E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare: Xhelozitë e Helenës? Ja e vërteta e femrave në jetën time

“Gra që nuk ekzistojnë as si emër, as si qenie, që nuk i kam njohur kurrë. Gratë që kam njohur kanë qenë mikesha të familjes, ato emra që dolën është turp të flasësh për to. Çfarë ishin ato? Asgjë. Pse unë paskam vallëzuar me një vajzë në ditëlindje? E çfarë pastaj?! Një dyshim. Mund t’i hiqte me gërshërë dhe ja ikën”.

“Berisha, Rama dhe At Pëllumbi

më kërkuan të bëhesha president”

Vajzat ruse kanë namin e vajzave për dy gjëra, shumë të bukura përgjithësisht dhe kryesisht ishin shumë të ëmbla dhe shumë femërore.

Intervistoi Blendi Fevziu

A kishit sugjerime për të hequr apo për të shtuar në librin e bashkëshortes suaj?

Po, i kam thënë të heqë një pjesë.

Pse, ishin delikate, përfshinin miq, të afërm?

Jo delikate, kryesisht pjesë që lidheshin me familjen, me fisin dhe m’u duk se ishin mjaft të gjata. Ndoshta më ndihmoi dhe kjo, më shtyu, duke menduar e perceptuar një njeri publik që do e merrte në dorë, por pastaj ajo me gjakftohtësi vendosi vetë për versionin në shqip dhe përgjithësisht i hoqi ato.

Meqë ju thoni se kishte disa pjesë të zgjatura për fisin, për familjen, duket se në përshkrimin e saj, zonja Kadare e përshkruan pak çuditshëm familjen tuaj, familjen ku ajo hyri për të jetuar...

Kjo është e vërtetë, por ajo nuk do ta kishte ndoshta këtë liri për ta përshkruar çuditshëm, siç thoni ju, në qoftë se nuk do ta kishte pasur këtë liri prej kohësh prej meje. Unë nuk kam qenë i shquar për të bërë himne për familjen, për njerëzit e mi, siç ndodh zakonisht në Ballkan. Sidomos në Ballkan, çdo njeri kur shkruan apo thotë sa fisnik e kisha gjyshin, sa e mirë ishte nëna, sa i mençur babai, a thua se njerëzit s’gabonin kurrë....Unë kam qenë krejt i lirë, e kam vërtetuar këtë gjë në veprën artistike kryesisht sepse nuk kam shkruar kujtime. Kam qenë i lirshëm fare. Nuk më vinte zor që në “Kronikë në gur” ka skena groteske, ku përfshihet i gjithë qyteti dhe familja ime bashkë me to, fisi im.

Ndryshe flet për babanë tuaj, që dëgjonte lajmet nga bota dhe kishte një pasion të madh, po nuk donte t’ia dinte fare për rreth...

Fare. Ai ishte një njeri që ka punuar tërë jetën në gjyq, një njeri i mësuar të rrijë në sallën e gjyqit e të dëgjojë sekrete të mëdha. Gjirokastra ishte plot me sekrete dhe me gjyqe të pafundme, mistere. Më kujtohet që ime më, një lloj pakënaqësie të vazhdueshme kishte se ai nuk tregonte asgjë në shtëpi. Sa ndodhte një skandal në qytet, vinin njerëzit dhe e pyesnin time më ‘hë, se ti di...’. Ai s’tregonte asgjë, ia plaste shpirtin.

Zoti Kadare, një nga pjesët interesante të kujtimeve të bashkëshortes suaj është se familja e saj i bënte presion të mos martohej me ju? Pse ky mosbesim?

Shumica e familjeve do të kishin këtë mentalitet. Një shkrimtar i ri, një poet i ri, në një farë mënyre quhej një njeri joserioz. Shkrimtar, firifiu, poet.

A ishit ju joserioz?

Unë nuk kam qenë më shumë joserioz se të tjerët, sa një pjesë e të rinjve. Ishte një joseriozitet pozitiv, një i ri e ka gjithnjë këtë përmasë joserioziteti.

A kishte paragjykim familja e zonjës Kadare edhe nga jeta që ju kishit bërë?

