Atentat me silenciator, Kryeinspektorit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës
Atentat shefit të Ndërtimores së Bashkisë
Dy persona me motor kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të Ardit Kajës, i cili ka ngelur i plagosur me një plumb në këmbë
Kryeinspektori i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, 38 vjeç, është plagosur me armë zjarri shumë pranë selisë së Partisë Socialiste nga 2 persona ende të paidentifikuar prej policisë. Atentati ndaj Kajës është kryer rreth orës 09:45 minuta, ekzaktësisht në rrugën që lidh Ministrinë e Bujqësisë me selinë qendrore të Partisë Socialiste, ndërsa Kaja ka qenë duke ngarë i vetëm automjetin e tij duke u drejtuar për në zyrë, në Bashkinë e Tiranës. Atentatorët kanë pritur një moment të volitshëm për kryerjen e veprimeve të tyre, ata kanë pritur që Kaja të hipte në automjetin e tij dhe kanë qëlluar pikërisht në një moment kur Kaja po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi minimale. Dy atentatorët kanë përdorur një motor sportive 1 mijë kubikësh dhe që të dy kanë qenë të veshur me rroba të vjetra dhe skafandra në kokë, duke siguruar anonimatin. Përpara se një prej personave që ishin në motor të qëllonte mbi Kajën, ky i fundit ka mundur të perceptojë veprimin e dyshimtë nga ana e tyre. Në momentin e atentatit, Kaja ka qenë duke folur në telefon dhe ka parë me bisht të syrit, vetëm pak çaste para të shtënave, drejtimin e pistoletës me silenciator ndaj tij. Menjëherë në atë moment, Kaja ka orientuar automjetin në krah të kundërt dhe është përkulur për të shmangur plagët. Duket se ky veprim i tij i ka shpëtuar dhe jetën, pasi vetëm një nga plumbat ka arritur në trupin e tij, fatmirësisht duke mos rrezikuar asnjë organ jetësor. Kaja është plagosur në kofshën e majtë, ndërsa plumbi nuk ka cenuar asnjë kanal të qarkullimit të gjakut. Burime policore bëjnë të ditur se dy atentatorët kanë lëvizur me shpejtësi, menjëherë pas të shtënave në drejtim të bulevardit dhe janë larguar në drejtim të Qendrës së Tiranës, nga ku më pas kanë marrë rrugën drejt zonës së quajtur “9 katëshet” ku dhe kanë humbur gjurmët. Burime policore janë shprehur dje për “MAPO”-n se në kushtet kur vetë i plagosuri nuk ka dhënë ndonjë orientim konkret, për personat e mundshëm të interesuar në eliminimin e tij, atëherë të gjitha pistat ngelen të hapura, por duket se fokusi kryesor është padyshim ndonjë konflikt që lidhet me funksionin publik të Kajës. Ky i fundit ka përshkruar për hetuesit vetëm momentin e atentatit ndaj tij në detaje, por pa dhënë asnjë version të mundshëm, ose të dyshuar prej tij, në lidhje me këtë atentat. Kryeinspektori i plagosur, Ardit Kaja, ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur asnjë konflikt, kërcënim apo debat me askënd, duke u shprehur se “nuk kam asnjë dyshim konkret mbi atë që ka dashur të më eliminojë fizikisht” para hetuesve. Familjarë të Kajës dhe të afërm të tij kanë qëndruar dje gjatë në mjediset e Spitalit Ushtarak të Tiranës. Nëna dhe gruaja e tij thanë dje për “MAPO”-n se lajmin e kanë marrë vesh prej televizioneve. “Lexuam në televizione vetëm se i kanë bërë atentat dhe menduam më të keqen. Kemi ardhur pa shpirt në spital. Arditi nuk mundi të njoftojë asnjë nga familja dhe pas interesimit në spital, kemi mësuar që në fillim se ishte tërësisht jashtë rrezikut për jetën. Unë nuk di të them në lidhje me motivet, në dijeninë time si nënë, unë nuk di që Arditi të ketë pasur probleme”, u shpreh dje e ëma e tij. Megjithëse vetë Ardit Kaja, por edhe të njohurit dhe të afërmit e tij, janë shprehur se nuk mund të vënë gishtin lidhur me dërguesit apo të interesuarit në eliminimin e tij fizik. Pas një takimi 20 minutësh me Kajën, kreu socialist Edi Rama u shpreh për mediat, duke lënë të kuptohej, se arsyeja e këtij atentati ndaj Kajës lidhej me një incident të ndodhur mes Inspektoratit Ndërtimor dhe partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, posterat e së cilës u hoqën nga mjediset publike prej vetë inspektoratit.
Policia, dyshime se
tre atentatet kanë lidhje
Atentatet ndaj Kajës, “Tan Leprit” dhe biznesmenit Sauku i lidh një fill i përbashkët, ai i sektorit të ndërtimit. “Tan Lepri” para goditjes ka qenë nën shoqërinë e një zyrtari të Policisë Ndërtimore dhe disa biznesmenëve
Hetuesit e policisë gjyqësore dhe të prokurorisë, brenda harkut kohor të dy javëve, janë ndeshur me tre atentate të mirëorganizuara ndaj tre personave të lidhur drejtpërsëdrejti me sektorin e ndërtimeve në kryeqytet. Rreth dy javë më parë, një atentat i ngjashëm në organizim me atë të Ardit Kajës, iu bë dhe Dritan Avllajt, i njohur me nofkën “Tan Lepri”, biznesmen i fuqishëm në fushën e ndërtimeve dhe i shumëpërfolur nga palët politike. Pak ditë më vonë, një tjetër ndërtuesi, të quajtur Genti Sauku, iu vendos një sasi eksplozivi në automjetin e tij, ndërsa Sauku vetë prej katër ditësh para atentatit ndodhej në Itali. Burime të rezervuara nga Policia e Tiranës kanë pohuar qartazi se hetimet operative në terren janë përqendruar, në krahasimin e informacioneve dhe zbulimin e mundshëm të lidhjeve mes tre ngjarjeve. Aktualisht deri në këto momente nuk ka asnjë provë direkte që lidh ngjarjet. Megjithatë, ngjarjet duket se kanë të përbashkëtat e tyre. Nga hetimi operativ, oficerët e policisë kanë zbuluar se Dritan Avllaj, vetëm pak minuta para atentatit, ka qenë në shoqërinë e disa biznesmenëve ndërtues dhe një zyrtari të Inspektoratit të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës ka zbuluar se biznesmeni Genti Sauku mund të ketë lidhje biznesi dhe interesa në kompleksin e ndërtimeve pranë tregut elektrik, ku qëndroi dhe biznesmeni Avllaj, disa minuta para atentatit të tij. Këto të dhëna operative të policisë krahasohen në çdo moment me të tjera të dhëna, ndërsa edhe pista të tjera mbi këto atentate shkojnë paralelisht. Rezultantja e përbashkët e të treja atentateve është se që të tre personat e dyshuar si “të programuar për tu eliminuar” kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sektorin e ndërtimit në kryeqytet, ndërsa është pikërisht ky fakt, por dhe detaje që vijnë nga të dhëna operative, që e kanë bindur policinë në vlerësimin e një piste hetimi që lidh atentatet, një pistë hetimi që synon në zbërthimin e fijeve të nëntokës së ndërtimeve në kryeqytet.