E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaçani: Kuota të papërballueshme, skemi as staf, as laboratorë

Shpresa Mezini

Masteri Shkencor 

Kreu i Politeknikut propozon kuota shtesë për master profesional, ka më shumë treg pune

Shpresa Mezini

Të rinjtë e sotëm janë gjithnjë e më të interesuar për të ndjekur studimet e larta. Kjo, bazuar në kërkesat e larta të tregut të punës. Dikasteret shtetërore, por jo vetëm, kërkojnë medoemos që kandidati i interesuar për punë, të ketë përfunduar studimet e larta të nivelit të parë, por edhe të dytë. Në rast se plotëson këto dy kushte probabiliteti për tu punësuar është më i lartë, ndonëse jo përfundimtar, për shkak se ka një sërë elementesh të tjera, të cilat duhen plotësuar. Kështu, sistemi i Bolonjës, i cili po aplikohet prej disa vitesh edhe në vendin tonë, njësoj si në shtete të njohura të Europës, ka ndikuar sa për mirë në nivelin e studentëve, aq edhe për keq për infrastrukturën e universiteteve në vend. Të paktën kështu deklaron, rektori i Universitetit Politeknik, Jorgan Kaçani, i cili thotë se kuotat për master janë më shumë në numër nga çduhet të jenë. Kjo, sipas tij, për shkak se fluksi i studentëve që ndjekin studimet e larta të nivelit të dytë, master profesional apo shkencor, është i papërballueshëm për infrastrukturën dhe stafin pedagogjik të UPT-së. Kaçani propozon që vitet e ardhshme të reduktohet numri i masterave, sidomos i atyre shkencorë, sepse grupi i parë kërkon kosto të lartë, ambiente laboratorike dhe staf të kualifikuar.

“Për mendimin tim, masteri shkencor duhet të jetë në një sasi të kufizuar, sidomos në vende të vogla siç jemi ne, sepse sasia e inxhinierëve apo e specialistëve, të cilët do të jenë me master shkencor do të jetë shumë e kufizuar edhe për vendet e punës, ndërsa theksi duhet të vihet detyrimisht në masterin profesional, sepse aftësitë profesionale në të gjitha fushat janë ato që rrisin autoritetin, janë ato të cilat rrisin cilësinë e punës”, sqaroi kreu i UPT-së.

Kuotat

Në mes të muajit gusht, disa ditë më parë, qeveria miratoi me vendim të Këshillit të Ministrave numrin e kuotave për masterat shkencorë dhe profesionalë me kohë të plotë, të cilët në total shkojnë në rreth 18 mijë. Për masterat shkencorë numri arrin në rreth 8 mijë, ndërsa për masterat profesionalë ky numër shkon në rreth 9 mijë e 500. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, nëse një i ri ndjek një master shkencor, ka të drejtë që të vazhdojë studimet për doktoraturë, ndërsa ata që do të zgjedhin masterat profesionalë, thellojnë më tepër njohuritë e tyre për profesionin që kanë zgjedhur të ushtrojnë.

Shpërndarja e vendeve

Master profesional 9368

  • Programe të dyta studimi 100
  • Transferim studimesh 100
  • Shtetas të huaj 50
  • Personat që nuk shikojnë 20
  • Romët/ballkano-egjiptianët 20

Master Shkencor 8276

  • “Master i Shkencave”/”Master i Arteve”     7986
  • Programe të dyta studim 100
  • Transferim studimesh 100
  • Shtetas të huaj 50
  • Personat që nuk shikojnë 20
  • Romët/ballkano-egjiptianët 20

Kaçani: Kuota të papërballueshme, skemi as staf, as laboratorë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›