Ata nuk dinin asgjë, vetëm se ka qenë student jashtë. Një pjesë quheshin me nam të keq. Nuk e di pse. Ndoshta se disa tregonin disa gjëra të papërfytyrueshme, dëgjuesit i zmadhonin e kështu. Kur vjen nga një vend ku s’të ka parë njeri, s’të njeh njeri, njeriu ka prirjen të shpikë. Kështu ka lindur letërsia në fakt nga udhëtarë që vijnë nga lart, se ata përfitojnë nga mungesa e të tjerëve, ngjarjet i shpik, i shton i zmadhon, deformon. Studentët shqiptarë në atë gjendje u gjendën, gjysmë dramatike, gjysmë komike.

A ishit ju në atë kohë qejfli femrash?

Nuk është e vërtetë. Këtë “nam” mua ma ka nxjerrë një film francez. Që ju e keni nxjerrë të parët në Shqipëri, televizioni Klan. Ky film, unë kisha xhiruar një film që do të prishej në qoftë se nuk do të kthehej në sistemin e sotëm. Ishte shumë e vështirë, rashë në kontakt me një rrjet televiziv, ata më thanë e kthejmë ne. I morën minutat që i dhatë ju.

Po në mes të femrave jeni në fakt, të bukura...

Ashtu kanë qëlluar. Është jeta e një të riu, e rëndomtë. Nuk ka asgjë të tepruar. Unë sigurisht do të xhiroja, se vajzat i njihja.

Edhe jeta erotike, marrëdhëniet mashkull-femër ishin më të çlirëta në Rusi?

Tepër më e çlirët se në Shqipëri.

Në Shqipëri ishte tabu?

Nuk ishte tabu, por ishte e pazhvilluar, vetë ngushtësia e vendit, ashpërsia e njerëzve që krijohej prej halleve të jetës së zbehtë.

ǒndodhte me këta të rinj shqiptarë që gjendeshin befas në këto vende?

Po të marrim nga vendet lindore, më të zhvilluarat ishin Polonia, Hungaria, Çekia, Rusia kishte një gjë të veçantë. Dy qytetet kryesore ku kishte studentë shqiptarë, Moska dhe Leningradi ishin si parajsë për studentët, kishin lirinë morale, sepse Rusia në atë kohë bashkë me vendet e tjera kryesonte liberalizmin. U dënuan krimet e Stalinit. Atëherë ka qenë një habi, që si është e mundur që një sistem komunist të dënojë krimet e veta. Imagjinoni të ndodhte kjo në Shqipëri, që vdiq sunduesi, vjen pasardhësi pas 6 muajsh dalin pëshpërimat e para që janë bërë krime, do të dënohen. Pastaj ndodh një kongres që i dënon zyrtarisht. Imagjinoni se ç’do të ndodhte në Shqipëri po të ndodhte kjo. Studentët që shkonin nga vende të vogla në të mëdha përfitonin shumë nga kjo.

Ishin femrat ruse më të disponueshme, apo tërhiqeshin më shumë nga të huajt?

Vajzat ruse kanë namin e vajzave për dy gjëra, shumë të bukura përgjithësisht dhe kryesisht ishin shumë të ëmbla dhe shumë femërore.

Edhe mendjehapura?

Pa diskutim edhe të emancipuara. Ishte pjesa më e emancipuar e shoqërisë. Tërheqja me të huajt, luanin me faktin se ishin më të çlirëta nga ana psikologjike. Kishin disa vlera të padiskutueshme universale. Mua më ka ardhur keq pardje, se një miku im më thotë se më kujtohet se kur po bëhesha gati të shkoja në Moskë, më tha Kadareja kujdes, se janë spiune vajzat. Kurrë unë s’e kam thënë këtë gjë të tillë. Se unë kam guxuar të shfaq admirimin për vajzat ruse në atë kohë.

A keni qenë një koleksionist femrash në atë kohë?

Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk jam koleksionist.

Ju talleni pak me shkrimtarët sovjetikë, por, a mos keni rënë edhe ju në këtë kurth dhe në vetvete ishit një lloj koleksionisti?

