E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka pasur një kohë një model botuesi

Në Ditën Botërore të Librit, homazh për 100-vjetor botuesit të '40-ës, Ismail Mal'Osmani.

Dhe një ekspozitë retrospektive e punës së njeriut që botoi Migjenin, Nolin, dhe Lewis Carroll-in. Përpjekjet e një botuesi të vogël shqiptar për të funksionuar me filtra editorie dhe duke respektuar të drejtën e autorit


Ushtrimi i zanatit të botuesit, tani vonë po i jep një leksion përvoje editorisë tek ne. Mësimi ka të bëjë me identifikimin e pasionit, dashurisë dhe zemrës së rreme ndër ata shumë që merren me librin. Së fundi po kuptohet se një zanat jo tipik si ky, para sentimentalizmit kërkon përmbushjen e standardeve profesionale.


A ka pasur tek ne, para se prona e secilit të ishte e të gjithëve dhe pasioni personal të shtypej si të ishte gjë e pamoralshme, një model botuesi profesionist?


Biblioteka Kombëtare kujton më 23 prill një njeri të librit, një botues si ky, me rastin e Ditës Botërore të Librit. Ismail Mal'Osmanit (1910-1983) i kushtohet ceremonia e nesërme në orën 11.00. Në kujtim të 100-vjetorit të botuesit të viteve '40 paraqitet "Ismail Mal'Osmani - Njeriu i Librit" një vepër dokumentare e përgatitur nga Spiro Mëhilli. Përurohet po ashtu, ekspozita me vepra të shtypura nga ky botonjës.


Prej vitit 1943 e deri me shtetëzimin e shtëpisë botue më 1947 ai botoi autorë shqiptarë e të huaj, duke treguar se donte të ishte një botues i vogël por cilësor që kërkonte të funksiononte me filtra editorie dhe duke respektuar të drejtën e autorit.


Veprat që ekspozohen nesër e dëshmojnë këtë: "Problemet shqipëtare" të Mehdi Frashërit, 1944; "Theori e ligjës së ligjavet" të Koço Tasit; "Raca shqiptare. Studim anthropologjik e historik" të Jakov Milaj; "Si duhet t'i rrisim fëmijt t'anë. Këshillat e nji mjeku" nga Ferdinand Bungo; "Libri i gafores për nanat" i Kristian Salzmann-it; "Kur qan e qesh bilbili" i Nonda Bulkës; "Atje, nën hijen e Rozafës" tregime nga Injac Zamputti; "Njeriu që pa vdekjen me sy" i Viktor Eftimiut; "Liza në botën e çudinavet" i Lewis Carroll-it, një Vepër fëminore me 22 fëtyra përkthye shqip prej origjinalit nga Hysejn Çela dhe Beqir Çela, 1944; "Atala" i François Rene de Chateaubriand-it; "Fajtori" roman nga François Coppée; "Çaste dëfrimi t'Ali Pashë Tepelenës" të William Plomer-it; "Princi i lumtur" nga Oscar Wilde-i; "Jeta dhe lundrimet e Kristofor Kolombit" i Gladys M. Imlach shqipëruar nga inglishtja prej Shaban Demirajt; "Armiku i popullit" i Henrik Ibsen-it shqipëruar prej Fan S.Nolit, botim i vitit 1945; "Vjersha" Sejfulla Malëshova pajisur me të dhënë për autorin nga Ymer Dishnica; "Topi me dhjamë" nga Guy De Maupassant përkthyer nga Omer Nishani, botim i vitit 1946.


Janë botime të shtypura në shtypshkronjat "Nikaj", "Dielli", "Tirana", "Gjeka" dhe"Gutenberg". Me këtë të fundit Mal'Osmanin e lidhte një histori e gjatë.


