E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaja: Si i shpëtova atentatit me silenciator

Kryeinspektori rrëfen momentin e atentatit: Unë nuk u përqendrova shumë në identifikimin e personave, instiktivisht kam ulur kokën dhe kam përkulur trupin për të shmangur në maksimum plumbat

Mes dhjetëra të afërmve dhe zyrtarësh e deputetëve të Partisë Socialiste, të mbledhur në Spitalin Ushtarak, Kryeinspektori i Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, ka bërë dje një rikuperim të shpejtë pas plagosjes nga atentati. Fillimisht Kaja është shtruar në sallën e reanimacionit, ndërsa më pas ai është transferuar një kat më lart, në shërbimin e kujdesit. Në mjediset e spitalit, fill pas ndërhyrjes së mjekëve dhe mjekimit të plagës, Kryeinspektori ka dhënë për më shumë se një orë shpjegime për dy oficerë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa më pas ka komunikuar kryesisht me familjarët dhe deputetët e Partisë Socialiste. Në një bashkëbisedim me MAPO-n Kaja ka përshkruar momentin e shtënies nga dy personat e maskuar në drejtim të tij, ndërsa është treguar i rezervuar, në lidhje me “dyshimet” mbi porositësit e mundshëm të ngjarjes.

Zoti Kaja, si ndodhi ngjarja?

Kam qenë me automjetin tim, ekzaktësisht në rrugën midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Partisë Socialiste. Sapo kisha hipur në automjet dhe po drejtohesha për të shkuar te zyra, në Bashki. Për një moment kam qenë duke ecur shumë ngadalë dhe befas një motor i madh, diku te 1 mijë kubikësh, ka frenuar pranë pjesës së pasme të automjetit tim, më pas ka ecur më avash dhe është qëlluar në armë në drejtimin tim.

Sa vetë kanë qenë në motor?

Kanë qenë dy vetë, por vetëm pasagjeri që qëndronte pas ka qëlluar në drejtimin tim.

Mundët t’i shquani fytyrat e dy personave që ju qëlluan?

Jo, ata mbanin kaskë mbrojtëse në kokë. Dua të them se bëhet fjalë për një kohë prej më pak se 4-6 sekondash dhe veprimet janë kryer në këtë hark të shkurtër kohor. Unë nuk u përqendrova shumë në identifikimin e personave, instiktivisht kam ulur kokën dhe kam përkulur trupin për të shmangur në maksimum plumbat.

Ishit i vetëm në automjet?

Po isha drejtues i automjetit dhe nuk kisha pasagjerë. Në momentin e goditjes, nga ana e tyre, makina ka prerë gomat dhe ka ndryshuar sensin e lëvizjes, ndërsa më pas motori ka ikur me shpejtësi, në drejtim të bulevardit dhe më pas nuk e pashë se ç’drejtim mori. Kam njoftuar pastaj disa njerëz të njohur dhe autoritetet për këtë ngjarje dhe jam nisur me urgjencë në drejtim të spitalit ku u bë dhe ndërhyrja e parë.

Në ç’vend e keni marrë plumbin?

Në kofshën e këmbës së majtë, kam marrë vetëm një plumb. Mesa mbaj mend janë qëlluar më shumë se një plumb dhe me shumë gjasë, arma që kanë përdorur ka qenë me silenciator.

Keni ju një rreth të dyshuarish, që mund të jenë të interesuar në eliminimin tuaj fizik z. Kaja?

Unë kam folur me autoritetet policore dhe hetimore, në lidhje me këtë ngjarje pak më parë. Nuk kam mundur të identifikoj asnjë fytyrë të atyre dy personave dhe aktualisht nuk mund të prononcohem dot me siguri për këtë që ju pyesni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›