Po jam tallur edhe me veten. Në një libër kam nxjerrë veten se si një idiot bëra këtë gjë. Por koleksionimi është varfëri. Ata mund të kenë vërtet femra, por që të mburresh është mjerim. Ka shumë meshkuj që duan të flasin, të reklamojnë, është në të gjithë botën si fenomen, ç’t’i bësh!

Por kur keni qenë në Moskë, keni rënë edhe ju pre?

Po sigurisht që kam rënë. Është psikoza e shokëve. Çfarë është kjo psikozë? Është e shtunë, ikim dalim për qejf. Ti nuk do se ke lënë takim me vajzën tënde që të pëlqen shumë. Por presioni shoqëror është kaq i fortë tek të rinjtë, sa thonë, prapë ti me atë? Hajde gjejmë një tjetër. Të gjesh një tjetër, të rri mendja tek ajo. Është një budallallëk i pafund. Mirëpo të rinjtë bien në këto psikoza. Unë e kam kuptuar që ishte një marrëzi, derisa e shkrova.

Po kur u kthyet në Shqipëri, nga gjithë kjo jetë e hapur në Moskë, si e gjetët realitetin shqiptar?

Shumë të trishtuar nga çdo pikëpamje. Të vish nga Moska në vitet ‘60 që ishte një festë e vazhdueshme. Instituti “Gorki” në Moskë, ka qenë në qendër, fasada e jashtme e bukur, ti ishe i huaj, nuk hyje në thelbin e problemeve apo jetën.

Ju keni treguar se keni qenë edhe në shtëpitë e vajzave, në familjet e tyre....

Të gjitha vajzat të ftonin në shtëpi. Kishin shumë qejf.

Shkonit?

Po

Ishin të ftohtë?

Jo të ftohtë, po të huaj. Ata shikonin me kuriozitet, me çudi. Rusia ishte vend i madh, nuk dallonin shumë, të huajt i fusnin në një kategori, dhe kishte paragjykim për të huajt, mosbesim. Vajzat e thyenin këtë gjë, ishin si misionare. Kishin një rast për të shprehur atë dhembshurinë e tyre, u dukej se ti je atje, ata janë të gjithë mosbesues, sikur i thoshin vajzës, ç’t’u desh që u ngatërrove me një të huaj. Të them diçka që nuk e kam thënë kurrë, më kujtohet më çoi një vajzë tek shtëpia e saj. Ishin të kulturuar, shumë më shumë seç prisja unë. Ishin nëna, babai dhe gjyshja. Më pyetën nga je? Nga Shqipëria. Më thanë, i juaji është Gjergj Kastriot Skënderbeu. Po, i thashë. Më habiti pak, se nuk para njihej dhe shkoi në raftin e bibliotekës dhe gjeti tregimet e librin anglisht dhe e shfletoi e u kujtua. Pra kishte zbulime të papritura.

Në kujtimet e saj, zonja Kadare përmend disa incidente që ju keni pasur në jetën tuaj bashkëshortore. Nuk janë shumë, diku tek 5 faqe. Përse një person duhet të tregojë historitë, uljet dhe ngritjet e jetës bashkëshortore?

Ka disa modele kur shkruhen kujtime të tilla. Një model është ai tradicional, ballkanas. Zakonisht shkruajnë gratë për burrat, kurse burrat për gratë ndodh shumë rrallë. Kjo është universale dhe po vazhdon. Një model është që burri del si model i virtytit, mençurisë, moralitetit etj. Është një model pothuajse i diskretituar, sepse është skematik. Çfarë janë këto familje që jetojnë si në parajsë? Që çdo gjë shkon vaj, ose tregojnë vetëm vuajtje politike. Modeli i kundërt është që burri është një horr i madh, aventurier që i ka dalë emri në 50 gjyqe, 3 divorce etj. Ky ndodh sot dhe është po aq i mjerueshëm sa tjetri, sepse shfrytëzohet skandali për njohje. Është edhe një zgjedhje e mesme që është më e besueshme, realiste dhe tregon atmosferë të vërtetë dhe të besueshme. Nuk ka familje që të mos ketë acarime, dyshime, keqkuptime. Nuk ka të tilla. Disa dihen nga çiftet, disa nuk dihen. Ju më thatë, ka pesë faqe. As 1% nuk ka në këtë libër, faqe të ashtuquajtura rozë.

