E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare: Ja testamenti im



Shkrimtari Ismail Kadare, fitues i dy çmimeve të rëndësishme letrare ndërkombëtare, “Princi Asturias” dhe “Man Booker” merr përgjigjen përfundimtare prej kritikës: Mes nesh është një klasik i gjallë, i letërsisë evropiane dhe botërore. Kadare boton të plotë kolanën e veprave të tij, duke “larë hesapet” me të drejtën e autorit dhe ripunimet e tekstit letrar qysh në gjallje. I pari botim integral, mund të quhet botim testamentar, nën kujdesin e vetë autorit, i cili do të jetë referencial për të gjitha ribotimet e mëvonshme në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera të botës

Për ironi të mesazhit më të fundit që na jep Kadare në romanin e tij të sapodalë në treg se si humbasin fatet tona kur janë në dorë të shtetit, dje, në një mjedis shumë breznish, ka lënë testamentin letrar.

Pas rënies së diktaturës, kur regjimi, pra shteti, i kishte në dorë veprën si për ta groposur po aq dhe për t’i dhënë famë, Ismail Kadare në këta 20 vjet ka pasur lirinë e plotë botuese. Ashtu siç e tha dje edhe kritiku Mark Marku, i cili ka shkruar parathënien e kolanës së plotë të veprave të Kadaresë, se ky është klasik i gjallë, një autor që vazhdon të krijojë me vepra të plota, ndryshe nga zakonisht, të mësuar që klasikët të mos i kemi të gjallë fizikisht. “Për fat të mirë, kemi një klasik të letërsisë evropiane dhe botërore mes nesh”. Këtu merr fund çdo përcaktim tjetër që mund t’i jetë dhënë dhe çfarë është ngjarje mbi këtë shkrimtar është botimi i versionit përfundimtar i veprës së tij, që tani është e hapur dhe e plotë si për lexuesit dhe studiuesit.

Por, mund të thuhet se Kadare është i vetmi shkrimtar shqiptar, të cilit i është dhënë mundësia, ndoshta ndër të rrallët dhe në ata botërorë, që veprën e tij ta kurojë me aq kujdesje. Mund të quhet një testament mënyra se si Kadare e ka “mbështjellë” gjithë krijimtarinë e tij letrare në të gjitha dekadat.

Në 20 vëllime që shënon të parin botim integral, shkrimtari lë si testament sa është në gjallje, versionet përfundimtare të veprave, duke na lënë të kuptojmë se askush nuk do të ketë të drejtë pas kësaj të botojë, ose ribotojë veprat që janë në treg.

Gjithashtu, këtu mbyllet dhe historia e tekstit letrar, çfarë do të thotë se asgjë nuk do të ndryshojë nga veprat letrare të botuara në këtë kolanë. Vetë autori i ka botuar, ribotuar e ripunuar gjithashtu duke iu larguar qysh në gjallje fenomenit -aq të përfolur në autorë të tjerë, të ndarë fizikisht nga jeta - që është manipulimi letrar i veprës.

Gjithashtu, në katalogun e shpërndarë dje, jepet e koncentruar çfarë është ndryshuar dhe botuar për herë të parë në 20 vëllimet e Kadaresë. Dhe kjo duket një punë e bërë nga vetë autori për t’u mospërligjur më pas ndaj çdo të papriture letrare.

Kështu, ne njihemi se ky korpus i veprës së plotë të Ismail Kadaresë është i katërti që sheh dritën e botimit. Përmbledhja e parë prej dhjetë vëllimesh u botua më 1980 në Prishtinë. E dyta, në Tiranë, më 1981 në dymbëdhjetë vëllime. Botimi francez në vitet 1994-2004, gjithashtu në dymbëdhjetë vëllime, ka qenë në dy gjuhë, frëngjisht dhe shqip. Opusi i tanishëm, që i paraqitet publikut shqiptar në njëzet vëllime, thuhet se është më i ploti, duke shënuar se jashtë është lënë vetëm një pjesë e papërfillshme e krijimtarisë, kryesisht shkrime të rinisë së hershme, dhe disa herë krijime, që, sipas gjykimit të autorit nuk plotësojnë kriteret e duhura artistike.

Si botim testamentar, nën kujdesin e vetë autorit, ky korpus thuhet se do të jetë referencial për të gjitha ribotimet e mëvonshme në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera të botës - kjo do të thotë se çdo ribotim i veprës do të bëhet duke marrë vetëm versionet që janë përfshirë në vëllim dhe jo ribotimet e veçanta.

