FMN: Rekomanduam rritjen e taksës së sheshtë 15 %
Një nga elementët që do të çonte në rritjen e të ardhurave buxhetore dhe për pasojë në uljen e borxhit, do të ishte rritja e taksës së sheshtë nga 10 në 15 për qind. Ndërkohë që ish-shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerëin Bell është shprehur edhe në lidhje me nivelin e lartë të kredive problematike. Detyra imediate sipas tij, është marrja e masave që bankat janë të mirëkapitalizuara për të përballuar humbjet nga kreditë e këqija. Një element tjetër i rëndësishëm është që bankat të kenë mbulesë likuiditeti për të përballuar tronditjet. Por ende është një sistem që jep kredi. Mund të ishte edhe më mirë, por duke ditur tronditjet që po ndjen ekonomia krahasuar me sistemet e tjera bankare në rajon, Shqipëria ka ende një sistem të fuqishëm. Në këndvështrimin e FMN-së, Shqipëria mund të jetë edhe një nga përfituesit e krizave që po përfitojnë vendet fqinje. Krizat sjellin gjithmonë mundësi. “Shqipëria e ka provuar veten si një ekonomi e shkathët që mund të shfrytëzojë rastet, si për shembull zhvillimi i energjisë hidrike, në përgjigje të shqetësimeve të Evropës për uljen e emetimit të gazit karbonik, apo zhvillimi i shpejtë i industrisë tekstile dhe këpucëve, ndërsa prodhuesit aziatikë u bënë më të shtrenjtë”, - tha Bell. Por kriza është gjithashtu një element që, nëse je një vend i vogël dhe i varur, të merr me vete pavarësisht sesi vepron. “Prandaj, ne si FMN po ndihmojmë ekonomitë e zhvilluara për të mos e përçuar këtë efekt tek vendet e vogla si Shqipëria, pasi ky është një rrezik real”, - shtoi ai.