Gjithsesi, njerëzit nuk janë mësuar me histori të tilla kur dikush i përmend?

Nuk janë dhe histori, se unë nuk di të ketë një histori serioze atje, dramatike. Që unë shkova të jetoj me një grua tjetër, me zor u pajtuam, morëm avokatin apo bëmë skandal.

Ka rrëfime xhelozie të gruas suaj...

Këto janë të padenja për t’u biseduar. Unë të them të drejtën, nuk do të kisha dëshirë të flisja për to. Janë qesharake në krahasim me një jetë njerëzore. Si mund të quhet një keqkuptim, a, b apo c, të quhet dramë mes çiftit? Çiftet tona që vriten dhe priten për këto probleme, ç’do t’i quajmë?

Shtypi botoi shumë emra pas publikimit në faqet e para...

Ato ishin përrallat më të marrëzishme që kam lexuar në jetën time. Nga më absurdet. Janë qenie njerëzore, që nuk ekzistojnë në këtë botë. Sepse janë personazhe librash. I marrin personazhet në librat e mi dhe i kthejnë në gra.

Kam përshtypjen se ju nuk keni shkruar shumë për dashurinë?

Kjo është e vërtetë. Dhe kjo tregon se unë kam qenë shumë i tërhequr nga kjo, i rezervuar. Më është bërë ‘vërejtje’ nga kritika botërore që Kadareja merret pak me këto gjëra. Këto janë marrëzira, nuk është e denjë që ne të dy të flasim për to.

A u befasuat kur i patë?

Hiç fare. Çfarë ishin ato? Asgjë. Pse unë paskam vallëzuar me një vajzë në ditëlindje? E çfarë pastaj? Një dyshim. Mund t’i hiqte me gërshërë dhe ja ikën.

Po pse nuk i hoqët, apo menduat se ishin të parëndësishme?

Ishin kaq joserioze në një libër, sa që nuk e menduam fare. Ishin gjëra fare normale për një çift. Ishte jo serioze të merreshe me to. Unë se mendova fare. Botuesi francez, tha të ketë diçka, sepse publiku perëndimor nuk di asgjë ç’ndodh në këto familjet shqiptare në komunizëm. Si janë? Na mendojnë se jemi nëpër aksione, duke ulëritur tërë ditën, duke u vrarë, burgosur. Por ka dhe një jetë normale që ata janë të etur ta dinë. Dhe ndoshta kjo ka ndikuar. Ai ka biseduar me Helenën kur ka dhënë materialet që të ketë pak nga këto gjëra. Të mësojmë, sepse ishte shumë tërheqëse për ta qëndrimi i familjes së Helenës ndaj meje. Sepse në Perëndim kjo është e kapërcyer, u dukej çudi.

Pra kur patë gjithë këta emra...

Gra që nuk ekzistojnë as si emër, as si qenie, që nuk i kam njohur kurrë. Gratë që kam njohur kanë qenë mikesha të familjes, ato emra që dolën është turp të flasësh për to.

A keni qenë ju gjatë jetës tuaj një mashkull i interesuar për femrat?

Unë kam qenë një mashkull normal për femrat që më pëlqenin si çdo njeriu tjetër. Natyra ime ka qenë përgjithësisht e rezervuar, e përmbajtur dhe jo grykëse, asnjëherë. Statusi i një shkrimtari të njohur që unë e fitova shumë shpejt, të detyron të kesh një sjellje edhe më të përmbajtur.

Por ama edhe të jesh i rrethuar me admirim...

