E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenaria që ndjen diaspora, pas vendimit për heqjen e vizave

Shqipëria prej kohësh është në vëmendjen e nderkombëtarëve, të cilët me delegacione të herpashershme po survejojnë Tiranën zyrtare në lidhje me reformat e premtuara dhe të realizuara në vend. Realizimi i këtyre reformave do të thotë automatikisht një vend tashmë të integruar dhe qytetarët e saj të levizin të lirë në hapësirën europiane.
Vendimi i vendeve europiane për aprovimin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë ka ngjallur interes, jo vetëm tek shqiptarët e Shqiperisë, por anembanë e veçmas kjo po transmetohet me një frymë pozitive edhe në Gjermani. Lobimi i vazhdueshëm i strukturave qeveritare, por edhe impenjimi i shqiptarëve kudo në diasporë për të krijuar një imazh të ri, imazh të mirë, imazh pozitiv për Shqipërinë tonë, ka rritur përshtypjet e mira për ingranimin e shqiptarëve në vendet ku jetojnë e punojnë, por edhe krijimin e një klime pozitive për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike e më gjerë të Shqipërisë.
Sot në konferencë për shtyp para gazetarëve kreu i ekzekutivit shqiptar z.Berisha lëshoi jehonën e një lëvizjeje të lirë të popullit të tij. Ai me optimizmin maksimal deklaroi që ëndrra historike e shqiptarëve po i afrohet ditës së saj finale, pasi ka marre garancinë e plotë të strukturave europiane, kompetente për çështjen e liberalizimit të vizave me vendin tonë. Tashmë me plot gojën mund të themi që “Jemi krenarë që jemi shqiptarë”. Në 5 (pese) vitet e fundit, qeveria shqiptare ka arrritur të integrojë jetën e vendit tonë në suazën e familjes së madhe europiane. Ajo po i bën gati shqiptarët drejt bashkimit të madh, të shumëpritur me bashkëqytetarët europianë.
Dikur (para ca vitesh) na dukej një ëndërr dhe sikur notonim në shtratin e këtyre ëndrrave iluzive, e ndërsa sot ëndrra po bëhet realitet. Vendi ynë, Shqipëria jonë, atdheu mëmë mori aprovimin për liberalizimin e vizave.
Por, më lejoni të kujtoj edhe një ves që shumëkujt s’i pëlqen. Kur Shqipëria u bë vend anëtar me të drejta të plota në NATO, mendova përnjëherazi që politika jonë do ishte më efikase se kurrë dhe do e tregonte veten të matur. Mendova që tashmë ata (politikanët) ishin pjekur maksimalisht nga tranzicioni i stërzgjatur, por gabova. Gabova shumë rëndë në gjykimin tim, pasi në të vërtetë me maturi e dinjitet u soll veç maxhoranca e djathtë. Gjuha e bashkëpunimit pozitë-opozitë nuk u gjet asnjeherë në harkun kohor të një viti, të pakten deri sot që po flasim. Nuk e di sesi mund ta shikojnë shqiptarët e Shqipërisë, por unë ndjej keqardhje të madhe. Nuk është e lehtë të honepset një gjë e tillë, pasi në situata të jashtëzakonshme dhe me interesa të mëdha kombëtare duhet një frymë e gjerë konsensusi, e cila duhej të arrihej ndërmjet forcave tona politike.
Megjithatë ekzekutivi shqiptar, edhe pse nën presionin e “bojkotizë-grevës” opozitare arriti të krijojë besimin e palëkundur tek nderkombëtarët. Opozita e vendit tim luajti një lojë të pastër politike në dëm të shqiptarëve, në vend që të gjente gjuhën e përbashkët që syri kritik europian të shikonte një komb të bashkuar, një komb me një politikë të diplomuar e stabile në rajon e më gjerë. Gjithsesi nuk dua të zgjatem më shumë, por lëvizja e lirë e shqiptarëve tashmë është fakt i kryer dhe nuk mund të pengohet nga askush, qofshin edhe njerëz me pushtet apo imunitet.

Autori është kryetar i degës së PD për Gjermaninë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›