprehnin besnikërínë e tyre ndaj  “qoftëlargut”dhe realizonin strategjinë e gjithë bandës së tij kriminale.  
Kurse neobllokmenët sot kanë ndërruar taktikë. Ata shtiren sikur duan që Shqipëría të hyjë në BE, ngaqë nuk mund dalin dot haptas kundër kësaj aspirate të popullit. Dhe këtë e bëjnë që të ndreqin sadopak imazhin e tyre, të prishur që në vezë. Se, meqë nga pas i ndjekin e djeshmja kriminale dhe e sotmja obskurantiste, tentojnë të tregohen sikur nuk i tremben qytetërímit. Mirëpo dihet që integrimi, në radhë të parë, është transparencë. Dhe  ditët që rrodhën ia zbuluan petët byrekut të tyre. Prandaj, të çoroditur neobllokmenët mohojnë sot ato që premtuan dje. Dhe kjo nuk është vetëm emocionale, pavarësisht se shqiptarët, si europianë që janë, përpiqen ta besojnë se edhe mosmbajtja e fjalës nga ana e Ramës me shokë nuk mund të jetë veçse një lajthitje e përkohshme, emocionale prej dështaku. Mirëpo ka dhe që mendojnë se PS-ja këtë e bën nga halli. Se ku të shkojë e të mbytet, e gjora, me atë thes mëkatesh, bojkotesh e bllokimesh, për të cilat nuk ka kërkuar asnjë falje publike? Në Europë?! Atje ku serioziteti i ligjit do t’u kërkonte llogarí edhe për shumë mëkate e zullume të tjera? Kurse PS vazhdon të mbahet ende krenare madje dhe për atë diktaturë, me të cilën u izolua dhe u mbajt peng për një gjysëm shekulli jeta dhe e ardhmja e shqiptarëve! Dhe kjo vepër kriminale u bë vetëm për të garantuar një pushtet të paligjshëm. Atëherë, si mund ta pranojnë konsensusin pinjojtë që vijnë nga një stan, në të cilin nuk e njihnin mbajtjen e fjalës, marrëveshjen, aq më pak detyrimet kombëtare? Përkundrazi! Për ithtarët e pushtetit të paligjshëm zhvillimi fillonte e mbaronte tek porta e arritjes së synimeve të tyre më meskine. Dhe pikërisht këtë “ideal” banal të etërve të tyre po ngrenë sot lart si flamur liderët e PS-së. Ata po e besojnë edhe vetë këtë utopí mashtruese, madje me verbërínë e atij narcizi, që nuk ngopej së adhuruari veten. Teoría e tyre e civilizimit i ka rrënjët në shkatërrimin e gjithçkaje që i pengon të sundojnë me të padrejtë. Dhe ata, siç thotë Shekspiri, e duan fitimin e padrejtë.  
Prandaj dhe, pasi e penguan për vite integrimin, një ditë të bukur morën pozat e atij që gjoja di edhe të mirëkuptohet. Dhe si ajo dhelpra dinake, që për të mashtruar pulat, shtirej si e nginjur, neobllokmenët ndërruan taktikë, duke iu larguar rrugës së bllokimit e të bojkotit për frenimin e reformave, por pa pranuar që me këtë rrugë destruktive kishin penguar integrimin. Përkundrazi! Ndaj dhe hipokrizia e tyre nuk mund të qëndronte gjatë në këmbë. Megjithatë, të strukur nga frika e ndëshkimit prej elektoratit, neobllokmenët tentojnë ta fshehin synimin e praptë me sofizma. Ndaj shtiren sikur gjoja kërkojnë kohë që reformat t’i bëjnë sa më të përsosura. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, po të mbahet para sysh gjithë përvoja e sjelljeve të tyre gjatë tërë viteve të tranzicionit. Se ja ku po vërtetohet sot që, pikërisht kur shqiptarët, vetëm nga dëshira e mirë për t’i parë të penduar mëkatarët, nisën të besonin në kthesën e tyre, këta të fundit dolën befas e deklaruan se nuk qenkëshin gati, se nuk e paskan studiuar çështjen në “themel”, ndoshta ngaqë nuk kishin siguruar ato kushte, me të cilat të arrinin synimet, që e shohin se nuk mund t’i arrijnë kurrë me një garë të ndershme elektorale. Ndaj duan ta shfrytëzojnë mandatin që u jep populli, për t’i hipur atij në zverk pa program e pa alternativa. Ata jetojnë kështu me shpresën e dhelprës që ndiqte pas dashin, me shpresën se mos këtij babaxhani i binte nga vrapi ndonjë “dardhë”. Shkurt, Rama me klanin e tij, shpresojnë në konsumimin e mazhorancës, në një disfatë të saj aksidentale, ndaj vonojnë proceset e integrimit të vendit për t’i penguar kësaj mashorance vrapin e arritjeve. Por neobllokmenët janë edhe qerosë, edhe fodullë. Duke qenë mediokër, ata besojnë në gjenialitetin e tyre. Ata e adhurojnë paturpësisht veten. Dhe kjo ka për t’i lënë te bishti i urës. Kur populli kërkon ta mallkojë dikë, i thotë: “Të hyftë vetja në qejf!”. Ndoshta edhe Ramës e neobllokmenëve ua ka pushtuar mendjen dashuría për veten, dhe janë mbërthyer në vorbullën e hosanave të sotme të ca mafiozëve, që nuk kanë asnjë lidhje me aspiratat e e PS-së dhe sidomos ato të Shqipërisë. Se, demokracía e vërtetë nuk mund të jetë  “kopaçja e popullit për popullin”. Nuk mund të bëhen marrëveshje të njëanshme me një popull imagjinar, të indoktrinuar, a të korruptuar për të justifikuar kështu bllokimin e integrimit të vendit. Kjo tregon se liderët e PS-së nuk e duan integrimin e vendit në Europë. Dhe s’ka se s’i ta duan këtë integrim ata që kundërshtarin politik e trajtojnë si armik, kurse popullin duan ta manipulojnë për të sabotuar vetë ai aspiratat e tij më të shenjta, siç është integrimi i tij në BE! Ndoshta prandaj deklarojnë se kompromisin e paskan bërë me popullin, të cilin duan ta bëjnë nesër fajtor që nuk u integrua në Europë. Ashtu si vepronte dje dinaku Enver Hoxha me vijën hipokrite të masave!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›