Tjetër punë ajo. Ti do të bësh sikur nuk e vëren atë admirim sepse bëhesh qesharak. Sepse në qoftë se po të ecësh në rrugë do të gjenden gjithmonë 3 vajza, që kërkojnë autografe, kërkojnë fotografi dhe në qoftë se ti ngazëllehesh nga kjo gjë, të ndritin sytë e jep shenja, ti do s’do duhet të jesh i përmbajtur. Të detyron statusi i shkrimtarit të njohur që ti të bësh sikur nuk e vëren këtë gjë, dhe të bëhet natyrë e dytë. Nuk të shkon ty ajo gjë, sepse është fare pa dinjitet. Është një detyrim, humbje lirie, që të vjen, të paguash taksën e njeriut të njohur. Në atë kohë ishin më të rrallë njerëzit e tij. Je i detyruar të vendosësh një mbrojtje.

A keni qenë në jetën tuaj i provokuar nga femrat?

Jo. Unë e di ç’do të thotë një ngacmim femëror. Është shumë e natyrshme. I kam mbushur mendjen vetes, se kjo nuk ka pse të më krijojë mua asnjë trysni të brendshme.

Zoti Kadare, pati edhe një reagim të kundërt. Pati njerëz që këto përmendje emrash u xhelozuan se ju japin pamjen e një mashkulli të suksesshëm?

E para, unë nuk kam moshë për këto. T’i kthehem kësaj historie është një budallallëk. Por ka një të vërtetë në mes, ka shkrimtarë ose krijues, të cilët përpiqen ta mbushin atë që mungon në veprën e tyre, peshën, seriozitetin, njohjen, shitjen me këto që thamë, episodet rozë, skandalet. Siç ju thashë, ka shkrimtarë që ndahen nga gratë dhe e shfrytëzojnë këtë situatë për 15 vjet shitje librash. Aq sa lexuesi thotë po boll se u ngopëm me këto, tani duam disa të tjerë që ndahen. Dhe shkruajnë gratë nga njëra anë, burrat nga ana tjetër, sa i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.

Pse kjo nuk ju ngjall ndonjë interes?

Një shkrimtar serioz nuk ka nevojë për këto, kurrë. Kjo është një varfëri. Por ka njerëz që ju duket se janë në qendër të vëmendjes me këtë, është një snobizëm i lejueshëm njerëzor. Është vanitoz. Shumë njerëz kanë qejf të jenë në qendër të vëmendjes, deri tek kriminelët dhe vrasësit, kanë kënaqësi kur dalin në televizor, deri këtu shkon puna. Është në natyrën e njeriut. Është një gjë, e mjerueshme.

A keni parë ju, apo keni pasur frikë gjatë viteve të diktaturës, që keni qenë një shkrimtar i njohur, se femrat, provokimet e tyre mund të kenë qenë të futura nga sigurimi?

Më ka shkuar mendja, sepse ishin histori që qarkullonin. Çdo njeriu i shkonte në mendje.

A ka pasur gra të rëndësishme në jetën tuaj?

Nuk e kam menduar këtë gjë. Në radhë të parë është gruaja ime sigurisht.

Si ka qenë jeta juaj me Helena Kadarenë?

Ka qenë një jetë përgjithësisht e pasur, harmonioze, aq sa është harmonioze një jetë çifti e gjatë. Mund të ketë pasur acarime si çdo familje. Ne nuk kemi pasur asnjëherë një krizë serioze. Madje serioze është një fjalë shumë e rëndë, ne nuk kemi pasur asnjëherë krizë.

Madje është përdorur edhe fjala ‘divorc’ së fundmi nga shtypi...

Kemi qeshur të dy kur e pamë që u përdor fjala divorc.

A jeni i lumtur sot pas shumë vitesh nga njohja me të?

Sigurisht që jam i lumtur. Ndonëse nisi kështu si e rastësishme, ka qenë shansi im në jetë.

Në kujtimet e saj, zonja Kadare tenton të sqarojë edhe një opinion që ka qarkulluar në Shqipëri para viteve ’90, që ju nuk keni qenë asnjëherë modest, por mendjemadh e gati -gati arrogant. A është e vërtetë që ju jeni pak i ftohtë në raportet me njerëzit, shoqërinë?

