E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ka vetëm një mundësi: Zgjidhje ligjore”

Mesazhi që vjen nga deklarimi i Sekretarit për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami:

“Hetimi i materialeve zgjedhore mund të bëhej pa protesta, pa bllokime rrugësh, pa grevë urie dhe pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Kodi zgjedhor i jep të drejtë kujtdo që të hetojë materialet zgjedhore. Rama nuk do të mund të fitonte asgjë më shumë sesa të hapte kutitë e materialeve zgjedhore që ia kam propozuar prej disa muajsh, konfidencialisht dhe publikisht”.
Kjo është njëra nga periudhat e një shkrimi të z. Kastriot Islami, sekretarit për çështjet Zgjedhore në PS. Kjo është një analizë bindëse, si oponencë që i bëhet kryetearit të tanishëm të PS-së, i cili s’e ka për gjë të ecë, hap pas hapi, kundër ligjit dhe kundër institucioneve ligjore. Por z. Islami i njeh mirë ligjet. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ai kërkon t’i vërë pikat mbi i, në prizmin ligjor. Ai e kupton, shumë më mirë se Rama, se cilat janë interesat e vendit, në respektim të ligjshmërisë sonë. “Kam votuar në mbledhjen e grupit parlamentar kundër grevës së urisë, si një mjet ekstrem i papërshtatshëm e i dëmshëm për vendin dhe për PS-në. Madje, në mënyrë racionale, (greva e urisë) më rezultonte si aspak efikase. Tani që mbaroi greva (zëdhënësit e grevës) kërkojnë ta paraqesin atë si një veprim heroik dhe si një mekanizëm suksesi”. Z. Islami vazhdon të argumentojë se „ky veprim radikal i keqmenduar përbën dështimin e radhës. Ky radikalizim është pjesë e strategjisë së Ramës për zgjedhjet e qershorit. Kjo strategji vazhdon ta dobësojë e ta përçajë PS-në dhe të majtën. Për më tepër, (Edi Rama) po synon të largojë të gjithë ata që mendojnë ndryshe e që gjykojnë racionalisht”.
Veprimi ekstrem i grevës është „me synime të paqarta politike, përmes një beteje politike për pushtet“. Në vend që të veprohet në mënyrë konstruktive në Kuvend, i drejtohet radikalizimit nëpërmjet veprimeve ekstreme. Rama nuk mund të arrinte asgjë duke kërkuar sakrificën e të gjithëve, por duke mos sakrifikuar aspak për vete”.
Sekretari i PS-së për çështjet Zgjedhore mendon dhe shprehet si një i majtë me aspirata europianiste dhe është njëri ndër përfaqësuesit më kompetentë, si njohës i ligjit, të cilin ia kundërvë Edvin Ramës. Duke njohur këtë analizë, lexuesi e kupton më qartësisht rrëshqitjen e Ramës, njeriut që ka ngritur një “kauzë” fiktive, duke e vënë vendin në vështirësi serioze, me veprimet e tij irracionale.
Për qëndrimin e ndërkombëtarëve, K. Islami shprehet se “qëndrimi parimor i tyre është kundër grevës; ata nuk mund të pranojnë në një vend si Shqipëria të arrihen qëllime politike me veprime radikale të tilla”. Dhe vazhdon se “pavarësisht se ç’mund t’u thuhet militantëve nën rrogoz apo në mitingje nga Rama, duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar se asnjë ndërkombëtar nuk ka simpati për këto veprime ekstreme radikale dhe, jo vetëm që nuk i mbështet, por të gjithë, pa përjashtim, i kanë dënuar”. Përmend një ambasador të rëndësishëm (pa e cilësuar me emër) që e përcakton grevën “në kontekstin e luftës për pushtet”, domethënë stigmatizonte vetëm Ramën, se Berisha e kishte pushtetin”.
