Tifozat Kuq e Zi: Mos e prekni De Biazin
Në letrën shpërndarë për mediat theksohet se Federatës Shqiptare e Futbollit duhet të rinovojë kontratën me trajnerin italian, pavarësisht rezultateve të dobëta në dy ndeshjet e fundit
Pas dy humbjeve të fundit kundër Sllovenisë dhe Islandës, tifozët e Kombëtares Shqiptare të njohur me emrin Tifozat Kuq e Zi, nëpërmjet një deklarate kanë bërë me dije mbështetje për ekipin e udhëhequr nga trajneri italian Xhani De Biazi. Përmes një letre dërguar mediave, Tifozat Kuq e Zi i kanë kërkuar Federatës Shqiptare që ta ndal me çdo kusht trajnerin Xhani De Biazi, i cili sipas tyre ka meritat kryesore në renovimin e skuadrës dhe ngritjen në ranglistën e FIFA-s.
Në letrën e tyre ata theksojnë se italiani ka bërë një punë të mirë që nga momenti që ka marrë drejtimin e kombëtares, ndaj dy rezultatet e fundit zhgënjyese nuk mund të shërbejnë si pretekst për shkarkimin e tij, apo për mos rinovimin e kontratës. De Biazi ka ndërtuar një grup mjaft të mirë lojtarësh dhe ka një projekt të qartë për vitet në vazhdim, ndaj ai duhet të rinovojë kontratën e tij, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tyre. Më poshtë letra e plotë e Tifozave Kuq e Zi dërguar mediave:
Të nderuar bashkëkombas dhe tifozë të Kombëtares
Pas gati 2 viteve dramë dhe emocion, edhe këtij sezoni eliminator po i vjen fundi. Kanë mbetur edhe 2 ndeshje të fundit për te përmbyllur një sezon ku shpresa për kualifikim filloj të shuhet vetëm në 2 ndeshjet e fundit të Shtatorit. Dëshirojmë që me këtë letër, të tregojmë që Tifozat Kuq e Zi gjatë gjithë këtij rrugëtimi bashkë me Kombëtaren kemi qenë nëpër të gjitha ndeshjet, qoftë brenda ose jashtë atdheut.
Në shumicën prej tyre kemi qenë edhe më të shumtë në numër dhe më të zëshëm sesa vendasit, duke bërë që lojtarë tanë të ndiheshin sikur luanin në shtëpi. Qytete si Lucerni, Oslo, Lubjana e Rejkjaviku i bëmë të flasim shqip, dhe jemi krenar për këtë pavarësisht rezultateve që kemi marrë. Ne ja kemi dhënë besën Kombëtares që do ta përkrahim në fitore e humbje, në ditë të mira e të këqija dhe kështu do të veprojmë gjithnjë, derisa të ekzistoj emir Shqipëri. Humbjet dhembin madje shumë për secilin prej nesh, por asnjëherë nuk na lëkundin besimin dhe dashurinë për Kombëtaren.
Pavarësisht kësaj, Tifozat Kuq e Zi i bëjnë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që të rinovojë kontratën me trajnerin Xhani De Biazi, sepse ne besojmë në projektin e tij. Jemi dëshmitarë të renditjes rekorde të FIFA-s dhe të afrimit të talenteve në numër po ashtu tejet të madh (rreth 40), çka na bënë se projekti De Biazi është për periudhë afatgjate, dhe Tifozat Kuq e Zi e përkrahin vazhdimin e projektit të trajnerit, duke i dhënë mbështetje morale.
