Kakavijë/ Kapet me pistoletë dhe kanabis në automjet, arrestohet 51-vjeçarja gjermane

Një 51-vjeçare gjermane është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonte, policia gjeti një armë zjarri pistoletë me municion dhe 141 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Operacioni policor u finalizua nën kodin “Risku 2”, pas kontrolleve të imtësishme të kryera nga Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Gjirokastër. Automjeti dhe ruloti që drejtohej nga shtetasja gjermane A. S. u kaluan fillimisht në skaner dhe më pas iu nënshtruan kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në dalje të pikës kufitare.
Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë zbuluan armën e zjarrit, municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza e tri qese hermetike me kanabis. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma, municioni, lënda narkotike, automjeti me rulotin dhe një celular, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.