E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda e cigareve, mbetet në fuqi vendimi i Apelit

VENDIMI
Gjykata e Lartë vendosi dje të mos ndryshojë vendimin për të akuzuarit për kontrabandë të arrestuar në vitin 2004


TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi dje të lërë në fuqi vendimin penal të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet ndaj 19 të pandehurve të dënuar për kontrabandën e cigareve në mars të vitit 2005 nga Mali i Zi në Shqipëri me anë të dy trageteve.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të Gjykatës së Lartë, të cilët saktësuan se pas shqyrtimit të rekursit të 9 të pandehurve të këtij procesi penal, u vendos lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, ku disa nga të pandehurit e kësaj dosjeje u dënuan me burg, për të cilën vuajtën ditët e dënimit dhe disa të tjerë u dënuan me kusht, duke përfituar lirinë.


Mësohet se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda është dhënë më 30 nëntor 2007, duke ndryshuar vetëm disa masa dënimi nga ato të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda më 22 qershor po të vitit 2007.


Sipas vendimit, vetëm 8 të pandehur të kësaj çështjes janë dënuar me burg në total prej 25 vitesh ndërsa 11 të pandehurit e tjerë janë deklaruar fajtorë por janë dhënë dënime me kusht. Janë dënuar të pandehurit Ndoc Gjergji, me 5 vjet burg, Fatmir Zotaj, me 4 vjet burg, Leonard Koka, Skënder Thaçi, Ngushëllim Hyzotaj me nga 3 vjet burg secilin, me 2 vjet e 6 muaj burg për Bilal Koçi, me 3 vjet e 4 muaj Ardian Canin si dhe me 2 vjet e 3 muaj burg për Tahir Hoxhën.


Për të gjithë të pandehurit e tjerë: Elmaz Stroka, Alfred Çoba, Shkëlqim Takaçi, Rexhep Hoxha, Arben Xhixha, Agim Moka, Fran Prenga, Telah Shehu, Naun Ranxha, Pëllumb Aruçi dhe Behar Kasa, gjykata vendosi dënimin e tyre dhe lirimin me kusht.

Sipas gjykatës, sasia e cigareve 8.563 koli; 11 kontenierët, anijet "ENI" dhe "POSEIDON"; magazinat nr.2 dhe 4 në pronësi të Fatmir Zotajt në Shkozet të Durrësit; 10 mijë eurot e gjetura në makinën e të pandehurit Gentian Koçi; të gjithë aparatet telefonikë të të pandehurve dhe disa sende të gjetura në banesën e të pandehurit në kërkim, Ndoc Gjergji t'i kalojnë shtetit.


Sipas vendimit, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role dhe kohë të ndryshme kanë sjellë kontrabandë një sasi të konsiderueshme cigaresh nga Mali i Zi drejt Shqipërisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›