Cana: Dua të luaj, tifozët të na mbështesin
Kapiteni i Shqipërisë do të luajë në rolin e tij natyral si mesfushor shkatërrues, për shkak të mungesave në këtë repart
Lorik Cana ndjen në këmbët e tij dëshirën për të vrapuar. Kapiteni i kombëtares kuqezi kërkon që të jetë në fushë dhe të japë maksimumin në dy ndeshjet miqësore kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë. Mbase qëndrimi i shpeshtë në stol me Lacion ka bërë që Loriku të ketë dëshirë për lojë, por kësaj radhe, duke parë edhe mungesat e shumta në mesfushë, Cana do t’i rikthehet pozicionit të tij si shkatërrues. Megjithatë, deri sot në orën 18:00 mund të ndryshojnë shumë gjëra.
Lorik, dy miqësore që duhej t’i shërbenin një misioni…
Besoj që në program këto dy ndeshje janë organizuar që t’i shërbejnë përgatitjes për të ardhmen, por disa herë njeriu bën plane dhe nuk dalin siç e pret. Nuk është hera e parë që ndodh dhe nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Ke dëshirë dhe mundohesh t’i bësh gjërat sipas programit, por janë shumë gjëra që nuk varen vetëm nga lojtarët, por edhe nga njerëzit që udhëheqin futbollin, nga tratativat.
Elementët që janë larguar janë të rëndësishëm. A do mund t’i zëvendësojmë?
Është e vështirë gjithmonë, sidomos për lojtarët që kanë luajtur në ligat më të mira dhe me një përvojë të tillë nuk është e lehtë për një vend si Shqipëria që t’i zëvendësosh. Nuk është e pamundur. Në ekipin kombëtar kemi lojtarë që tani kanë njëfarë përvoje dhe tani do të kenë mundësi që të aktivizohen më shumë dhe të bëhen më të rëndësishëm. Shpresoj që të kemi prurje nga Shpresat dhe nga lojtarë të tjerë të rinj.
Zakonisht ndeshjet miqësore nuk kanë motivacionin e duhur…
Kjo fjalë nuk ka sens. Kur vjen luan për ekipin kombëtar, kjo fjalë nuk gjen vend. Këtu ka vetëm impenjim, mënyrë përgatitjeje, përqendrim, janë fjalë që mund t’i përmendim. Fjalën motivim, jo. Është shans që jemi me shëndet dhe që mund të përfaqësojmë vendin tonë. Mungesa kemi ata që janë larguar, por edhe Currin e Bulkun. Kemi probleme me mesfushën dhe ka shumë mundësi që unë të kthehem të aktivizohem në mesfushë për këtë ndeshje.
Thuhet që këto ndeshje janë për elementin e ri...
Është pak delikate si pyetje, se po të ishte trajneri i ri që duhej të ishte këtu për të parë lojtarët dhe që një pjesë e tyre e njohin, po atëherë mund t’i kishte shërbyer për këtë qëllim. Por duke ditur se ende nuk është zgjedhur njeriu që duhet të rrijë në krye të ekipit tonë, sigurisht që do të mundohemi që të aktivizohen të gjithë sepse të gjithë e meritojnë. Pastaj është pjesë e Xhemos për punën teknike. Unë kam dëshirë të luaj dhe sigurisht që kam dëshirë t’u jap hapësirë edhe të tjerëve.
Si do ta komentonit ftohjen mes tifozëve dhe kombëtares? Mos vallë ata janë të zhgënjyer?
Ka pasur një pritshmëri të lartë, për mendimin tim më e lartë seç duhet, pasi e filluam edicionin mirë dhe të gjithë prisnin shumë nga ekipi, por më shumë sesa potenciali i ekipit. Kombëtarja mund të arrinte pak më shumë sesa arriti. Prandaj edicioni i kaluar nuk ka qenë i suksesshëm pasi mund të kishim mbledhur 3-4 pikë më shumë, por në asnjë mënyrë ekipi nuk ka dështuar në mënyrën sesi ka luajtur sesa ka dhënë. Pastaj zgjedhjet taktike janë parametra të tjerë. Nëse njerëzit presin nga ne, është gjë e mirë dhe t’u miratojmë disa gjëra, që nuk mund t’i arrijmë është gjë tjetër. Por tifozët janë treguar shumë prezentë.
Hasi ishte kandidat, por më pas nuk u bë asgjë…
Në fakt dëshira ishte e madhe dhe nuk besoj vetëm dëshira ime. Unë kam folur me Besnikun para tri javësh, pasi e kam mik dhe ne kemi luajtur bashkë. Unë prapë shpresoj që në të ardhmen të ndodhë ky bashkëpunim, pasi nëse Besniku vërtet nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, po punon jashtë dhe shpresoj që në të ardhmen të jetë në krye të ekipi tonë. Tani presim se kush do të vijë.
Ju do të preferonit një trajner shqiptar apo të huaj?
Nuk e di se çfarë të them, por unë nuk kam qenë asnjëherë kundër një trajneri shqiptar. Por mjafton që të njohë mentalitetin tonë, mënyrën tonë të lojës. Pastaj ne kemi për detyrë që t’ia bëjmë më të lehtë.
Tani shiriti i kapitenit ju takon juve. Keni më shumë përgjegjësi?
Përgjegjësi jo, pasi unë kam marrë shumë përgjegjësi për të udhëhequr ekipin kombëtar me lojtarë si Lala, Ervini apo Bogdani. Por mënyra sesi unë do të sillem, nuk do të ndryshojë aspak.