Kadilli dhe Mziu në RTSH: Duhet debat dhe reflektim i thellë, në të kundërt nuk kthehemi në një alternativë për shqiptarët

Teksa bashkimi i PD duket më i largët se kurrë, për dy demokratët Fatbardh Kadilli dhe Xhelal Mziu zgjidhja e vetme është dialogu dhe një platformë gjithëpërfshirëse ku të njihet dhe vlerësohet kontributi i çdo demokrati. Fatbardh Kadilli, i zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar në Kuvendin e 30 prillit, tha në emisionin “Publikisht” në RTSH se e vetmja mënyrë që shqiptarët të shohin PD si një alternativë qeverisëse është debati dhe reflektimi i thellë brenda partisë për të përkrahur ndryshimin.
“Nëse debati nuk bëhet në mënyrë të ndershme dhe me reflektim të thellë nuk do të fitoj askush. Po nuk bëmë një reflektim ne nuk do i ofrojmë dot shqiptarëve atë që është misionin ynë alternativa për ndryshim, ndryshimi fillon nga vetja që t’i japim atyre ndryshimin”, tha Kadilli.
Edhe deputeti i PD-së, Xhelal Mziu, i cili nuk mori pjesë në Kuvendin e 30 prillit të thirrur nga Rithemelimi tha se duhet një platformë gjithëpërfshirëse ku të njihen qëndrestarët e vërtetë të PD dhe kjo bëhet vetëm përmes dialogut.
“Rruga e bojkotit ka treguar se nuk ka qenë zgjidhje. T’i jepet mundësia dhe koha çdo demokrati për të kontribuar. Nuk duhet të kishte zgjedhje të njëanshme dhe t’u jepnim mundësi demokratëve që të shpalosej një platformën gjithëpërfshirëse. PD e ka mundësinë për të gjetur zgjidhjen, për të shkuar në bazë për të bërë ofrimet e nevojshëm dhe për të rizgjedhur dhe gjetur modele përfaqësimi”, tha Mziu.
Analisti Preç Zogaj bashkimin e PD nuk e shikon shumë realiste, ndërsa thotë se lëvizje për pajtimin e palëve ka parë vetëm nga grupi i PD dhe jo nga Komisioni i Rithemelimit.
“Nuk e shoh shumë realiste bashkimin e PD, dëshira është që të gjendet një zgjidhje. Grupi i PD ka paraqitur një platformë nuk ndjenjën pasivë. Palët duhet të uleshin dhe të diskutonin, pastaj të thonin nuk bimë dakord. Propozimi i nga grupi i deputetëve të PD janë lëvizje konkrete dhe nuk kanë pse paragjykohen, por Berisha e koncepton bashkimin si asimilim të palës tjetër dhe kush i bashkohet të vijë si i penduar”, tha Zogaj.
Ndërsa gazetari Bledian Koka bëri një akuzë të fortë kur tha se demokratë që duan t’i bashkohen Berishës po presionohen nga SPAK dhe SHBA dhe se rasti konkret është ai i Kasem Mahmutaj, që iu konfiskua pasuria nga GJKKO sapo iu bashkua ‘Rithemelimit’.
“Shumë demokratë nuk erdhën dot në Kuvend jo për zgjedhje të tyre po për shkak të presionit të pushtetit dhe sot ishte rasti i Kasem Mahmutaj, i cili ndërroi mendje dhe ja çfarë ndodhi. Rasti i Kasemit është shantazh politik dhe këto nuk ndodhin vetëm nga SPAK por edhe kur ambasada e SHBA thërret çdo ditë deputetët e PD që duna të ndërrojnë mendje për Rithemelimin për t’i treguar se çfarë rrezikojnë”, tha Koka.
/rtsh.al/