Kjo ka dy anë. Unë mund ta kem këtë cen apo mungesë. Njerëzit kështu ndahen, në disa më të ngrohtë apo të ftohtë. Gjatë gjithë perandorisë komuniste, ne shkrimtarët i jemi nënshtruar një trysnie e presioni të neveritshëm në lidhje me modestinë. Çdo tirani në botë nuk duron dot dinjitetin e krijuesit, shkrimtarit, filozofit, artistit, piktorit, fizikantit etj. Nuk duron dot autoritet paralel ndaj shkrimtarët kanë qenë nën survejimin e pushtetit si konkurrent, si forcë alternative. Dhe kjo shprehej me parullën e neveritshme të modestisë, se shkrimtari duhet të jetë modest, duhet të shkojë në popull, të mësojë nga populli. Më fal, çdo të mësojë nga populli një shkrimtar, nuk ka gjë më qesharake. Çfarë do të mësosh? Kjo vetvetiu të krijon një reagim kundër kësaj. Unë jam shkrimtar, çfarë je ti që më jep këtë këshillë. Po jam mendjemadh meqë e quan mendjemadh ti, sepse jam dinjitoz dhe duhet të quhem mendjemadh.

A është e vërtetë që Edi Rama jua ka kërkuar disa herë për t’u bërë president?

Jo, jo, nuk është e vërtetë. Kujtimet e time shoqeje janë keqinterpretuar. Gjatë një vere, në vitin 2007 kanë marrë njëri pas tjetrit për të ma propozuar këtë gjë, tre njerëz. Kanë qenë Edi Rama me e-mail, meqenëse nuk kishim muhabet bashkë, e quajti jo komode të më drejtohej direkt në telefon. Ju drejtua Helenës e kishte më lehtë. Pas gjysmë ore, ose 40 minuta, ka marrë Sali Berisha me të njëjtin propozim. Madje ende sot unë nuk e di, a kishte ndonjë konsulencë të përbashkët apo jo. Edi Ramës, ju dha përgjigje nga Helena, se nuk ka asnjë shans. Berishës ja dhashë vetë, se do të më kuptoni, nuk është për mua, mos kini shpresë tek kjo gjë, hiqni çdo parashikim. I treti ishte At Zef Pëllumbi në prag të vdekjes. “Biri jem”, - tha, “pranojeni për të mirën e kombit”. Me një zë që unë edhe sot nuk e harroj, se ishte shumë prekëse, që një njeri që ndahej nga kjo botë kishte merak për kombin dhe i dukej se unë mund ti jepja një zgjidhje. Unë i dhashë një përgjigje jo, por shumë më të zbutur sigurisht se sa të tjerët ai me zor merrte frymë. Njerëz që kanë qenë aty tek shtrati i tij kur ai ma bëri këtë telefon, ma pohuan për kënaqësinë time atë interpretim që i dhashë unë. Këtu u mbyll kjo histori përgjithmonë. Por historia nuk mbyllet në kokat e të tjerëve. Ndaj përfitoj nga ky rast ta them se është një vendim i prerë dhe i stërprerë.

Por ju jeni përfshirë në komentet, në atë që mund të quhet deviacioni seksual i Enver Hoxhës, homoseksualizmin e tij. Madje keni pasur edhe një replikë me Arshi Pipën...

Kjo është bazuar e gjitha në moskuptim, keqkuptim, apo mashtrim nuk e di. Unë nuk jam marrë kurrë me këtë gjë. Në këtë gjë më ka futur një replikë me Arshi Pipën. Sepse ai për të më bërë nder, sipas mendjes së tij, që në vitet ‘80 shkroi që Kadare në “Kronikë në Gur” ka folur indirekt, tërthorazi por pothuajse hapur për homoseksualizmin e Enver Hoxhës. Kjo nuk është e vërtetë, as më ka shkuar ndër mend. Libri është, është botuar pesë herë si paskam folur, ku është? Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend. Thashethemet kanë qarkulluar. Në mendjen time, kjo ka qenë gjëja më e parëndësishme, në të gjitha kuptimet. E para është e pavërtetuar dhe kjo nuk i heq apo vendos asgjë personazhit historik. E çfarë ishte po të ishte? Hiçgjë. Për një mendje të prapambetur do të ishte ndonjë gjë. Unë kurrë nuk jam marrë me këtë, sepse të merresh me këtë gjë, do të thotë që të mos merresh me thelbin e një sundimi. Kjo gjë, jo vetëm që si bën dëm, por ka mundësi të krijojë simpati për të në Evropën e sotme. Sepse kjo të jep idenë e një njeriu të ndryshëm, që ka guximin ti kapërcejë tabutë. Ky thashethem nuk është përhapur aq shumë, sepse nuk është marrë me seriozitet por aq sa është përhapur po njerëzit thonë po mirë, paska qenë interesant. Sigurisht për një mentalitet provincial do të thoshin që ou, pa shiko se dinim. Unë nuk jam marrë kurrë me këtë. Më duket e padenjë si bisedë, se na tregon vogëlsinë tonë para historisë. Të kujton pak a shumë anekdotat për Skënderbeun, Ismail Qemalin. Pse ky qenka faji i tij?

