Holandë, alarm i rremë për rrëmbim avioni
Moskomunikimi ndërmjet pilotit të një kompanie spanjolle dhe kontrollorëve tokësorë në Amsterdam ka shkaktuar frikë të rreme, që ka detyruar autoritetet holandeze të dërgojnë avionë luftarakë F-16 për të kërkuar aeroplanin e humbur.
Aeroplani që fluturonte nga Malaga e Spanjës për në Amsterdam, me rreth 180 pasagjerë në bord, është rrethuar nga forcat holandeze të sigurisë me të kryer ulje të detyrueshme në aeroportin e Amsterdamit Shipol. Policia më pas ka kontrolluar aeroplanin dhe nuk ka gjetur asgjë të pazakontë.
Nuk ka pasur kurrë ndonjë rrezik dhe problemi është shkaktuar nga mungesa e komunikimit, ka thënë një zëdhënës i kompanisë spanjolle Vueling. Mediat lokale gjithashtu citojnë pasagjerët në bord të kenë thënë se nuk ka ndodhur asgjë e pazakonshme.
29 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Holandë, alarm i rremë për rrëmbim avioni burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip