Kaçe në orët e fundit te Paoku, refuzon komisionin disiplinor
Futbollisti i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, nuk ka dalë te enjten në mesditë, ashtu siç ishte paralajmëruar, para komisionit disiplinor të PAOK-ut të Selanikut. Sipas drejtuesve të klubit, Kaçes i është dhënë një javë leje për të qëndruar në Shqipëri. Dhe kjo, derisa në Selanik “të ftohen gjakrat” që u ndezën pasi Kaçe publikoi në facebook një fotografi të tijën veshur me një bluze që mbante siglën e UÇK, shkruan “Tribuna”.
Ergys Kaçe deklaroi se profili ku u publikua fotografia nuk ishte i veti, por tifozëria e PAOK-ut ka dy qëndrime, ndërsa shumica e tifozëve e sulmuan 20 vjeçarin shqiptar që është lojtar bazë në formacionin e bardhezive të Selanikut. Ngjarja u shfrytëzua politikisht nga partia neonaziste greke, Agimi i Artë, që me një deklaratë tepër të gjatë sulmonte Kaçen, që e cilësonte si një “shqiptar fanatik antigrek”, por edhe vetë PAOK-un, duke theksuar faktin se mesfushori korçar nuk kishte pranuar të aktivizohej me përfaqësuesen greke, por kishte zgjedhur ekipin kombëtar të atdheut të vet.
Të mërkurën pasdite, rreth 100 tifozë të PAOK-ut sulmuan zyrat e Agimit të Artë në Selanik. Duket se ka qenë kjo ngjarje që i ka bërë drejtuesit e PAOK-ut ta shtyjnë paraqitjen e Kaçes para komisionit disiplinor. Zëdhënësi i klubit, Kiriakos, ka deklaruar më herët se “në rregulloren e klubit parashikohen ndëshkime disiplinore për raste si ai i Kaçes”, por ka shtuar se para se të vendoset për masën e dënimit do të duhet dëgjuar edhe vetë Ergys Kaçe.
Gjithsesi, klubi ndodhet para një dileme të madhe, teksa nga njera anë ka një masë të madhe tifozësh që kërkojnë ndëshkimin e mesfushorit shqiptar, por nga ana tjetër, nuk mund të mos marrë parasysh se Ergys Kaçe është një lojtar i pazëvendësueshëm, siç thuhet shprehimisht në uebsajtin zyrtar të PAOK-ut. Për të janë të interesuar skuadra të ndryshme turke ndërkohë mediat greke gjithashtu njoftojnë se familja e Kaçes do të largohet në Itali pas këtyre ngjarjeve dhe ndoshta në të ardhmen edhe vet Kaçe me përkrahjen e De Biazit mund të luaj për ndonjë skuadër italiane.