Në vitin 1931, ndër shumë shtypshkronja, Tiranës iu shtua edhe "Gutenbergu" me bashkëpronar Ismail Mal'Osmanin. Këtu shtypeshin revistat "Minerva", "Kalendari enciklopedik", "Jehona", "Jeta dhe kultura", gazetat "Gazeta e Tiranës", "Miku i Popullit", "Shtypi", "Atdheu", fletoret satirike "Purteka", "Nën hijen e Shën Pjetrit.


Nga monografia e Spiro Mëhillit mësojmë për rrugën që ndoqi Mal'Osmani nëpërmjet materialeve që dëshmojnë aktivitetin e tij të shkurtër në 2 vjet e gjysmë. "E madhe ka qenë ndihmesa e tij në vitin 1943 kur hapi shtëpinë botuese me emrin e tij "Ismail Mal'Osmani" na ku dolën me dhjetëra libra me romane, novele, tregime, përralla, po dhe libra historikë, sociologjikë, mjekësorë, publicistikë etj.


Ata mbetën në fondin e artë të botimeve të atyre viteve, ku shumica u konsideruan "libra të verdhë" dhe ne të rinjtë e atyre viteve, i lexonim me pasion dhe i kalonim dorë më dorë", shkruan Mëhilli.


Mal'Osmani njihet si botues i Migjenit para dhe pas vdekjes së poetit, i "Vargjeve të lira" më 1936, për të cilin merrej vesh me vetë autorin. Më 1944 botoi "Vargjet e lira. Kangët e ringjalljes. Kangët e mjerimit. Kangët e perndimit. Kangët e rinis.


Kangët e fundit". Nga një deklaratë e Olga Nikolla Luarasit kuptohet se në ç'mënyrë dinte të punonte ky njeri. Në dokumentin me datë 28. 7. 1947, motra e Migjenit shkruan:


"Un e nënshkruemja, Olga Nikolla deklaroj dhe vërtetoj sa vijon:
Sot, më 28 Korrik 1947, kemi mbyllë llogarinë e botimit të librit Vargje të lira, edit e parë në sasi 3000 copë, të cilën ish botonjësi Mal' Osmani pati mirsinë t'a baj në vitin 1944 krejtësisht për dobi t'onë.


Në kët botim rezultoj për mue: nji e ardhun netto 3.443 fr. Shq. Si dhe 550 copë libra të pa shituna, pasi u hoqën spezat e bame për shtyp pranë shtyp Tirana."


Në faqet e gazetës "Bashkimi i Kombit", 1944, në një fejton me titull "Hosht, autor!", autori me pseudonimin Bufi i Kënetës, shkruan: "Autorllëku, revistallëku dhe gazetarllëku janë parolat e ditës në bash-kasabanë e Arnautistanit. Shkruhen libra e revista, sikur lojet "topkâme" në fushën Shallvares a s'di ç'tjatër lodrë në ferrat e lanës.


Qaheshim dikur për "shterpësi letrare"? - haj tani diaree..." Ky artikull satirik merrte shkas nga një ngjarje jo e zakontë për editorinë shqiptare: në mars të atij viti, Shtëpia Botonjëse Ismail Mal'Osmani kishte refuzuar 31 libra origjinal e përkthime. Ishte koha për cilësi. Këtë mësojmë edhe nga letërkëmbimet e botuesit me intelektualë të cilët i sugjerojnë të krijojë komisione për klasifikimin e dorëshkrimeve, ato që ia vlejnë dhe nuk ia vlejnë të botohen.


Por ka edhe këshilla që vijnë nga një intelektual si Sotir Kolea (ish drejtor i Bibliotekës Kombëtare) që e sugjeron ta mbajë pak dorën teksa e paguan mirë e bukur të drejtën e përkthyesit. Është fjala për pagesën e përkthimit të "Kasollja" e Vincente Blasco Ibanez, përkthim prej spanjishtes i Imzot Fan Nolit.


"Dhe vinj të "Kasollja", shkruan Kolea, "i paske ruajtur priftit të drejtat e përkthimit. Të lumtë, Ismail për çapën që ke hedhur në këtë rrugë nderi. Duke nderuar vehten ke nderuar atdhenë dhe, nga ana tjetër u ke dhënë një gusht të fortë gjithë larokëvet', që s'e dijën të ndajën të vehtën nga e huaja.


