E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, ultimatume koreano-veriore ndaj shqiptarëve

Pas shembullit të Haxhi Qamilit, Edi Rama po merr shembujt e ultimatumeve të Koresë së Veriut kundër SHBA-ve, duke i kërcënuar shqiptarët se do të bëjë çmos për izolimin e tyre. Qëndrimet karikatureske s’fshehin dot dështimin politik dhe rrënimin e një opozite që po shkon në të kundër të interesave të bashkatdhetarëve të saj


Edi Rama edhe dje s’është ndalur në lëshimin e kërcënimeve ndaj klasës politike në Shqipëri, por së pari ndaj qytetarëve, të cilët tashmë po ushqejnë aspirata me standarde të larta për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por kërcënimet e tij tashmë janë aq shumë të dala mode, e aq pa besueshmëri, saqë s’po ju ngjajnë më as kërcënimeve të dikurshme që Kina lëshonte kundër SHBA-ve për shkeljen e hapësirës territoriale. Ato janë thjesht pa asnjë mundësi realizimi e pa asnjë forcë kërcënuese, prandaj versionin e vet të ngjashëm e gjejnë veç tek Koreja e Veriut dhe fushata e saj kundër Koresë së Jugut dhe aleatëve të saj të SHBA-ve. Edi Rama s’pushon së kërcënuari se nëse kalon dyjavëshi që nga darka e restorant “Krokodilit” në Strasburg, për Shqipërinë do të vijnë ditë të këqija, për Shqipërinë do të vijë izolimi e pastaj kataklizmoja. Kërcënimet bile po ua kalojnë frazave pa lidhje të Kim-it të Koresë së Veriut, i cili gjithsesi citon marka armësh apo edhe numrin e forcave tokësore që posedon. Edi Rama s’ka asgjë në dorë, veç mallkimet ndaj shqiptarëve, si rrufetë që lëshonte dikur Zeusi (ato ishin vdekjeprurëse të njimendta), si dhe shpresës që ndonjë mik nga Perëndimi do të mund të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti anëtar të NATO-s dhe t’ia japë atij pushtetin në pjatë. Kërcënimet e djeshme të Edi Ramës se pas dyjavëshit që interpretohet ultimatum do të vijë kiameti kanë çuditur të gjithë vëzhguesit e politikës ndërkombëtare, të cilët prisnin që Edvinin ta gjenin në llogoret e përcaktuara për një parti politike që njeh sistemin dhe lufton brenda tij. Por Edvini i ka bërë hesapet veç me dy shembuj; me Haxhi Qamilin dhe me Korenë e Veriut. Këto dy qëndrime po shfaqen si burimet filozofike të Edi Ramës. Historiku i Haxhi Qamilit dihet. Edhe perspektiva e Koresë së Veriut dihet dhe ultimatumet ndaj Perëndimit janë thjesht karikatureske. Të tilla përmasa ka marrë tek ne edhe opozita e Edi Ramës, por shfaqja më e lexueshme pritet të regjistrohet veç kur të përfundojë “dyjavëshi”, siç e quan ai, dhe të njihemi me katalogun e harakirit politik që ai u ka rezervuar bashkatdhetarëve të vet. I. N.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›