Botuesi ekskluziv “Onufri”, sigurisht nën diktimin e shkrimtarit na njeh në katalog me gjithë përmbajtjen e kolanës është: Vëllimi i parë hapet me korpusin e veprës së Kadaresë, ku përfshihen krijime në prozë të periudhës së hershme të krijimtarisë së tij. Ndërsa, romani i parë i tij, “Qyteti pa reklama” i shkruar në Moskë në vjeshtën e vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç, ka mbetur në sirtar, për të parë dritën e botimit pas rënies së komunizmit, novela “Ditë kafenesh” një fragment i romanit të sipërpërmendur, i përpunuar në trajtë novele më 1962, u botua një vit më pas në dy numra të gazetës “Zëri i rinisë”. Vepra e tretë “Përbindëshi” shkruar më 1964 dhe botuar në revistën “Nëntori” më 1965 pas një ndalimi çerekshekullor, qarkulloi si libër një vit përpara rënies së komunizmit.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me të cilin hapet vëllimi i dytë i veprës së Kadaresë, është kujtuar për një kohë të gjatë si romani i tij i parë. Ky roman, prej të cilit autori i ri fitoi njohje ndërkombëtare, u botua më 1963, duke njohur më pas ribotime të shumta. Pjesën e dytë të këtij vëllimi e përbëjnë njëmbëdhjetë tregime, të shkruara e të botuara gjatë dhjetëvjeçarit 1960-1970.

Vëllimi i tretë i opusit letrar të Kadaresë përmban romanin e tij “Rrethimi”. I shkruar më 1969 dhe i botuar një vit më pas, me titullin e ndryshuar “Kështjella”, romani u përkthye në shumicën e gjuhëve të huaja, me titullin e tij origjinal “Daullet e shiut”. Në këtë botim të plotë, autori e paraqet romanin me titullin “Rrethimi”, të përcaktuar si përfundimtar. Vëllimi tjetër përbëhet nga dy romane: “Lëkura e daulles” dhe “Kronikë në gur”. “Lëkura e daulles” u shkrua dhe u botua në vitin 1967, në revistën “Nëntori” për të dalë një vit më pas, si libër më vete, me titullin “Dasma”. Bërthama e romanit “Kronikë në gur” ka qenë novela “Qyteti i jugut”, shkruar dhe botuar në vitin 1964. Romani u shkrua disa vite më pas, për t’u botuar më 1971, me titullin e sotëm. Romani “Dimri i vetmisë së madhe” u shkrua në vitin 1971, për t’u botuar një vit më pas. Në katalog shpjegohet se ky roman duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tre acarimet e Shqipërisë komuniste me ish aleatët e saj, komunistët jugosllavë, më pas me ata sovjetikë e së fundi me maoistët kinezë. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua asnjëherë, kurse i treti, “Koncert në fund të stinës”, i ndaluar për një kohë të gjatë, u botua pak kohë para rënies së komunizmit. I pritur keq prej kritikës zyrtare, “Dimri i vetmisë së madhe” nuk u lejua të ribotohet, veç pas një rishikimi të autorit, në vitin 1978, nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh”. Shkrimtari thotë se versioni i tanishëm është kryesisht kthim te botimi i parë. Disa retushe artistike, që autorit i janë dukur të vlefshme, janë ruajtur nga botimi i dytë. Ndryshime të natyrës politike nuk ka.

Pjesa përmbyllëse e diptikut “Koha e grindjes”, romani “Koncert në fund të stinës, i shkruar në vitet 1980-1981, nuk e pa dritën e botimit, veç pas shumë vitesh. Romani u botua më 1988, në prag të rënies së komunizmit. Teksti i versionit të botuar në këtë seri nuk ka asnjë ndryshim nga botimi fillestar.

Në vëllimin pasardhës është përfshirja përfundimtare i versioneve të poezive dhe poemës së shkruar nga Kadare. Në këtë vëllim përmblidhet vepra poetike e Kadaresë, krijuar midis viteve 1957 dhe 2005. Vjershat dhe poemat janë nxjerrë nga librat “Ëndërrimet”, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me diell”, “Koha” dhe “Ftesë në studio”. Një pjesë, që s’kanë qenë përfshirë në këta libra, janë nxjerrë nga shtypi periodik, ku janë botuar fillimisht. Gjashtë vjersha, që botohen për herë të parë në këtë vëllim, thuhet se janë nxjerrë nga arkivi personal i shkrimtarit, duke na treguar autenticitetin e tyre.