Se cubat të pendës dhe të djersës së huaj i kemi shumë në këtë cep të botës, për fatin t'ënë të prapë... I ke ndarë priftit të drejtat të tija; s'ka më mir se akq. Po ç'janë këto të drejta? I huaj i degësë, i shofënj sadopak të shuma, si pak të ngarkuara.


Të jetë vall' kështu apo jam i gënjyer? Mirë që u shitën të 5000 copët që paske shtampuar, po në mos u shitëshin? Si i bëhet punës? A dot të këthenj Fan Noli të drejtat mbi sa do të ten ndër duar të pashitura?"


Tek kjo monografi modeste për nga vëllimi do duhej të përfshiheshin shumë letërkëmbime, të asgjësuara për fat të keq. Hartuesi Spiro Mëhilli shton se një pjesë e tyre u asgjësuan nga frika që mbolli "rendi i ri", ndërsa një pjesë humbën në vite.


Biografi


Ismail Mal'Osmani u lind më 3 janar 1910 në Tiranë në një familje të mesme qytetare. Ai dhe dy vëllezërit e tij, Xhelal dhe Sulejman, ishin fëmijë të Hysenit dhe Zyhrasë. Me hapjen e shtypshkronjës "Mbrothësia" sjellë nga Sofia prej Kristo Luarasit dhe e vendosur në një ndërtesë me tre kate në Rrugën e Kavajës, Ismaili u fut aty ai punëtor i thjeshtë. E tërhoqi zanati i tipografit.


Si mësoi sekretin e shtypit të të librave dhe gazetave, u largua prej aty dhe ngriti në rrugën Dibrës një shtypshkronjë të vogël, me makineri të përdoruar. Në janar të vitit 1932 u formua shoqëria "Gutenberg" me pjesëtarë Ali Ndroqi dhe Ismail Mal'Osmani. Në vitin 1935 shtypshkronja u transferua në rrugën "Bari" dhe u quajt "Gutenberg". Më 1943 ai i shiti bashkëpunëtorit të tij gjysmën e shtypshkronjës dhe vendosi të hapë shtëpinë botuese që mbajti emrin e tij.


Sigla e kësaj shtëpie botuese ishte një vendosje harmonike e tri gërmave IOM dhe në të djathtë të tyre një pishtar. Kuptimi i saj është: Ismail Mal'Osmani përhapës i dijes.
Në faqen e parë, në kopertinë shkruhej: Ismail Mal'Osmani, Botonjës-Tiranë.


Për t'iu dhënë botimeve një hop cilësor mbante pranë një përkthyes, Kristaq Cipon, dhe për t'iu ardhur në ndihmë punëtorëve të tij, mbante në shërbim një mjek.
U dhuronte librave bibliotekave të vogla dhe bënte bamirësi.


Më 1947 shtëpi botuese u shtetëzua dhe ai doli i papunë. Më 1951 u martua me zonjushën Leman Ruga nga Durrësi, e bija e Xhemil Rugës, Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Shqiptar. Më 1956 fillon punë radhitës në gazetën "Zëri i Popullit", ndërsa e shoqja në Ndërmarrjen e Grumbullimit.


Në moshën e pensionit Mal'Osmani u dërgua në Fier dhe Elbasan për të ngritur dy shtypshkronja të cilat bouan gazetat "Drapër e çekan" dhe "Shkumbini". Ishte baba i dy fëmijëve që nuk e patën të drejtën e shkollimit.
Ndërroi jetë më 12 shkurt 1983 në moshën 73-vjeçare.


Në vitin 2000 Bashkia e Tiranës i dha Ismail Mal'Osmanit titullin "Mirënjohje e Qytetit të Tiranës" me motivacionin: "Për vlera të larta qytetare dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës dhe për të cilat qytetarët e saj i shprehin mirënjohjen e tyre".


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›