Në kujtimet e zonjës Kadare ka një pjesë, ku ju i thoni një ditë se që sot unë nuk do të shkruaj më prozë artistike, letërsi...

Po, ia kam thënë.

Është e vërtetë që ju nuk do të shkruani më letërsi?

Po, është e vërtetë.

Përse?

Letërsi artistike kam thënë, romane. Unë e kam braktisur njëherë poezinë në ’97-ën, bëra një përjashtim në vitin 2005. Por letërsi mund të shkruaj, letërsi eseistike për shembull.

Jeni i bindur?

Po, jam i bindur.

Kishte ndonjë shkak?

S’kam dëshirë të shkruaj.

Doja t’ju pyesja për librin tim, a kishte gjëra të reja në këtë tekst?

Ju ma dhatë dorëshkrimin, por e kam lexuar të gjithë. Nga ky libër për çudinë time, sepse mendoja se i dija këto gjëra, gjëra që nuk i kam ditur. Ose i kam ditur, por jo kaq qartë dhe kaq të dokumentuara. Këtë bën ky libër, ka plotësuar diçka.

Marrë me shkurtime nga “Opinion” në TV Klan

Helena: Ismaili më tha të hiqja

historitë e shoqeve të mia

Helena Kadare dje në Panairin e Librit ka nënshkruar pa pushim librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, kushtuar jetës së saj me shkrimtarin Ismail Kadare.

Në një hapësirë pushimi Helena Kadare iu është përgjigjur interesit të gazetarëve dhe ka reaguar për debatet më të fundit që janë hapur rreth librit të saj. “Media të ndryshme e kanë pasqyruar shumë mirë librin tim, por një pjesë kanë abuzuar, duke ngritur debate të ulëta e aspak serioze karshi një libri që është shkruar me shumë seriozitet”, - tha znj.Kadare, duke iu referuar debateve të hapura për flirtet e shkrimtarit, që sipas saj zënë një vend shumë të vogël e të parëndësishëm në libër përkrah ngjarjeve tepër të rëndësishme që trajtohen në të”.

Helena Kadare tha se procesi i shkrimit të këtij libri ka qenë sa i vështirë po aq edhe i bukur, dhe se shkrimtari Ismail Kadare ka qenë kritiku dhe njëkohësisht mbështetësi i saj më i madh. Helena ka kujtuar një fakt interesant, që para se ta botonte librin, shkrimtari i kishte thënë të hiqte 100 faqe nga libri. “Ishin histori të shoqeve e të njohurave të mia, të cilat, sipas Ismailit nuk kishin vend në atë libër”, - tha ajo. Sa i takon pritjes dhe paragjykimeve të publikut dhe se, a ishte gati lexuesi shqiptar për një libër të tillë kaq ngacmues, znj.Kadare tha se një pjesë e mirë e kanë pritur ngrohtë.

”Pas botimit në Francë kam marrë mesazhe të mrekullueshme edhe nga njerëz të panjohur. Kjo më bindi se ishte koha për ta botuar edhe në Shqipëri”, - tha shkrimtarja, ndërsa iu rikthye sërish autografeve dhe radhëve të gjata të lexuesve që e prisnin në radhë pranë stendës së “Onufrit”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›