Berisha: Takimi i Salianjit në Elbasan u organizua nga krimi, vijë e kuqe për PD-në

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se organizatori në hije i takimit të ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianjit në Elbasan, ishte Suel Çela, një eksponent i botës së krimit.
Gjatë një deklarate për mediet, Berisha tha se vija e kuqe e PD-së është bashkëpunimi me krimin.
“Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse, bashkëpunimi me krimin. Që një anëtar i kuoptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë më Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e një prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë”, u shpreh Berisha.
“Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë, ai tejkalon vijën e kuqe dhe ai është përgjegjës për veten e tij. Nuk mund të pranoj kurrë, edhe njëherë asnjë formë bashkëpunimi me asnjë nga kartelet e drogës, as me organizatat kriminale”, vijoi kreu i PD-së.
Berisha shtoi se për sa i përket takimit të Salianjit “kemi informacione, jo një por disa të cilat pohojnë se, Suel Çela ka qenë organizator në hije kryesor i takimit”
“Përshëndes të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike të Elbasanit, strukturat e saj që e bojkotuan me neveri një takim të tillë”, tha Berisha.
Sipas tij, “kjo parti ka linjë absolute të kuqe, çdo formë bashkëpunimi me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës”.
/m.q/j.p/r.e/