Në vëllimin e tetë përmblidhen tri vepra, romanet “Muzgu i perëndive të stepës”, dhe ‘Kamarja e turpit”, si dhe novela “Komisioni i festës”, të shkruara midis viteve 1972-1976. Ndërsa “Kamarja e turpit” dhe “Komisioni i festës” kanë si fill bashkues marrëdhëniet e Shqipërisë me Perandorinë Otomane, rebelimin e Ali Tepelenës dhe terrorin shtetëror osman, “Muzgu i perëndive të stepës” është vepër bashkëkohore me elementë autobiografikë nga jeta studenteske e autorit në Moskë. Në vëllimin e dhjetë janë të sistemuara një tregim i panjohur si dhe dy novela të panjohura; tregimi “Leximi i Hamletit” dhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë brilantet në pasditen e dhjetorit”. Me aq sa shënon shkrimtari këto janë shkruar midis viteve 1981 dhe 2008, në Shqipëri dhe në Francë. Në këtë vëllim përfshihet edhe romani “Nëntori i një kryeqyteti”, shkruar dhe botuar në Tiranë, në vitin 1974.

Në vëllimin pasardhës përfshihen romanet “Kush e solli Doruntinën” dhe “Ura me tri harqe”, si dhe rrëfimi i gjatë “Breznitë e Hankonatëve”. Na bëhet e ditur se dy romanet janë të përkthyera dhe të njohura gjerësisht në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës. Vepra e tretë, saga e familjes së vjetër të Gjirokastrës është një krijim i veçantë, shkruar në formën e kronikës, një traditë që në kulturën shqiptare, nis me “Rrethimin e Shkodrës”, shkruar në latinisht prej Marin Barletit. Vëllimi tjetër përfshin dy nga romanet më të njohura e më të rëndësishme të autorit, “Prilli i thyer” dhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Të shkruar njëri pas tjetrit gjatë viteve 1976 dhe 1980, janë botuar në dy përmbledhje tregimesh, pa dalë kurrë si libra më vete, veçse pas rënies së komunizmit.

“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, botuar më vonë me titullin “Pallati i ëndrrave”, është kritikuar rëndë dhe më pas ndaluar si vepër me aluzione kundër regjimit. Ky libër është ende i diskutuar nëse është himnizuar apo ironizuar se si u ngrit diktatura.

Në vëllimin e dymbëdhjetë përfshihen katër vepra: “Dosja H”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Qorrfermani” dhe “Viti i mbrapshtë”. Veprat janë shkruar midis fillimit të gjysmës së viteve ’80. Njëri prej tyre, “Dosja H”, u botua më 1981 në revistën “Nëntori”, kurse “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Viti i mbrapshtë” në përmbledhjen “Koha e shkrimeve”. Ndërsa asnjëra prej këtyre tri veprave nuk u botua si libër më vete gjatë kohës së komunizmit, “Qorrfermani” mbeti krejtësisht i pabotuar për shkak të subjektit delikat.

Katër vepra të plota botohen në vëllimin e 13-të, tri prej të cilave “Hija”, “Vajza e Agamemnonit” dhe “Nata me hënë”, janë shkruar në vitet 1984-1986 në Tiranë, kurse e katërta, “Pasardhësi”, është shkruar gati njëzet vjet më pas, në Paris.

“Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi”, ndonëse të shkruara në kohë dhe regjime të ndryshme, përbëjnë një diptik, çka ka kushtëzuar botimin e tyre bashkërisht në këtë vëllim. Vëllimi tjetër përmban vepra të shkruara në Tiranë dhe Paris, në kohën e komunizmit dhe pas rënies së tij.

Përveç romanit “Piramida”, gjysma e të cilit ishte shkruar në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Francë, dy nga pjesët e “Rrëfimit trikohësh”, si dhe dy nga novelat e përfshira në “Shtatë novelat”, janë të shkruara në Tiranë, në vitet ’80. Të tjerat janë shkruar dhe botuar në Paris dhe në Tiranë, midis viteve 1993-2000.

Vëllimi i pesëmbëdhjetë i veprave përmban dy romane të shkruara në Francë, “Spiritus” dhe “Lulet e ftohta të marsit”, respektivisht në vitet 1995-1996 dhe 1998-2000, si dhe novelën “Tri këngë zie për Kosovën”, botuar më 1998.

