Ka filluar takimi i presidentëve të rajonit në Durrës

Katër presidentët, i Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe i Maqedonisë filluan sot në Durrës takimin e përvitshëm, i pesti me radhë. Presidentët Bujar Nishani, Atifete Jahjaga, Filip Vujonaviç dhe Gjorgji Ivanov po marrin pjesë në këtë takim që filloi rreth orës 10 zhvillohet në hotelin “Adriatik”.
Për dy ditë të zhvillimit të takimit, presidentët do të kenë temë themelore të shqyrtimit “Përqasje për shfrytëzimin praktik të mundësive për bashkëpunim rajonal më efikas”, raporton rtk.
Takimi synon që të gjejë dhe shfrytëzojë më tej fushat me interes të përbashkët që afrojnë forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nxitjen e bashkëpunimit rajonal si dhe udhën drejt integrimeve të plota euroatlantike të të gjithë rajonit të Balkanit Perëndimor.
Të katër shtetet dhe presidentët besojnë se ky bashkëpunim është mekanizëm thelbësor që ndikon pozitivisht në përmbushjen e aspiratës se përbashkët eurointegruese të vendeve fqinje./Indeksonline/