Autoritarizmi dhe mungesa e transparencës brenda radhëve: “Veprohet sipas mandatit imperativ (detyrues): Kushtetuta përcakton se, me fitimin e mandatit, deputeti nuk është më në duart e votuesve”, - si të thuash, deputeti varet nga ndërgjegjja e tij. “Por, në të vërtetë, - vazhdon pasqyrimin e tij Islami, - “veprohet me vendim partiak”, gjer në konsiderimin si armik të kundërshtarit. Në rastin e grevës “grevistët e familjarët nuk dinin se çfarë do të sillte greva, si dhe kur do të mbyllej dhe me çfarë arsyetimi do të dilej prej saj”. Vazhdojmë më tej: “Vendimi për ta bërë grevën me turne, e bëri atë qesharak”. Analisti është tepër kritik për të “të sëmurëve” në grevë. E quan të pajustifikueshme dhe “të rrezikshme, ndoshta, në ndonjë rast me pasoja të pamirëmenduara për të ardhmen e shëndetit të grevistëve”. Këtu kuptohet se ç’kahe merr drejtimi i kritikës. Se, ndërmjet absurditeteve të shumta të Ramës, është edhe ky, që ka lidhje me këtë subjekt: “Dëmin ta bëj unë, harxhet t’i paguash ti!”.
Ja edhe një pyetje e intervistuesit, që ka një përgjigje të mprehtë:
-Rama ngul këmbë se greva i detyroi përfaqësuesit e lartë të Brukselit të ulnin Ramën dhe Berishën në tavolinë dhe kjo mund të konsiderohet një sukses i grevës. A ka ndodhur kjo?
Kjo quhet nga z. Islami “thjesht si një mashtrim i radhës”. “Sepse - analizon ai, - asnjëherë hapja e kutive të materialeve zgjedhore nuk ka qenë temë tabù, por një standard i legalizuar qartësisht prej 20 vjetësh, në kodin zgjedhor. është një formulim pa asnjë ekuivok, që nuk ka nevojë as për interpretim të Gjykatës Kushtetuese dhe as të Komisionit të Venecies. Madje as për lejen apo tolerancën e Berishës apo për mirëkuptimin e Ramës. Hapjen e kutive të materialeve zgjedhore e kam propozuar publikisht që më 15 shkurt të vitit 2010 (konfidencialisht shumë më parë) dhe mbi këtë bazë miqtë ndërkombëtarë të PS-së janë përpjekur ta bindin së koti Ramën për këtë opsion. Veçse ai jo vetëm që ka qenë kundër, por edhe ka nxitur njerëz pranë tij, që ta konsiderojnë këtë opsion të sponsorizuar nga Berisha. Aktualisht Rama e konsideron hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, si sukses të thyerjes së një teme tabù, ndërkohë që vetëm disa muaj më parë, po të njëjtën gjë e konsideronte të papranueshme. Ky është një dështim i pastër dhe një dështim i plotë. Kjo hapje nuk mund të pengohej as nga Berisha, as nga Rama, përderisa parashikohet qartësisht nga neni 178.6 i Kodit Zgjedhor dhe askush nuk mund ta pengojë”. Shohim, këtu, edhe inkoherencën e njohur të Ramës: ç’thotë sot, thotë të kundërtën, nesër! Arsyetimi vazhdon: “Së pari kauza e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore nuk është kauzë, por një veprim i thjeshtë juridik. Do të ishte një arsye shumë e dobët për të bojkotuar 6 muaj Kuvendin, për të futur në grevë urie deputetë e militantë, për të bllokuar rrugët e vendit dhe për të çuar në manifestime të përditshme punonjësit e administratave publike vendore, ku drejton PS-ja. E vërteta është se “kjo kauzë” e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore , do të ishte realizuar për pesë minuta, duke vajtur në Kuvend vetëm një seancë.
