Thaçi i “Facebook”-ut: Udha e mbarë Jakup!

Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i kanë ardhur në “majë të hundës” ankesat e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Kreu i Kuvendit që është edhe anëtar i kryesisë së partisë së Thaçit - PDK-së, vazhdimisht poston kritika kundër Qeverisë dhe politikës së tij te profili zyrtar në rrjetin social facebook.
Siç shkruan gazeta Tribuna, Thaçi ka refuzuar gjithmonë t'i komentojë sjelljet e Krasniqit, por në rrjetin social i ka uruar atij udhë të mbarë, duke shpjeguar se “nuk mund ta mbajë me zor në PDK”. Dallimi i vetëm i këtyre postimeve është se profili i Krasniqit në këtë rrjet social është i konfirmuar se menaxhohet nga kryeparlamentari dhe stafi i tij. Profili zyrtar i kryeministrit mohohet se menaxhohet nga ai apo zyra e tij dhe duket të jetë profil i rremë.
“Hashim Thaçi (faqja zyrtare)” është profili që çdo ditë përshëndet ndjekësit në emër të kryeministrit të vendit. Aty përshkruhet Universiteti zviceran ku kryeministri ka kryer studimet dhe disa detaje të tjera, por profili nuk ka shumë ndjekës. Megjithatë, kjo nuk i pengon mbajtësit e profilit që të organizojnë edhe sondazhe duke i pyetur ndjekësit se kush janë të preferuarit e tyre brenda PDK-së për kandidatë komunash./Indeksonline/