Rruga e Gjuhadolit, rikonstruksion 1 milionë euro
Rruga e Gjuhadolit, një ndër rrugët karakteristike të qytetit të Shkodrës pritet t'i nënshtrohet rikonstruksionit. Ndonëse me statusin e rrugës muze, ky segment që lidhet me Dugajt e Reja në rrugën këmbësore "Kolë Idromeno" dhe kishën katedrale në Lagjen Sarreq, nuk njeh rikonstruksion prej vitesh. Në të dy anët e kësaj rruge ka ndërtesa karakteristike me vlerë muzeale e kulturore por vetëm në një prej atyre, atë të Daberdakëve është ndërhyrë për rikonstruksion fasadash. Sipas drejtorit të degës së monumenteve të kulturës në Shkodër, Ervin Gjini, projekti për rikonstruksionin e Rrugës së Gjuhadolit është miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve dhe në vitin 2010 do të nisë puna. Janë 1 milion euro që do të investohen në këtë rrugë. Përveç fasadave ky rikonstruksion parashikon ndërhyrjen në rrugë me rrasa guri dhe jo me asfalt.
Drejtori i Muzeut Historik të Shkodrës, Zamir Tafilica shprehet se Rruga e Gjuhadolit paraqet interes për vizitorët vendas e të huaj. Në të ka objekte me arkitekturë interesante dhe ajo lidhet me rrugën muzeale pedonale. Kjo krijon mundësi që ajo të frekuentohet nga vizitorët pasi është brenda itinerarit turistik të qytetit të Shkodrës. Gjuhadoli, sipas të dhënave historike, në vitin 1857 ka qenë një fushë pjellore që më pas u popullua dhe u kthye në lagje. Në vitin 1923, Gjuhadoli përmendet si një ndër 30 lagjet më të njohura të qytetit të Shkodrës ku akoma dhe sot vazhdojnë të jetojnë familje të vjetra. Në këtë rrugë ka disa objekte monument kulture, dhe të tjera që janë shembur ose ju ka ndryshuar destinacioni gjatë viteve të tranzicionit. Më 2003 u shembën disa ndërtesa njëkatëshe tek të cilat nuk kishte ndërhyrë asnjëherë për t'i mirëmbajtur.