Pyetjes se “si mund të zgjidhej ngërçi politik”, K. Islami i përgjigjet: - Fillimisht duhet të kuptohet se ngërçi politik ka ardhur pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit të 2009-s, për shkak të përplasjes midis qasjes kushtetuese-ligjore me qasjen politiko-morale. Në mënyrë figurative mund të thuhet se treni ka dalë nga shinat e shtetit ligjor dhe prandaj nuk ecën normalisht. Klasa politike shqiptare është angazhuar dhe njëkohësisht asaj i kërkohej që, në kuadër të procese integruese, të ndërtojë shtetin ligjor. Përndryshe treni do të mbetet në vend. Por, edhe po u nis, shumë shpejt do të bllokohet përsëri. Në këtë kuptim zgjidhja e këtij ngërçi politik mund dhe duhet të vijë vetëm në kuadër të respektimit të Kushtetutës, të të gjithë legjislacionit në fuqi dhe të vendimeve të gjykatave.
Tani vijmë te çështja e fletëve të votimit. Këto, me hapjen e kutive të fletëve të votimit, shkatërrohen (nenet 178 dhe 178.6 të Kodit zgjedhor: “nuk ka dhe nuk mund të ketë rinumërim të fletëve të votimit”. Kritikohet slogani “hap kutitë, ose largohu”.
***
Dhamë, kështu, përmes citimeve të njëpasnjëshme dhe duke marrë thelbin e arsyetimeve, të gjithë analizën e sekretarit për çështjet Zgjedhore të PS-së, Kastriot Islamit. Në tryezën e Blendi Fevziut, z. Islami pati rastin të shfaqë hollësisht e në mënyrë të detajuar, më gjerësisht, me fakte, me arsyetime e me shifra, të ashtuquajturën kauzë, në saje të së cilës, ai mundi të mposhtë LMN-në dhe të bllokojë parlamentin gjer në ditët e sotme. Madje, është e freskët ngjarja e hidhur e trazirave në Parlament të Tom Doshit dhe të Erion Braçes, që përdorën fjalë nga më fyerëset dhe më të papërshtatshmet, gjer në ballafaqimin fizik. Panorama atje është e qartë, édhe nëpërmjet filmimeve. Dhe ajo që pamë të gjithë është një dëshmi e taktikës së kryetarit në detyrë për ta diskredituar parlamentin, paçka se thuhet që e njohin këtë institucion dhe nuk mëtojnë ndryshim të shifrave të deputetëve të Parlamentit. Në mitingjet, kokënxehtët anarkistë të pavotuar, alla-Taku, alla- Nardi e të tjerë, nuk përgënjeshtrohen nga Rama. është një tregues se ky është solidar me përçartjen e zhvatjes së pushtetit për kaq e aq ditë! Mungesa e respektit për Parlamentin shfaqet hapur në faktin se në këtë institucion hyet e dilet sipas qejfit, sa për të bërë trysni kapadainjsh. Edhe këto lojëra bëhen vetëm nga ngulmimi i faktorit ndërkombëtar që po e humbiste durimin, sesa nga ndonjë zell i veçantë për respekt të institucioneve.
Fjalët e shumta e të përsëritshme të Ditmir Bushatit për mundësinë e hapjes édhe të kutive të flëtëve të numërimit, binin ndesh me nenin 178.6 të kodit zgjedhor. Dhe Bushati ndihej në vështirësi përkundrejt arsyetimit ligjor të Aldo Bumçit. Bushati, me retorikën e tij të pambështetur në ligj, synonte që të nxirrte “të ligjshme” arbitraritetet e Ramës. Z. Bumçi qartësoi edhe precedentët negativë që do të zinin fill me mosrespektimin e ligjit, që synohet të arrihet nga Rama, i cili s’po bën asnjë orvatje për përmirësimin e këtij Kodi në Komisionin Parlamentar.
Tani jemi shumë afër liberalizimit të vizave. Ndjekësit e Ramës bëjnë sikur janë të interesuar për këtë liberalizim. Por notojnë në rrjedhë të kundërt. Atij dhe populistëve të tij u ka ngecur ora te marrja e pushtetit me dhunë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›