Berisha: Rama do e njoh ‘Rithemelimin’, këtu do jemi! Deputetët që s’erdhën në Kuvendin e 30 prillit, do na bashkohen

Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se nuk do të komunikojë dhe diskutojë me ‘të vdekurit’ për çështjet politike të vendit, duke iu referuar Sali Berishës i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, por ish kryeministri nga ana tjetër shprehet i bindur se Rama do e njoh Komisionin e Rithemelimit.
Reforma Zgjedhore duhet të kalojë sërish përmes disa ndryshimeve para zgjedhjeve lokale të 2023 dhe kjo duhet të bëhet me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. I pyetur se si do arrihet kjo nëse Berisha vihen në krye të PD dhe Rama mohon në mënyrë kategorike të diskutojë me të, Berisha duket ‘optimist’ për të ardhmen se komunikimi mes tyre do ndodhë.
“Do ta bëj Edi Ramën të na njohë dhe të na njoh mirë. Këtu do jemi”, tha Berisha.
Ish kryeministri Berisha foli edhe për mungesën e madhe të deputetëve të PD në Kuvendin e 30 prillit, ku tha se shumë shpejt do t’i bashkohet edhe pjesa tjetër.
“Kam besim se deputetët e PD do t’i bashkohen Berishës, nuk mund të them që çdo njëri prej tyre, por në tërësi, shpreh bindjen më të madhe se pas Kuvendit, do I bashkohen PD-së. Pra, në këtë aspekt, Kuvendi ishte Kuvendi i bashkimit të PD, ata që pretendojnë pse nuk u shty Kuvendi, nuk pranonte shumica ta shtynte”, u shpreh Berisha.
Në Kuvendin e 30 prillit morën pjesën vetën 17 deputetë demokratë, ndërsa 35 të tjerë vendosën të mos ishin të pranishëm, ndërsa bashkimi dy pjesëve të PD ende duket e largët.
/rtsh.al/