Kadastra Shqiptare nis aksionin për evidentimin e ndërtimeve informale në Divjakë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Kadastra Shqiptare ka nisur një aksion të dedikuar për trajtimin e ndërtimeve informale në Bashkinë Divjakë, duke u fokusuar në fshatrat Shënepremte dhe Xengë.
Sipas njoftimit të Kadastrës, aksioni përfshin jo vetëm shqyrtimin e kërkesave ekzistuese për legalizim, por edhe evidentimin dhe trajtimin e ndërtimeve informale të ndërtuara brenda afateve ligjore, të cilat nuk janë vetëdeklaruar ndër vite.
“ Në Bashkinë Divjakë kemi nisur një aksion të dedikuar për trajtimin e të gjitha ndërtimeve informale në fshatrat Shënepremte dhe Xengë. Krahas shqyrtimit të kërkesave ekzistuese për legalizim, po evidentohen dhe trajtohen edhe ndërtimet informale të ndërtuara brenda afateve ligjore, por që nuk janë vetëdeklaruar ndër vite”, bëri të ditur Kadastra Shqiptare.
Kadastra njofton se, specialistët e Drejtorisë Vendore të Kadastrës Lushnjë do të jenë çdo ditë në terren deri në përfundimin e procesit, për të evidentuar objektet dhe për të asistuar qytetarët në procedurat përkatëse.
Ky proces do të përshpejtojë formalizimin e ndërtimeve që plotësojnë kushtet ligjore, duke mundësuar përditësimin e të dhënave kadastrale dhe pajisjen e qytetarëve me dokumentacionin e nevojshëm të pronësisë.
/e.xh/a.f/