IZRAEL – Ministri i Financave kritikon deklaratën e Merz për vendbanimet në Bregun Perëndimor

TEL AVIV, 14 prill /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich ka kritikuar ashpër kancelarin gjerman Friedrich Merz, pas deklaratës për politikën e Izraelit për vendbanimet në Bregun Perëndimor, duke shkaktuar reagime të ashpra nga ambasadori i Izraelit në Gjermani.
“Z. kancelar, ditët kur gjermanët u diktonin hebrenjve se ku lejoheshin ose ndaloheshin të jetonin kanë mbaruar dhe nuk do të kthehen më”, shkroi Smotrich dje në mbrëmje në platformën X.
Merz paralajmëroi për rrezikun e aneksimit të pjesshëm të Bregut Perëndimor.
“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet në territoret palestineze. Në bisedën time telefonike me kryeministrin Netanyahu, e bëra të qartë se nuk duhet të ketë aneksim de facto të Bregut Perëndimor”, shkroi Merz.
Sipas raporteve të medias, udhëheqja fetare e krahut të djathtë e Izraelit kishte miratuar së fundmi krijimin e 34 vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, në hijen e luftës me Iranin.
“Miratimet kanë të bëjnë me ndërtimin e vendbanimeve të reja, si dhe me legalizimin e posteve të vendbanimeve të mëparshme të paligjshme”, raportuan një numër mediash, përfshirë “Times of Israel”.
Ne nje interviste për transmetuesin izraelit, “Kan” ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor dënoi deklaratën e ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich.
“Është e mundur dhe plotësisht legjitime të debatohet me gjermanët – veçanërisht në këtë ditë, e cila është shumë emocionale”, tha Prosor në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit. //a.i/