Kafshët shtëpiake trashëgojnë 2,8 milionë dollarë, e moshuara kineze përjashton fëmijët nga testamenti

TIRANË, 14 prill /ATSH/- Një rast i pazakontë nga Shangai ka tërhequr vëmendjen e medieve ndërkombëtare, pasi një grua e moshuar ka vendosur të lërë të gjithë pasurinë e saj – rreth 2,8 milionë dollarë – për kafshët e saj shtëpiake, duke përjashtuar plotësisht fëmijët nga trashëgimia, sipas “Daily Mail”.
Sipas raportimeve të medieve kineze dhe ndërkombëtare, gruaja, e identifikuar me mbiemrin Liu, mori këtë vendim pasi u ndje e braktisur nga familja e saj.
Ajo deklaroi se fëmijët e saj nuk e vizitonin dhe nuk kujdeseshin për të në vitet e fundit të jetës, ndërsa macet dhe qentë e saj ishin të vetmet krijesa që i qëndruan pranë.
Në përputhje me legjislacionin në Kinë, kafshët nuk mund të jenë përfitues të drejtpërdrejtë të trashëgimisë.
Për këtë arsye, Liu ka caktuar një klinikë veterinare lokale si administruese të fondeve.
Kjo klinikë do të ketë përgjegjësinë për të menaxhuar pasurinë dhe për të siguruar kujdesin afatgjatë të kafshëve të saj.
Rasti është konfirmuar nga zyrtarë të lidhur me sistemin e regjistrimit të testamenteve në Shangai, të cilët theksuan se vendime të tilla janë të ligjshme nëse përcaktohet një ndërmjetës – si në këtë rast klinika veterinare – që administron fondet për një qëllim të caktuar.
Ekspertët ligjorë në Kinë theksojnë se, megjithëse kjo nuk është një praktikë e zakonshme, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, veçanërisht në situata kur marrëdhëniet familjare janë të dobëta.
Gjithashtu, ligji kinez u jep mundësi individëve të përcaktojnë në mënyrë të lirë shpërndarjen e pasurisë së tyre, për sa kohë respektohen procedurat ligjore.
Ky rast ka nxitur diskutime të gjera në rrjetet sociale kineze, ku shumë përdorues kanë shprehur empati për gruan, ndërsa të tjerë kanë ngritur pyetje mbi përgjegjësinë familjare dhe rolin e fëmijëve ndaj prindërve të moshuar.
Ngjarja gjithashtu reflekton një fenomen në rritje në shoqëri moderne, ku lidhjet emocionale me kafshët shtëpiake po bëhen gjithnjë e më të forta, shpesh duke zëvendësuar marrëdhënie të dobësuara familjare. //a.i/