“Ka një rrugë të thjeshtë për të gjetur të gjithë të pushkatuarit...”Nga Ben Andoni, MAPOAsgjë nuk është e panjohur. E sidomos në Shqipërinë e dikurshme ku çdo gjë ishte e dokumentuar rreptësisht në hierarki. Gjithsesi, e vërteta, e artikuluar keq dh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Ka një rrugë të thjeshtë për të gjetur të gjithë të pushkatuarit...”Nga Ben Andoni, MAPOAsgjë nuk është e panjohur. E sidomos në Shqipërinë e dikurshme ku çdo gjë ishte e dokumentuar rreptësisht në hierarki. Gjithsesi, e vërteta, e artikuluar keq dhe jo me qëllimin e saj, prej kohësh po bëhet inflamative prej vetë zvetënimit të saj. Njësoj, edhe shashkat që hedhin njerëz të ndryshëm, për të dënuarit dhe pamundësinë e identifikimit të tyre.
Kjo është logjika e Prof. Dr. Sinanit, specialistit të njohur të arkivave shqiptare. Nëse do të ketë vullnet dhe qëllim për t’i shkuar deri në fund punëve, atëherë është shumë e lehtë: kushdo mund të gjejë informacionin e duhur për të pushkatuarit. Në fakt është një logjikë e thjeshtë: Hierarkia politike shqiptare, tepër strikte, e kishte dhe një stacion të fundit. Ai ishte Presidiumi i Kuvendit Popullor, i cili kishte të drejtën e faljes. Të gjashtëmbëdhjetë anëtarët e tij, një pjesë e të cilëve janë gjallë, dhe që kanë pasur në dorë rrugën e fatit të këtyre të gjorëve, mund të dëshmojnë. Dhe, në rast se ata kanë harruar, atëherë specialisti përmend se në të njëjtën kohë ishte funksionale edhe një “drejtori funksionale që merrej me dënimet, faljet, amnistitë; dhe kjo drejtori përgatiste për të gjitha rastet dosje të plota, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Kjo do të kishte qenë rruga më e shkurtër për të krijuar një listë të të gjithë personave të dënuar me vdekje gjatë periudhës 1945-1990”
Rëndom, ashtu si ndodh, specialisti pyetet për argumentin nëse ekziston mundësia e dëmtimit të tyre. Pohon, por në asnjë mënyrë që informacioni të jetë zhdukur. Kjo për arsyen se jo vetëm që ai ka kaluar në disa duar, por ka ekzistuar edhe një strukturë, e cila quhej “Komisioni i Ekspertizës”... “Kjo do të thotë se komisioni i ekspertizës, kur merr një vendim asgjësimi, merr dhe përgjegjësinë për gjithë veprimin që do të ndodhë. Po edhe sikur të supozonim se në vitet 1991 apo 1997 arkivat e MPB mund të jenë cënuar, unë ju pohova, dhe ju siguroj, se gjithë dokumentacioni i rasteve të dënimeve me marrje jete gjendet në arkivin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që është dorëzuar pranë AQSH dhe që pret të këshillohet”. Gjithçka nëse do të ketë vullnet mund të shqyrtohet dhe ca më tepër t’i jepet vendi i duhur...Asgjë nuk është e panjohur.
Profesor, prej ditësh po përflitet historia e zhvarrimit të 19 viktimave, që janë ende të paidentifikuara. A ka qenë e mundur në 20 vitet e ekzistencës së demokracisë që të punohej nga struktura të ndryshme me arkivat për identifikimin e rasteve të tilla?
“Kam bindjen se po. Eshtë e njohur për të gjithë se një prej inkurajimeve më të mëdha për ndryshimin politik në Shqipëri ka qenë zbulimi i krimeve të periudhës totalitare. Në fillimin e viteve 1990 pjesa më e madhe e shqiptarëve besonin se “Mali me Gropa është i mbushur me varre”, se “ari shqiptar është depozituar në banka të huaja” dhe se shumë shpejt këto enigma do të zgjidheshin. Dhe pati një sezon të gjatë zhvarrimesh që dihen. Lajmet e përditshme hapeshin me zhvarrime dhe rivarrime. Koha ka kaluar, por nuk është kurrë vonë, sepse krim të vjetër nuk ka asnjëherë. Nëse dikush zbulon se në themelet e Rozafës gjendet një trup i murosur gruaje, menjëherë mund të fillojë një proces hetimi. Dy dekada që kanë kaluar qysh nga fillimi i kohës postkomuniste duhej t’i kishin dhënë përgjigje pyetjes se cilët kanë qenë të viktimizuarit. Kjo do të kishte qenë kryeshenja e dekomunistizimit të shoqërisë. Jo vetëm që ishte e mundshme, por ka qenë një përgjegjësi. Nuk kanë munguar burimet, por vullneti. Sistemi politik në Shqipëri ka qenë ndërtuar në një mënyrë të tillë që të gjitha vendimet me vdekje që jepeshin prej gjykatave, duke përfshirë dhe ato të formës së prerë, nuk mund të ekzekutoheshin pa kaluar formalisht në Presidiumin e Kuvendit Popullor, i cili ushtronte të drejtën e faljes. Në një farë mënyre Presidiumi ushtronte edhe kompetencën e një gjykate supreme. Kryesia kolektive e shtetit kishte 16 anëtarë, një pjesë e të cilëve janë ende gjallë. Ata kanë votuar pro ose kundër faljes së jetës së të dënuarve me vdekje, emër për emër. Kjo nuk është një gjë që mund të harrohet. Por edhe sikur të kenë harruar, Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte një drejtori funksionale që merrej me dënimet, faljet, amnistitë; dhe kjo drejtori përgatiste për të gjitha rastet dosje të plota, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Kjo do të kishte qenë rruga më e shkurtër për të krijuar një listë të të gjithë personave të dënuar me vdekje gjatë periudhës 1945-1990. Më tej do të ishte vijim logjik kërkimi i vendvarrimit të tyre“.
