Nis zhdoganimi i mallrave me origjinë nga Maqedonia

Pas heqjes së bllokadave të ndërsjella në mes të Kosovës e Maqedonisë, sot ka filluar të bëhet zhdoganimi i mallrave me origjinë nga Maqedonia, që e kanë destinim vendin tonë. Ndërkohë, edhe prodhuesit e miellit nga Kosova presin të vazhdojnë eksportin drejt Maqedonisë.
Me heqjen e bllokadave ndërmjet Kosovës e Maqedonisë, dje ka mund të verifikohej vetëm lëvizja e lirë e njerëzve e automjeteve drejt Maqedonisë pa paguar asnjë taksë, por jo edhe qarkullimi i mallrave pasi të dielave nuk bëhet zhdoganimi. Kurse, sot zhdoganimi i produkteve me origjinë nga Maqedonia bëhet pa problem, edhe pse ka më shumë dërgesa se zakonisht, tha për Radio Kosovën zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.
“Sot gjendja në terminalin doganor të Hanit të Elezit është e zakonshme, por sidoqoftë ka qarkullim më të madh, edhe ka një numër më të madh të dërgesave të cilat janë duke u futur në terminal, por arsyeja besoj se dihet, arsyeja është për shkak të bllokadës, një pjesë e madhe e dërgesave nuk kanë mundur të futen për zhdoganim, kurse sot kemi një fluks pak më të madh, por nuk mund të themi se është shumë i madh”, tha ai.
Zakonisht brenda një dite bëhet zhdoganimi i rreth 200 dërgesave, kurse sot, për shkak të situatës nëpër të cilën u kalua, pritet të zhdoganohen rreth 300 dërgesa, tha Stavileci. Nga ana tjetër, me arritjen e marrëveshjes, shprehen të kënaqur edhe prodhuesit e miellit në Kosovë, të cilët nga 1 qershori nuk kanë mundur të eksportojnë në Maqedoni. Fadil Hoxha nga prodhuesi kosovar i miellit, M&Sillosi, tha se ende nuk kanë filluar eksportin, pasi që tash pas heqjes së bllokadës presin kërkesa nga partnerët e tyre nga Maqedonia.
“Ne nuk kemi mundur të eksportojmë prej asaj kohe asnjë kilogram miell, ndërkaq që tash jemi në negociata që të vazhdojmë bashkëpunimin me këto kompani”, tha ai.
M&Sillosi brenda një viti eksporton rreth 300 tonë miell në Maqedoni dhe sipas përfaqësuesve të kompanisë, po të mos ishte bllokada, ky eksport do të ishte edhe më i lart./Indeksonline/