Kakavijë, 12 orët e fundit kanë hyrë 10 mijë emigrantë
KAKAVIJE- Mbi 10 mijë shtetas, kryesisht emigrantë shqiptarë, kanë hyrë gjatë 12 orëve të fundit përmes dy pikave të kalimit kufitare të Kakavijes, 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe “Tre Urat”, rreth 20 kilometra larg qytetit të Përmetit, duke shënuar kështu fluksin më të madh të të ardhurve qysh nga fillimi i sezonit të verës.
Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, bëri të ditur se “numri i emigrantëve shqiptarë që pritet të hyjnë përmes kësaj pike pritet të rritet akomë më shumë, pasi në doganën greke janë paraqitur shumë emigrantë, të cilët po iu nënshtrohen kontrollit”.
“Akualisht, në dipozicion të emigrantëve funksionojnë 10 sportele në hyrje dhe tre në dalje, ndërsa në doganën greke funksionojnë pesë sportele në dalje dhe katër në hyrje”, tha Mullai, duke shtuar se në vendkalimin kufitar të Kakavijes kanë hyrë deri në orën 12.00 të ditës së sotme mbi 7 mijë emigrantë, 1500 automjete dhe 30 autobuzë.
Sipas tij, për herë të parë gjatë funksionimit të saj, në vendkalimin kufitar “Tre Urat” janë shfaqur rradhë të gjata pritjeje në doganën greke, si pasojë e fluksit të madh të emigrantëve.
Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, krahas ketyre dy pikave të vendkalimit kufitar, është edhe pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, që funksionon vetëm për këmbësorët. (e.n/ata/BalkanWeb)