Te “Spiritus” trajtohen ngjarje që u përkasin dy kohëve: përpara dhe pas komunizmit. Kurse “Lulet e ftohta të marsit” është një nga veprat e rralla të autorit, subjekti i të cilit bazohet tërësisht mbi ngjarjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Novela “Tri këngë zie për Kosovën” u shkrua dhe u botua në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë. Në vëllimin e 16-të, përveç dy romaneve të shkurtra “Shkaba” dhe “Çështje të marrëzisë”, është përfshirë romani tjetër “Aktori”, i njohur më parë me titullin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, si dhe drama “Stinë e mërzitshme në Olimp”. Në këtë të fundit, e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë autori rindërton, sipas versionit të vet, trilogjinë e famshme të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm pjesa e mesme “Prometeu i lidhur”.

Në vëllimin tjetër botohen tri romanet e fundit në kohë të autorit, “Aksidenti”, “Darka e gabuar” dhe e “E penguara”. “Aksidenti”, shkruar në vitet 2003-2004 dhe publikuar për herë të parë më 2008, nga shtëpia botuese “Fayard”, në frëngjisht, botohet për herë të parë në këtë vëllim të veprave.

“Darka e gabuar” është botuar në Tiranë më 2008, kurse “E penguara”, shkruar në vitet 2008-2009, është botuar për herë të parë në këtë vëllim të 17-të dhe si libër më vete njëkohësisht. Në vëllimin e 18-të, përveç sprovave të njohura “Ftesë në studio”, dhe “Eskili, ky humbës i madh”, të shkruara e të botuara, e para plotësisht dhe e dyta pjesërisht, nën regjimin komunist, janë përfshirë tri sprovat e mëvonshme: “Dantja i pashmangshëm”, “Hamleti, princi i vështirë” dhe “Don Kishoti në Ballkan”, të tria të shkruara e të botuara pas rënies së komunizmit.

Në vëllimin e 19-të të veprës, përveç ditarit për Kosovën, të vitit 1999, të njohur nën titullin “Ra ky mort e u pamë” dhe dialogut me shkrimtarin dhe publicistin e shquar francez Alain Bosquet, botuar disa herë në Shqipëri, përfshihen dy sprovat “Kushëriri i engjëjve”, dhe “Arti si mëkat”. Kjo e fundit botohet për herë të parë në Shqipëri. Po ashtu, për herë të parë botohet si libër më vete në Shqipëri “Legjenda e legjendave”, kurse “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” është publikuar për herë të parë në Paris, si parathënie e “Novelave të qytetit të Veriut” të Migjenit, përkthyer në frëngjisht. Në vëllimin përmbyllës të veprës së Kadaresë, përveç dy librave dokumentaro-artistikë “Nga një dhjetor në tjetrin” dhe “Pesha e kryqit”, janë përmbledhur dy dialogë të tij, i pari me revistën shqiptare “Hylli i Dritës”, i dyti “E vërteta që del nga qilarët”, me shkrimtarin dhe publicistin e shquar francez Stephane Courtois. Ky dialog i dytë është botuar së pari nga shtëpia botuese franceze “Odile Jacob”, si parathënie e botimit frëngjisht të librit “Dosja K”, e prof. Shaban Sinanit.

“Sorkadhet e trembura”, një synops i gjerë për tjetër art, siç e ka karakterizuar autori, si edhe sprova “Identiteti evropian i shqiptarëve”, janë përfshirë gjithashtu në këtë vëllim. Më përjashtim të sprovës së fundit, si edhe të intervistës në “Hyllin e Dritës”, të gjitha veprat e tjera botohen për herë të parë në Shqipëri.

Ky është një lloj epistolari që Kadare u jep lexuesve, duke e lënë tani veprën e tij të plotë në dorë të studiuesve. Kadare është rasti për të kuptuar se sa të rëndësishme bëhet prezantimi i lëndës letrare, në një kohë fizike të mundshme për të shmangur jo vetëm keqpërdorimet mbi të drejtën e autorit, apo manipulimet letrare; Kadare mbyll veprën e tij për të shmangur ndoshta anatemimet që shoqërojnë shpesh botime e reja apo të panjohura dhe që shohin dritën e botimit për herë të parë.

Për këtë arsye, dje, kritiku Mark Marku e përmbylli gjithë sa thamë më lart, duke u shprehur: “Mendoj që botimi i një kolane të plotë të veprës krijon një komoditet për studimin e veprës së autorit, për leximin e saj në mënyrë sa më komode dhe mbi të gjitha, është një akt që përkon me disa evenimente ndërkombëtare që kanë të bëjnë vlerësimin e veprës së shkrimtarit i Kadare”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›