Kadastra: 40 vendime legalizimi për banorët e pallatit shumëkatësh te “Komuna e Parisit”

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Një tjetër objekt shumëkatësh në zonën “Komuna e Parisit”, njësia administrative nr. 5 në kryeqytet, është përfshirë në procesin e legalizimit, në zbatim të vendimit të qeverisë.
Për shkak të shkeljes së lejes së ndërtimit nga shoqëria ndërtuese, përfundimi i procedurave të regjistrimit dhe pajisja e banorëve me certifikata pronësie ishte penguar. Pas njoftimeve publike dhe bashkëpunimit me administratorin e zgjedhur nga banorët, Drejtoria Vendore e ASHK-së Tiranë Jug ka vijuar me administrimin e dokumentacionit.
Deri më tani, janë emetuar 40 vendime legalizimi në favor të poseduesve informalë që kanë përmbushur detyrimet ligjore. Objekti përmban gjithsej 112 njësi, përfshirë apartamente banimi, dyqane dhe garazhe. Procedurat do të vijojnë edhe për banorët e tjerë, pas depozitimit të dokumentacionit përkatës, me qëllim përgatitjen e plotë të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe përfitimin e lejeve të legalizimit.
Kadastra njofton se, pas 30 ditësh nga marrja e vendimit të legalizimit, banorët duhet të aplikojnë në portalin “e-Albania” për regjistrimin e vendimit, pajisjen me certifikatë pronësie, kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale. Ky proces synon të sigurojë pronësinë ligjore dhe transparencë në regjistrimin e pasurive. /j.p/r.e/