Ka një përpjekje të politikës që pretendon gjithmonë se arkivat janë të dëmtuara. Si një njohës i mirë i strukturës së arkivave në Shqipëri, a mund të na thoni sa është e mundur kjo teknikisht?
“Zakonisht këtë pretendim e thonë ata që nuk kanë shkelur kurrë në arkiva. Në shërbimin arkivor të Shqipërisë mund të ketë probleme e kufizime, por jo për rregullat e ruajtjes së dokumenteve. Arkivi Qendror Shtetëror është një prej arkivave më “të vetëruajtur” në Europë, sepse mbi 70 për qind e fondeve të tij ruhen në katër-pesë suporte njëherësh: në origjinal, në kopje, mikrofilm, microfilm-dublë, bobinë, xhaketë, xhaketinë. Nuk ka arkiv në Europë që të ketë një gjendje të tillë riprodhimi, që do me thënë dhe sigurie. Për të zhdukur një dokument në AQSH duhet të korruptosh kryekrejet gjithë punonjësit e shërbimit, nga roja deri tek deporuajtësi. Edhe nëse dikush merr guximin e marrë të prekë njërën prej formave të ruajtjes së dokumentit, ai është i ruajtur në shumëfishe suportesh në degë të tjera të shërbimit. Veç kësaj, shërbimi në arkiva është ndërtuar në një mënyrë të tillë që gjithnjë të dihet se kush e ka prekur me dorë i fundit një dokument; gjë që do të thotë se kërkuesi i fundit është juridikisht përgjegjës për fatin e dokumentit të këshilluar. Në rregulloren e shërbimit arkivor kombëtar asnjë kërkim nuk mund të bëhet pa lënë gjurmë, domethënë pa u identifikuar ai që e kërkon dokumentin dhe kush e si e shërben. Përveç disa rasteve shumë të rralla, shërbimi me origjinale është i ndaluar: qytetari ose kërkuesi e merr informacionin në mënyra të tjera, kryesisht me mikrofilma. Këto janë garancira se zhdukje dokumentesh nuk mund të ketë. Por mund të ketë sigurisht shmangie dhe vonim shërbimi: këto varen subjektivisht prej njerëzve që ofrojnë shërbimin“.
Si është operuar në sistemin e shkuar me dokumentimin e rasteve të tilla. A ka dublikate në arkivin e Ministrisë së Brendshme që provojnë këto gjëra dhe nga burime të tjera?
“Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është vetë arkiv qendror. Dokumentet e institucioneve që krijohen në MPB dhe në rrjetin administrativ në varësi të saj ruhen pranë atij arkivi, ku zbatohen të njëjtat rregulla standarde tekniko-administrative si në AQSH. Në Arkivin e MPB gjatë vitit 1997 ka pasur disa dëmtime fizike, për shkak se vendruajtja e tij ndodhej pranë asaj të thesarit, dhe me sa duket pati dhe njerëz që ngatërruan depot. Që të ketë ndodhur një zhdukje e përzgjedhur dokumentesh në atë vit mund të përjashtohet, sepse mund të provohet se të interesuarit shumë shpejt e kuptuan se kishin gabuar dhe i lanë dokumentet jashtë e shkuan gjetiu. Eshtë thënë se në këtë arkiv ka pasur likuidim masiv të dokumenteve në vitin 1991. Nuk ka arkiv që të mos vetëshkarkohet vit pas viti. Por kjo bëhet duke e kaluar gjithë dokumentacionin për vendimmarrje pranë një komisioni të posaçëm, që quhet “komisioni i ekspertizës”, dhe vetëm pasi të jetë dhënë pëlqimi me shkrim i këtij komisioni, në përputhje me afatet normative të ruajtjes që janë të përshkruar në ligj, mund të ketë asgjësim. Edhe në rastin e asgjësimit, listat e dokumenteve që zhduken, me përshkrime të plota të përmbajtjes së tyre, ruhen përgjithnjë. Kjo do të thotë se komisioni i ekspertizës, kur merr një vendim asgjësimi, merr dhe përgjegjësinë për gjithë veprimin që do të ndodhë. Po edhe sikur të supozonim se në vitet 1991 apo 1997 arkivat e MPB mund të jenë cënuar, unë ju pohova, dhe ju siguroj, se gjithë dokumentacioni i rasteve të dënimeve me marrje jete gjendet në arkivin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që është dorëzuar pranë AQSH dhe që pret të këshillohet”.
Sa e prekshme është për publikun, sipas jush, funksionimi në masën e duhur të strukturës së arkivave në një vend si yni?
“Shërbimi arkivor i Shqipërisë është i hapur dhe qytetarët e përfitojnë rregullisht, sepse ose kërkojnë vetë, ose e parapaguajnë me tarifa të njësuara shërbimin nga specialistët. Gjatë viteve që e kam drejtuar këtë shërbim kanë qenë më shumë institucionet ato subjekte që ose e donin shërbimin gratis, ose, më keq, mendonin se arkivat ishin një instrument përdorues i tyre. Nuk e di sa ka ndryshuar kjo gjendje sot”.